

Sokol Paja
Për të 16-tin vit me radhë, qindra shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, viset shqiptare dhe shtete kryesore të Amerikës si New York, New Jersey, Philadelphia, Boston, Detroit, Teksas etj morën pjesë për dy netë me radhë në Festivalin Shqiptar në qytetin e Waterbury në Connecticut. Një festival shqiptar i organizuar në mënyrë të shkëlqyer nga organizatorët e Albanian American Muslim Community në Waterbury -Connecticut të cilët mbajnë gjallë kulturën, gjuhën, traditën dhe identitetin kombëtar shqiptar në këtë shtet dhe më gjërë. Muzikë tradicionale shqiptare, ushqim dhe vallëzim shqip, takime vëllazërore, nga shqiptarë nga të tëra anët që ndezën atmosferën e zjarrtë shqiptare nën tingujt e ëmbël dhe bisedat e ngrohta miqësore. Qëllimi i festivalit ishte promovimi i vlerave kombëtare shqiptare në shoqërinë amerikane si dhe kultivimi i kulturës kombëtare shqiptare në brezat e rinj shqiptar. Albana Lame Kryetare e Bordit të Komuniteti Mysliman Shqiptar – Amerikan në Waterbury deklaroi për Diellin e Vatrës se: “Në këtë festival së bashku me vullnetarët ne sollëm muzikën shqip, traditën shqip, ushqimin, shqip, ne sjellim shpirtin tonë shqiptar çdo vit. Të gjithë kanë punuar me përkushtim për të mbajtur gjallë traditën tone kombëtare. Ky vit krahasuar me vitin pandemik, jemi më entuziastë dhe kemi pjesëmarrje masive. Në këtë festival ne njihemi me njëri-tjetrin dhe themelojmë e mbajmë miqësi të reja. Ky festival dy ditor na jep mundësi që të njihemi më shumë me komunitetin tonë. Afrohemi më shumë bashkë. Është diçka fantastike kur sheh që traditën e filluar nga prindërit, sot e vazhdojnë fëmijët. Të gjithë gatuajnë diçka, shërbejnë diçka, ofrojnë diçka, një komunitet që angazhohet në maksimum me qëllim që të kënaqemi të gjithë. Gjithçka është autentike shqiptare. Ky vit na ka sjellë edhe shumë të huaj të cilët janë kureshtarë të njohin traditën tonë, ushqimin tonë e muzikën tonë” u shpreh Albana Lame Kryetare e Bordit të Komuniteti Mysliman Shqiptar – Amerikan në Waterbury. Ky festival ishte një mundësi e mrekullueshme për bizneset që të reklamojnë shërbimet e tyre. Mikëpritja për miqtë si çdo here bëhet nga i “zoti i shtëpisë” Imami Gaz Aga i cili kujdeset profesionalisht dhe personalisht me detaje për të gjithë pjesëmarrësit së bashku me stafin e Komunitetit Mysliman Shqiptar – Amerikan në Waterbury. Imami i Xhamisë “Albanian American Muslim Community”, Imam Gaz Aga, mikëpritës i këtij festivali dhe udhëheqës për festivalin e shkollën shqipe pranë këtij komuniteti në bisedën vëllazërore u shpreh për Diellin e Vatrës mbi rëndësinë e këtij festivali shqip si një mundësi e shkëlqyer në ruajtjen e vlerave kombëtare, trashëgimin brez pas brezi, dashuri ndaj atdheut, gjuhës shqipe, besimit në Zotin e gjithëpushtetshëm dhe respektit për njerëzit.