Në kujtim të 120-vjetorit të lindjes të atdhetarit të shquar dhe kryetarit të VATRËS për shumë vite, VASIL PANIT/
“Vasil Pani ka qëndruar kurdoherë në krye të taborit të shqiptarizmës”.- Fan Noli/
Nga Anton Çefa*/
Vasil Pani u lind në vitin 1895 në fshatin Dardhë të Korçës në një familje të fisnikëruar nga shqiptarizma e shenjtë e Rilindjes sonë kombëtare. Si shumë dardharë të tjerë, edhe Vasili me babanë e tij, patriotin Josif Pani, për arsye ekonomike emigruan në SHBA. Atëherë Vasili porsa kishte shkelur në të dymbëdhjetat. Qe tamam viti 1907, kur në saje të përpjekjeve të përfaqësuesve të mëdhenj të lëvizjes patriotike e demokratike shqiptare të dhjetëvjetëshit të parë të këtij shekulli, dardharit Sotir Peci, mësuesit martir Petro Nini Luarasi dhe kolosit Fan Noli, u themelua shoqëria “Besa – Besë” në Boston. Bashkë me dardharë të tjerë, në krah të kësaj tresheje madhore u vu edhe babai i Vasilit, Josifi, për të mos iu ndarë asnjëherë veprimtarisë patriotike, së cilës ai iu përkushtua jo vetëm si një emigrant i thjeshtë, por edhe si një intelektual i përgatitur.
Nën drejtimin e Josif Panit, nga shtatori i vitit 1917 deri në mars të 1918-s, në Worcester Mass., doli gazeta e përdyjavshmë politike e shoqërore “Sazani” në shqip dhe anglisht, e cila bëri një propagandë të gjerë për çështjen kombëtare, dhe i shërbeu bashkimit të shqiptarëve të Amerikës rreth Federatës Panshqiptare Vatra. Vetë titulli i gazetës është aqkuptimplotë: Sazani, ishulli më i madh shqiptar, është një nga viset tona që ka bartur më shumë peshën e rëndë të robërisë së huaj. Ai ka qenë i pushtuar nga venedikasit, turqit, anglezët, grekët, italianët dhe gjermanët.
Kur në vitin 1911, ende pa u formuar VATRA, shoqata “Besa-Besën” hapi një fushatë për të ndihmuar Shkollën Normale të Elbasanit, Vasili 15-vjeçar dhuroi një dollar, të mbledhur pak nga pak me kujdesin fëminor, duke dëshmuar zjarrin atdhetar që i ndizej në gji dhe ndjenjën e fuqishme të dashurisë për arsimimin e breznive të reja shqiptare.
Në vitet 1912-1914, bashkë me disa të rinj emigrantë, Vasili shkoi në Shqipëri për të luftuar me armë në dorë për mbrojtjen e Atdheut, dhe u rreshtua në çetën e luftëtarëve të kryesuar nga patrioti i madh Themistokli Gërmenji, e cila vepronte në krahinën e Korçës, në fillim kundër pushtuesve osmanë, dhe më vonë kundër grekëve dhe tradhtarëve vendas, që ishin në shërbimm të të huajit.
Me t’u kthyer në Amerikë, më 1914, ai vihet në dispozicion të Vatrës. Zgjidhet anëtar i Këshillit; pak më vonë, sekretar i Federatës dhe, më 1929, kryetar. Nga ky vit deri më 1936 dhe nga viti 1938 deri më 1946, Vasili qe kryetar i këtij institucioni, më i lavdishmi i shqiptarëve të Amerikës; dhe ia kushtoi asaj pjesën më të madhe të kohës së tij. Restorantin e vet në East Camberbbridge. Mass., Vasili e kishte bërë qendër të grumbullimit të shqiptarëve, ku bisedohej për hallet e Shqipërisë. Më të drejtë është thënë: “Ky restorant kishte vlerat e një instituti kombëtar”. Idealit atdhetar, Vasili i shërbeu edhe me shkrime.
“Dielli”, më 11 shtator 1936, shkruan: “Për zotin Pani çështja shqiptare ka qenë një fe mbi të cilën është falur që në kohën që erdhi në moshën të kuptojë. Dëshira dhe ambiciet e Vasilit kanë qenë: t’i shërbejë Atdheut, të bëjë sakrifica, të qenurit gati të mbrojë çështjen kombëtare. Ka çmuar më tepër pasurinë morale që rrjedh nga miqësia dhe vëllazërimi midis shqiptarëve se sa pasurinë materiale.”
Vasil Pani vdiq papritmas në vitin 1947 dhe u varros me nderimet më të mëdha nga diaspora e shqiptarëve të Amerikës. Me këtë rast, “Dielli” shkroi: “Vatra po të mos kishte qenë Vasili mund të kishte vdekur me kohë. Këtë e thonë miqtë e Vasilit dhe e pranojnë kundërshtarët e Vatrës.” Dhe: “Me vdekjen e Vasil Panit, Shqipëria humbet një burrë besnik, Vatra një figurë të shquar . . .”
Vatranët do të përulen gjithnjë me mirënjohje para kujtimit të ish-kryetarit të tyre të nderuar dhe të gjithë shqiptarët e Amerikës do ta kujtojnë me respekt emrin e këtij patrioti dhe veprimtari të palodhur, që siç e ka cilësuar Noli “ka qëndruar kurdoherë në krye të taborit të shqiptarizmës. Kurdoherë i pari në kishën kombëtare që në krijimin e saj si edhe në Vatrën.”
*Ribotim i redaktuar dhe i plotësuar
* Ne Foto:Ate e bir, Josif e Vasil Pani