-Presidenti Thaçi priti Vitin e Ri 2020 me ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë/
Prishtinë, 1 Janar 2020-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mbrëmë e ka pritur Vitin e Ri 2020 me ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.
Presidenti Thaçi me këtë rast uroi të gjithë ushtarët e FSK-së, të cilët ishin në detyrë.
Kreu i vendit me rastin e ndërrimit të moteve i përgëzoi ata për punën e shkëlqyer që e kanë bërë.
“Jeni krenaria dhe nderi i shtetit të Kosovës, i qytetarëve të Kosovës. Është një e arritur e jashtëzakonshme themelimi i Ushtrisë”, u shpreh presidenti.
Ai më tej tha se si president i vendit, por edhe Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës ndihet shumë krenar kur qytetarët e Kosovës festojnë në Kosovën e lirë, të pavarur dhe sovrane, ushtarët e FSK-së janë krye të obligimeve dhe përgjegjësive për ruajtjen e territorit të Kosovës, kufijve të Kosovës, forcimit dhe avancimit të ushtrisë sonë në rrugëtim për NATO.
“Kam besim të fuqishëm se siç jeni institucioni më kredibil i shtetit të Kosovës, në këtë rrugëtim do jenë edhe institucionet tjera”, u shpreh presidenti derisa i uroi ata personalisht, familjet e tyre dhe të gjithë qytetarët e vendit që të realizojnë të gjitha objektivat, dëshirat dhe vullnetet.“Për vitin e ardhshëm besoj fuqishëm se do jetë edhe më i suksesshëm sesa ky vit, e gjithmonë ju do jeni në krye të përgjegjësive dhe obligimeve dhe të jeni të sigurt se do ta keni gjithmonë shtetin afër jush dhe mbështetjen e vazhdueshme që me të vërtetë të jeni ushtri moderne, ushtri e standardeve perëndimore qysh jeni, dhe të jeni në krye të misioneve humanitare, paqësore edhe në Kosovë, edhe në rajon, edhe kudo në botë”, ka theksuar ai.Presidenti Thaçi një falënderim të veçantë u tha atyre për angazhimin jashtëzakonshëm, rekord dhe shumë profesional me rastin e tërmetit në Shqipëri./b.j/
Kryeministri në detyrë Haradinaj: FSK është krenaria e të gjithëve
Prishtinë, 31 dhjetor 2019/
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në vazhdën e vizitave të sotme, në prag të Vitit të Ri e përmbylli me vizitën në Forcën e Sigurisë së Kosovës
Me këtë rast kryeministri në detyrë Haradinaj u shpreh se qëllimi i shkuarjes në FSK ishte për t’ua shprehur atyre respektin dhe falënderimin që edhe sonte në natën e Vitit të Ri, janë në punë.
“Qëllimi i ardhjes është të ju falënderojmë dhe shprehim respekt për ju dhe gjithë kolegët e juaj që janë në punë në çdo kohë, por sot veçanërisht për ata që janë në detyrë e nuk mund të jenë bashkë me familjet e veta dhe t’iu them që krenohemi me ju me ushtrinë tonë. Njëkohësisht si ushtri e jona që jemi ne i shprehim falënderim ushtarëve të NATO-s që shërbejnë në Kosovë, i dërgojmë përshçndetjet më të mira komandantit të KFOR-it këtu, komandantëve të brigadave”, u shpreh kryeministri në detyrë Haradinaj.
Ndër tjerash, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se ajo që na bën krenarë është që vërtet FSK-ja e ka besimin e të gjithëve pa dallime por edhe respektin e besimin e aleatëve të ushtrivë të botës, të miqve që kur vijnë tek ne në takime i thonë fjalët më të mëdha për ju.