Në sfidën e parë të prodhuar nga goglat, Bajerni i Mynihut do të sfidojë Barcelonën, me ndeshjen e parë që do të zhvillohet në “Allianz Arena”.
Brenda do të luajë në gjysmëfinalen e vajtjes edhe gjermania e dytë, Borusia e Dortmundit, e cila “peshkoi” Realin e Madridit, skuadrën që la pas në fazën e grupeve, pas një fitoreje dhe një barazimi në ndeshjet direkte.
Gjithashtu, në Zvicër u mbajt edhe shorti për gjysmëfinalet e Europa League, ku bie në sy fakti se të katërt ekipet e “mbijetuara” i përkasin shteteve të ndryshme.
Kështu, Fenerbahçe e Benfica do të përplasen kokë më kokë për një biletë të finales së Amsterdamit, ndërsa Chelsea, fituesja e fundit e Champions League, pati një short në dukje më të lehtë, ndaj zviceranëve të Bazelit.
Ndeshjet gjysmëfinale të Champions do të zhvillohen në datat 23-24 prill (një ditë më pas për Europa League) dhe 30 prill e një maj.
Barcelona dhe Reali i Madridit nuk i pranojnë rolet e favoritëve që rivalët e tyre i veshën, në reagimet e menjëhershme pas mbajtjes së shortit për gjysmëfinalet e Champions League.
E midis trajnerëve dhe drejtuesve të secilës skuadër, në secilën prej deklaratave të tyre, të vetmet shprehje që mbizotërojnë janë ato të respektit, por edhe besimit tek mundesia e suksesit ne “Wembley”.
Hoennes, president i Bajernit: Barça ekipi për t’u mundur, në finale dua Borusian
”Nuk jam dakord me ata që thonë se Barcelona nuk është më aq e fortë sepse ka pasur vështirësi ndaj dy rivalëve të fundit që ka ndeshur, për më tepër aspak të lehtë. Barça mbetet ekipi për t’u mundur në Europë, por ne kemi besim në shanset tona. Nëse kualifikohemi në finale do të shpresoja për një finale gjermane, pasi besoj se ndaj Dortmundit, kemi një stil loje që na jep më shumë shanse për fitore se ndaj Realit”.
Zubizarreta, drejtor futbolli i Barcelonës: Luajmë me të njëjtin stil si gjithmonë
“Është një gjysmëfinale emocionuese, ndaj dy ekipeve të mëdha, me dy stile të ndrushme loje. Nga ana jonë, ne do të përpiqemi të bëjmë atë lojë që dimë të bëjmë më mirë dhe që na pëlqen më shumë. Një finale në një stadium të mrekullueshëm si “Wembley”, është një arsye më shumë për të kërkuar me ngulm këtë finale, përballë kujtdo që të jetë ajo”.
Jurgen Klopp, trajner i Borusias: Realin e kemi mundur, dimë si ta bëjmë përsëri
“Jam i kënaqur që pritja përfundoi dhe tashmë e dimë se kundër kujt do të luajmë. Kjo do të na japë mundësi që tashmë të përqendrohemi. Nuk ka nevojë që të theksoj se sa rival i vështirë është Reali, por nga të tre kundërshtarët e tjerë të mundshëm në gjysmëfinale, është e vetmja skuadër që në këtë sezon kemi arritur ta mundim. Është diçka e mirë që e njohim kundërshtarin dhe e dimë se si mund ta mundim”.
Emilio Butragenjo, drejtor sportiv i Realit: Nuk do të jetë si në grupe
”Ndiejmë një respekt të thellë për Borusian, një skuadër që luan një futboll tërheqës dhe të cilën nuk e kemi mposhtur dot në dy raste në këtë sezon. Megjithatë, shpresojmë që këtë herë të jetë ndryshe nga faza e grupeve dhe që në finalen e “Wembley” të arrijë të shkojë Reali”.