Sokol Paja/
New York, 22 Dhjetor 2022 – Unionin e Gazetarëve Shqiptarë në bashkëpunim me Federatën Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA nderuan Dalip Grecën, Editorin e Diellit (2009-2021), Pas Vdekjes, me çmimin “Karriera”. Në një mbrëmje të veçantë nderimi e vlerësimi në Selinë Qëndrore të Vatrës, me pjesëmarrjen e shumtë të familjarëve, drejtuesve kryesorë të Vatrës, miqve, bashkëpunëtorëve, veprimtarëve të komunitetit e
vatranëve nga disa shtete të Amerikës, u kujtua me nderim, respekt dhe vlerësim puna dhe kontributi i Dalip Grecës në median shqiptare dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Çmimi “Karriera” iu dha Dalip Grecës me motivacionin: “Gazetar i njohur me një kontribut të shquar në shtypin e shkruar shqiptar të më shumë se katër dekadave të fundit. Me një këmbëngulje dhe pasion të vullnetshëm, la në koleksionin e gazetave vendore dhe kombëtare si dhe ndërkombëtare, materien e pasur shkrimore në disa zhanre të gazetarisë. Raportimet, shkrimet, intervistat dhe investigimet memorialistike të tij, përbëjnë një pasuri profesionale në shtypin shqiptar në tërësi. Kontributi si Editor i “Dielli ” të Vatrës është kulmi i kontributit të tij në diasporë dhe në publicistikën shqiptare”.
Agim Rexhaj, Presidenti i Nderit të Vatrës në fjalën e tij ndër të tjera tha: “Na mungon shumë Dalip Greca. Ai familjarisht u përkujdes për Vatrën e për Diellin. Ai na deshi shumë të gjithëve. Në zemrat tona do të jetë përjetë”. Sekretarja e Vatrës Nazo Veliu në fjalën e saj tha se Dalip Greca ishte gazetar profesionist dhe trim. “Sot i themi Dalipit dhe familjes së tij mirënjohje pa kufi për kontributin, rolin e tij në gazetari dhe përkushtimin ndaj komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Puna e Dalipit ishte heroizëm. Ai çoi zërin atje ku i dhëmb Shqipërisë e shqiptarëve” tha zonja Veliu. Dr. Pashko Camaj kujtoi në fjalën e tij se Dalip Greca la gjurmë të pashlyeshme për median dhe kombin tonë.
Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha para të pranishmëve tha se “Është nder dhe privilegj që punuam me Dalip Grecën. Ai me punën e tij la gjurmë të jashtëzakonshme në Vatër e tek Dielli. S’do ta harrojmë kurrë” u shpreh z.Berisha. Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë z.Aleksandër Çipa në fjalën e tij e cilësoi Dalip Grecën si një “Personalitet i shtypit të shkruar. Një gazetar dhe njeri që mishëronte dhe unifikonte në shtyp inteligjencën shqiptare dhe qasjet plurale. Ishte bashkëpunëtor dhe gazetar i shkëlqyer për gjithë gazetarët nga krejt hapësira shqiptare. Kontributi i gjatë i tij në gazetarinë memorialistike dhe atë historike ishte i veçantë. Dalipi do jetë një emër i dashur për emrat që do vijnë në media dhe kryesisht studentët e gazetarisë. Ai bëri një punë madhështore për koleksionin e Diellit” tha ndër të tjera Z.Çipa.
Në përfundim të ceremonisë së dorëzimit të çmimit “Karriera”, z.Çipa i dhuroi familjes Greca dy albume me këngë dhe recitime: “Këngët e atdheut tim” dhe “Recitime nga krijimtaria e Lefter Çipës” përgatitur nga “Nderi i Kombit” Bujar Asqeriu. Në emër të familjes Greca, falenderoi vajza e Dalipit Alma Greca Sharka e cila mes lotësh shprehu mirënjohjen dhe falenderimin familjar për respektin e vlerësimin që iu bë babait, Dalip Greca.
Përgjatë katër dekadave në gazetari, Dalip Greca ka lënë gjurmë të pashlyeshme në shtypin e shkruar dhe mediat televizive në Shqipëri, trevat kombëtare shqipfolëse dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke promovuar gjuhën shqipe, kulturën, historinë, identitin kombëtar dhe çështjen shqiptare. Dalip Greca si gazetar dhe drejtues mediash, kultivoi një stil të veçantë dhe i dha përparësi qëmtimit të fakteve historike, figurave të harruara historike dhe gazetarisë dokumentare dhe arkivore. Dalip Greca ishte gazetar i guximshëm, kurajoz në trajtimin e temave të vështira, i ndershëm në trajtimin e fakteve e provave në gazetari, ishte menaxher i shkëlqyer dhe frymëzues për brezat e gazetarëve të rinj shqiptarë.
Dalip Greca kishte durim dhe maturi të spikatur në trajtimin e problemeve publike në të gjitha mediat ku kontribuoi si gazetar dhe drejtues mediash.
Ky vlerësim është një mirënjohje për trashëgiminë e shkëlqyer mediatike, qytetare dhe komunitare që Dalip Greca na la pas largimit të tij në amshim.