Nga Zeno JAHAJ/
Një vend udhëkryq është një mundësi fati e po aq ndoshta edhe për sfida. Serbia është një vend i tillë. Nëse udhëkryqet gjeografike e historike kanë një emër, ata me siguri do të quheshin Serbi. Çka dihet me siguri është se udhëkryqet gjeografike, si për këdo, edhe për Serbinë, mbeten të përjetshme. E pasigurt është nëse do të ndodhë kështu edhe me ata që janë formësuar nga gjeopolitika, historia, interesat apo orientimet strategjike.
Udhëkryqi gjeopolitik
E shtrirë në qendër të Ballkanit , pikërisht aty ku lidhen vendet e Europës Qendrore me ato të Europës Juglindore, si dhe ato të Europës Perëndimore me Turqinë e Lindjen e Afërt, Serbia gëzon kështu të gjitha mundësitë e lehtësitë për shkëmbime të gjera vlerash, njerëzish e mallrash. Dy rrugëkalimet e vetme strategjike veri-jug kalojnë pikërisht përmes Serbisë: njëri përgjatë luginave të lumenjve Velika dhe Juzna Morava dhe tjetri paralel me të që kalon Beograd – G. Milanovac – Kraljevo – Prishtinë – Shkup. Falë vendvendosjes strategjike, Serbia mban nën kontroll korridoret e rëndësishme të transportit të lumit Danub dhe lumit Morava. Ndërkohë, fakti që ky vend nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me dete, e detyron të kërkojë e të krijojë patjetër rrugë komunikimi me vendet e tjera.Historia do t’i rezervonte Serbisë gjithashtu një hapësirë ndoshta unike, duke e përfshirë në qendër të zhvillimeve me rrjedhime rajonale e më gjerë. E ndodhur midis dy perandorive më të mëdha të kohërave, Perandorisë Austro-Hungareze dhe Perandorisë Otomane, fati i të cilave do të ishte shpërbërja pikërisht në prag dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, Serbia nuk mund të mos ishte pothuajse në të njëjtën masë sa molla e sherrit, aq edhe e fituara e kësaj lufte. Këtë terren e kishte përgatitur me agresivitet që në luftërat ballkanike.
Pozicioni i saj gjeostrategjik, si dhe zbrazëtitë që u krijuan nga shpërbërja e dy perandorive, do ta nxisnin Serbinë të kërkonte hapësira edhe më të mëdha për të krijuar të ashtuquajturën “Serbi e Madhe”. Brenda këtij koncepti, me përfundimin e Luftës së Parë Botërore do të shpallej Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, e cila më 1929 do të ri-pagëzohej me emrin “Jugosllavia” dhe do të sundohej përsëri nga serbët. Një regjim politik mbretëror në një hapësirë ku ishin përzier gjithfarë kombesh, popujsh, fesh e gjuhësh e ku predominonin serbët, nuk mund të ishte gjë tjetër veçse legalizimi i sundimit të Serbisë.
Kur për herë të parë e të fundit në Luftën e Dytë Botërore Perëndimi u gjet në aleancë me Lindjen në luftën kundër nazizmit e fashizmit, Serbia – Jugosllavia e atëhershme, u gjet edhe ajo për herë të parë e të fundit në aleancë, si me Anglo-Amerikanët, ashtu edhe me Rusët, madje me një kontribut veçanërisht të vlerësuar.
Lufta e Ftohtë do ta rikthejë Serbinë në rrugëkryq. Pas formulës së famshme të Çërçillit, ajo do të mbetej përsëri në rolin e sfungjerit, duke e përcaktuar 50% nën influencën perëndimore dhe po aq nën influencën lindore. Në këto kushte, Serbia-Jugosllavia e atëhershme do të luante lojën e vendit të paangazhuar, por duke përfituar gjithsesi mbështetje të jashtëzakonshme financiare nga Perëndimi, sidomos nga SHBA, për të mos lejuar rritje të influencës sovjetike në Ballkanin Perëndimor. Ky kuadër “asnjanës” do t’ia linte duart të zgjidhura për të mbajtur nën kontroll të hekurt popujt e popullsitë heterogjene që përbënin Jugosllavinë, pavarësisht se në krye të Federatës do ishte një katolik kroat si Tito e, madje, për një kohë relativisht të gjatë.
Në kohët moderne, Serbia do të rikthehej në qendër të zhvillimeve e të konfrontimeve. Me përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe me ardhjen e ultra-nacionalistit Millosheviç në krye të Serbisë, Jugosllavia u përfshi nga luftëra të ashpra ndëretnike, të cilat sollën fillimisht pavarësimin e Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë më 1991 e pastaj, të Bosnjës më 1992. Pjesa e mbetur nga Ish Jugosllavia (Serbia dhe Mali i Zi) në prill 1992 u deklarua si “Republika Federale e Jugosllavisë”. Ruajtja e emërtimit “Jugosllavi” s’ishte gjë tjetër veçse një mburojë politike për fushatat e egra ushtarake të regjimit të Millosheviçit për të krijuar e mbajtur me dhunë “Serbinë e Madhe.” Këtij qëllimi do t’i shërbenin gjenocidi në Bosnjë e, më pas, spastrimi etnik në Kosovë. Por fushatat e saj do të ndeshnin në vullnetet dhe në forcat e bashkërenduara të komunitetit ndërkombëtar, si dhe të popujve që ishin bërë pré e dhunës serbe, me qëllim që të parandaloheshin trajtat e rrezikshme dhe rrjedhimet e rënda për sigurinë kombëtare të popujve të Ballkanit Perëndimor që mund të merrnin ngjarjet e veçanërisht, të evitoheshin shkëndijat e një konfrontimi të mundshëm në një shkallë më të gjerë. Menaxhimi i një fuqie qendrore të Ballkanit Perëndimor, sikurse ishte Serbia, e cila vijonte të luante rrezikshëm lojën me kungulleshkat e përqindjeve të influencave të përcaktuara në Konferencën e Jaltës në funksion të orekseve të saj nacionaliste, do të detyronte Europën e SHBA-në për të bërë ndërhyrjen e parë ushtarake jashtë zonës formale të përgjegjësisë së NATO-s, por brenda vlerave dhe përgjegjësive morale të kësaj organizate.
Drejt tregut Perëndimor
Kohët e kanë prurë tashmë që Serbia, ashtu si tërë Ballkani, të gjenden, për herë të parë në histori, brenda zonës së sigurisë e prosperitetit të dy organizatave më autoritare perëndimore, përkatësisht të NATO e BE. Në këtë kuadër, rreth dy të tretat e kufirit shtetëror të Serbisë kufizohet me vende anëtare të NATO-s e të BE-së. Nëse do të shtonim edhe faktin tjetër se, si NATO-edhe BE pritet ta zgjerojnë edhe më thellë në Ballkan anëtarësinë e tyre, duke pranuar, hë për hë, edhe Malin e Zi e Maqedoninë, atëherë në këto kushte, Serbia s’mbetet veçse si një ishull brenda detit të madh politik, ekonomik e të sigurisë perëndimore. Ky fakt, tej paragjykimeve apo përdredhjeve diplomatike të klasës politike serbe, përbën një mjedis sigurie e prosperiteti vendesh demokratike nga ku rrjedhin vetëm përfitime edhe për Serbinë. Mjafton të përmendim se mbi dy të tretat e volumit të eksport-importit të Serbisë realizohen me vende anëtare të NATO-s e BE, kryesisht me Gjermaninë e Italinë.Pasi ka lënë pas trashëgiminë mbretërore e atë komuniste, sot Serbia është shndërruar në një republikë parlamentare, ku pushteti politik i nënshtrohet rregullave të lojës demokratike dhe atyre të ekonomisë së tregut. Brenda këtyre vlerave, ajo është shprehur politikisht për pranimin në BE duke bërë edhe hapat e nevojshme në këtë drejtim derisa ka arritur tashmë të marrë statusin e vendit kandidat në këtë organizatë. Serbia merr pjesë në programin e NATO-s të Partneritetit për Paqe, duke u deklaruar se do të kufizohet vetëm me statusin e vendit partner dhe jo të vendit anëtar. Ndërkohë, trupa të Forcave të Armatosura Serbe marrin pjesë në disa misione paqeruajtëse shumëkombëshe nën flamurin e OKB-së, si në Liban, Qipro, Bregu i Fildishtë, Liberi, etj. Angazhimet politike e ushtarake si më sipër krijojnë një kuadër që e përafron Serbinë me vlerat perëndimore, duke ndikuar njëherësh, për t’u shkëputur nga politika e saj tradicionale shoviniste dhe për të hyrë në rrugën e bashkëjetesës paqësore e të prosperitetit me vendet e tjera të rajonit.
Me vështrim nga Lindja
Në të vërtetë, udhëkryqi historik e ka gjetur Serbinë të afruar më së shumti me Rusinë, aq sa kjo e fundit në qarqe diplomatike pranohet si padroni e mbrojtësi i Serbisë, apo aleati tradicional i saj, për shkak të bashkësisë në familjen sllave dhe fenë ortodokse. Fuqizimi i lidhjeve me Rusinë shprehet qartazi në fushat politike, ekonomike e ushtarake. Rusia, duke u bazuar në lidhjet tradicionale me Serbinë, ka shfrytëzuar e shfrytëzon çdo hapësirë që të ruajë këto lidhje sidomos përmes investimeve.
Në pikëpamje tregtare, Serbia përpiqet të ruajë një balancë midis Europës e Rusisë, duke u kushtëzuar nga kjo e fundit sidomos në fushën e importeve. Por Rusia ka fituar avantazh ndaj Europës në garën e vet për ta përfshirë në sferën Serbinë në sferën e saj, duke i hapur rrugë liberalizimit tregtar me Bashkimin Doganor Rus, si dhe me ndërtimin e Gazsjellësit South Stream. Serbia është i vetmi vend jashtë Komonuelthit të Shteteve të Pavarura që gëzon Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Rusinë, ku specifikohet zyrtarisht se mallrat ruse të prodhuara në Serbi konsiderohen si të origjinës Serbe dhe eksportohen si të tilla në Rusi të lira nga doganimi.
Ndërkaq, firmave Serbe u janë hapur të gjitha dritat jeshile për të investuar e punuar për Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Rusi (Sochi) gjatë vitit 2014. Përllogaritet që gazsjellësi South Stream të krijojë 2.5 mijë vende pune dhe do të sjellë rreth gjysmë miliardë investime të drejtpërdrejta në Serbi.
Në pikëpamje ushtarake, Serbia qysh prej fillim-vitit 2013 përftoi statusin e vëzhguesit të përhershëm në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive – një aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia. Ndërkohë, në nivel bilateral, Rusia dhe Serbia kanë rinovuar në nëntor 2013 marrëveshjen trashmë pesëmbëdhjetë vjeçare të bashkëpunimit ushtarak. Në 2011, Rusia hapi në Nish një qendër infrastrukturore, e motivuar në dukje për raste emergjencash, por që rrezja e përdorimit të saj synon shumë më tepër se kaq.
Në simetrinë Lindje – Perëndim
Duket se ka një simetri lëvizjesh, apo më saktë, një garë midis NATO-s e BE nga njëra anë dhe Rusisë nga ana tjetër për të kapur rrugëkryqin Serb. Në çastin që njëra palë është e lodhur apo e pafuqishme për të vepruar, atëherë iniciativën strategjike e merr pala tjetër. Një çast të tillë përbën, për shembull, e ashtuquajtura “lodhje nga e zgjerimi” e BE-së ndaj vendeve të Europës lindore. Sapo Europa ka dhënë shenja të tilla, në atë masë është vërsulur edhe Rusia për të mbushur zbrazëtinë. Në këtë kënd, Rusia e shikon mbështetjen ndaj Serbisë jo aq si mbështetje ndaj “vëllait të vet më të vogël,” por si mbështetje ndaj një vendi jo anëtar të NATO-s e BE-së.
Sidoqoftë, asetet Ruse në Ballkan përgjithësisht e, për këtë arsye, edhe në Serbi e kanë humbur peshën që kishin në çastet e përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ballkani rrethohet tashmë nga një hark gjigant sigurie e prosperiteti Perëndimor që fillon në Detin e Zi e përfundon në Detin Baltik. Pothuajse të gjitha betejat ushtarake e politike të pasluftës së Ftohtë në rajonin e Ballkanit i fitoi Perëndimi. Ballkani e, respektivisht Serbia, nuk janë më sfungjeri i dikurshëm ku përplaseshin perandoritë e ideologjitë politike. Shumë-shumë, një status gare relativisht më të butë për influencë në këtë rajon e ruajnë vetëm fetë, të cilat, gjithsesi, nuk e kanë më mbështetjen politike, ekonomike e sociale që kanë pasur më parë.
Kësisoj, Serbisë i është dashur gjithnjë të luajë midis dy fuqive: midis gjeografisë dhe historisë, midis interesave dhe vlerave. Ky vlerësim ka edhe trajektoren e vet në kohë. Rusia doli e dobët nga Lufta e Ftohtë e, për më tepër, nuk është më në kontakt gjeografik me Serbinë sikurse ishte gjatë asaj kohe. Përkundrazi, partnerët kryesorë europianë të Serbisë, sidomos Gjermania, renditen ndër ekonomitë më të fuqishme kontinentale e globale dhe sfera e ndikimit të tyre është shumë më e afërt edhe gjeografikisht.
Pikërisht këtu gjenden arsyet e mëdyshjes serbe në politikat ndërkombëtare. Serbia, duke u ndodhur gjeografikisht midis dy sferave, si në pikëpamje vlerash, ashtu edhe interesash, është përpjekur e do të vijojë të përpiqet të bëjë sa lojën e Europës Perëndimore, aq edhe lojën e Rusisë.
Rusia është cilësuar apo vetë-trumbetuar si aleat tradicional i Serbisë, për shkak të lidhjeve të përbashkëta sllave e ortodokse. Por Serbia, ashtu siç është rreshtuar shpesh kundër Perëndimit, jo rrallë herë në historinë e vet është rreshtuar edhe kundër Rusisë, sidomos përgjatë Luftës së Ftohtë. Prandaj, e vërteta është se lajkat që i bëjnë njëra tjetrës si aleatë tradicionalë duket se më së shumti kanë ngjyrën e interesave, sesa të klanit apo fesë. Por, më tepër se këto dy arsye të dukshme, interesi i Rusisë për Serbinë është ruajtja e me çdo kusht e një vend-bazimi në Ballkan, nga ku mbahet gjallë synimi i kahershëm për të depërtuar në Mesdhe e për të krijuar lidhje operacionale me bazat e tjera ruse në Siri e gjetkë e në këtë rajon.
Kësisoj, kemi të bëjmë më shumë me një fenomen gjeopolitik, se sa me një dashuri bashkësie. Marrëdhëniet midis Serbisë e Rusisë përdoren më së shumti për të krijuar e mbajtur gjallë efekte politike e ekonomike, sesa marrëdhënie solidariteti. Kështu, për shembull, kur Millosheviçi erdhi në krye të shtetit serb, ai e përdori Rusinë për të demonstruar se nuk ishte i vetëm në aventurën e tij të ruajtjes me çdo kusht të “integritetit” të Jugosllavisë dhe, se pas shpinës së tij qëndronte një “Fuqi e Madhe.” Nga ana e saj, Rusia e atëhershme e përdori Serbinë për t’i demonstruar Perëndimit dhe botës se Rusia mbetej një Fuqi e Madhe pavarësisht se Ish Bashkimi Sovjetik ishte shpërbërë. Kësisoj, ndërsa Beogradi i përkëdhelte Rusisë egoizmin për t’u dukur se kishte mbetur ende në statusin e një superfuqie, Moska, nga ana e vet, shfrytëzonte imagjinatat e sëmura që ushqente Serbia për t’u shndërruar në një fuqi rajonale imperialiste.
Drejt tregut ballkanik për influencë
E ndodhur në kushte ambiguiteti e udhëkryqesh, Serbia përpiqet e do të përpiqet të luajë një lojë të tretë, duke shfrytëzuar avantazhet gjeostrategjike për të përfituar si nga Lindja, ashtu edhe nga Perëndimi e duke u shtirur njëherësh as me Lindjen, as me Perëndimin, me synimin e vetëm për të zgjeruar influencën si fuqi rajonale. Serbia e ka kuptuar tashmë se lojës së ekspansionit për të kapur hapësira gjeografike i ka ikur koha. Për fatkeqësinë e saj, ajo e kuptoi e fundit në Europë vetëvrasjen e kësaj loje. Prandaj ajo i është drejtuar tani lojës për të fituar më shumë influencë. Këtij qëllimi i shërben edhe lëvizja e saj e fundit për të nxitur të gjitha vendet e ish Jugosllavisë për të krijuar zyra të përbashkëta diplomatike e konsullore, një iniciativë ndaj të cilës, jo çuditërisht, pjesa më e madhe e shteteve të shkëputura nga ish Jugosllavia i janë përgjigjur pozitivisht, gjoja për arsye kostosh e efektiviteti ekonomik.
Sot ekonomia e Serbisë është një ekonomi ku predominon ekonomia e tregut, megjithëse ekonomia shtetërore akoma mban nën kontroll themelet e veprimtarisë ekonomike të vendit. Me asetet që zotëron, ajo është fuqia më e madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor, falë gërshetimit të popullsisë dhe ajo zotëron forcën më të madhe ushtarake në rajon.
Sidoqoftë, papunësia e madhe (25.9% në vitin 2012), të ardhurat relativisht të pakta për frymë (10.600 dollarë), reformat e papërfunduara strukturore, etj, kanë bërë që ekonomia të ketë vetëm një rritje simbolike prej 1.8% në vitin 2012. Borxhi publik ka arritur në 59.2 të GDP-së në fund të vitit 2012. In 2012, eksportet ranë 3.6% në krahasim me vitin 2011. Sfida të tjera që janë pamjaftueshmëria e sistemit juridik, nivelet e larta të korrupsionit dhe një popullsi në plakje. Të tilla problematika mund të shkaktojnë edhe më shumë makth ekonomik, ndarje politike e trazira sociale, sikurse kanë ndodhur jo pak herë në këta 10-15 vjetët e fundit. Si rregull, situata të tilla kanë shërbyer apo janë shfrytëzuar për të rritur dozat e nacionalizmit në politikën e jashtme.
Tej udhëkryqeve
Fenomene të tilla siç përjeton Serbia, i kanë përjetuar më parë edhe vende të tjera të ngjashme në pikëpamje gjeostrategjike. Por e kanë gjetur rrugën e duhur përmes komunikimit e bashkëpunimit. Në këtë frymë, një dialog shpresëdhënës është nisur e po zhvillohet midis kryeministrave të Serbisë e Kosovës. Fakti që ky dialog zhvillohet nën kujdestarinë e BE-së do të thotë shumë. Në fund të fundit, rruga e prosperitetit ekonomik që frymëzohet e mishërohet nga BE-ja nuk mund të mos ketë rrjedhime edhe në fushat politike e të sigurisë, ku udhëkryqi serb është edhe më dyshues. Ndërkohë Kryeministri i Shqipërisë pritet të vizitojë Beogradin – një mesazh tjetër i frymës së re të bashkëpunimit që synon të lërë prapa sjelljen tipike ballkanase të përjashtimit e të konfrontimit.
Problemi i Serbisë, por edhe i aktorëve të tjerë ballkanikë që lidhen me të, nuk janë udhëkryqet në vetvete, as zhdukja e tyre nga harta fizike, por krijimi i një harte mendimi e vlerash tej udhëkryqeve. Në të mirë të vetë Serbisë, ashtu si edhe të gjithë vendeve të rajonit përreth saj e më gjerë, është shndërrimi i udhëkryqit tradicional në një trafik sigurie e prosperiteti, në një nyje të shëndetshme komunikimi me tërë vendet e popujt e shumëvuajtur të rajonit. Ka ardhur tashmë koha që Serbia dhe ballkanasit përgjithësisht, të ndërgjegjësohen përfundimisht se ekuilibri i Ballkanit nuk mund të jetë monopol i askujt dhe se janë kufijtë e varfërisë që na ndajnë nga Europa, jo kufijtë politikë. Perspektiva e integrimit në Bashkimin Europian siguron si paqen, edhe sigurinë, edhe stabilitetin. Përpara sesa qeveritarët, këtë prirje të natyrshme e kanë kuptuar vetë popujt. Populli i Ukrainës p e dëshmon këtë. Pa kuptuar këto vlera, koha do të rezervojë vetëm udhëkryqe.