Një koncert madhështor kushtuar Nënë Terezës u mbajt në “Basilica di San Paolo Fuori le mura”, në Vatikan, ku interpretuan artistët shqiptarë më të njohur në mbarë botën./
Vatikani është shndërruar në qendrën shqiptare kur ka mbledhur yjet më të rëndësishëm të trojeve tona dhe elitën politike në koncertin e madh në “Basilica di San Paolo Fuori le mura”. Në vigjilje të shenjtërimit të Nënës Terezë, njëkohësisht 19 vjetorit të shuarjes së saj.
Në fjalën e tij hyrëse, imzot Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës dha një historik poetik për jetën dhe veprimtarinë e Nënë Terezës.
Rita Ora dhe Lorik Cana zgjodhën që përshëndetjen e parë për të pranishmit ta bëjnë në shqip, në gjuhën që ushtoi në Bazilikën e Shën Palit.
“Ave Maria” me zërin e magjishëm të Inva Mulës ishte mirëseardhja muzikore. Baritoni Gëzim Myshketa interpretoi “Libera Me”.
Një ndërthurje mes muzikës dhe narracionit të vargjeve të murgeshës së të varfërve solli më pas Andi Bajgorën me vargjet “Take Time”. Virtuozi Shkëlzen Doli, solli në fillim tingujt “Meditation të Massenet”.
Në këtë festim të madh nuk mund të mungonte edhe “Buka e Engjëjve, Panis Angelicus nën zërin e Ramë Lahaj. Lum Veseli përcolli magji me narracionin e tij sërish në gjuhën shqipe të vetë vargjeve “Gjithmonë kam në zemër” të vetë Nënës Terezë.
Rita Ora ishte shndërruar. Në pamjen e një katolikeje në një ndër bazilikat më të bukura artistikisht, ajo interpretoi simbolin “What Child is this”. Nën orkestrimin e Shpëtim Saracit.
Producentja Dijana Toska ja doli të bënte bashkë më shumë shqiptarë se asnjëherë në selinë e shenjtë për një shenjtore.
Sërish, Inva Mula finalizon himnin e Nënë Terezës “Vals Hyjnor”, me fjalët “Lamtumirë” që murgesha e të varfërve i shkroi në vitin 1928. Të ardhura nën kompozimin e Genc Tukiçit.
Kjo nuk ishte një lamtumirë, por një përkatësi më shumë, që Nënë Tereza, është e jona. Dhe kjo magji ishte e gjitha në Top Channel në transmetimin dhe mbështetjen mediatike.(Top Channel)
***
Në koncert eshte degjuar dhe duartrokitur edhe himni i Nënë Terezës “Valsi Hyjnor” me muzikë të Lorenc Antonit e me vargjet e poezisë “Lamtumirë” të shkruar nga Nënë Tereza gjatë udhëtimit të saj nga Irlanda në Kalkutë. Himni u këndua nga soprano Inva Mula e shoqëruar nga Filarmonia dhe kori i Kosovës me orkestrant nga Shqipëria e Maqedonia.
Pjesëmarrës në këtë aktivitetet ishin emra të njohur të muzikës botërore si këngëtarja me origjinë nga Kosova, Rita Ora, sopranot e famshme, Inva Mula, Ermonela Jaho etj. Zyrtarët thanë gjithashtu se presin që në koncert dhe në shenjtërimin e Nënë Terezës të ketë një numër të lartë shqiptarësh.
Ndërkohë, Këngëtarja Rita Ora ka kënduar së bashku me tenorin Saimir Pirgu këngën “What Child is This”. Nga ana tjetër, këngëtarja Ermonela Jaho ka kënduar himin “Panis Angelicus” (Bukë për engjëjt), një liturgji e shkruar nga Shën Tomazo d’Aquino.Shenjtërimi – Mbahet në Vatikan koncerti për nder të Nënë Terezës
Kosovë-Presidenti Thaçi në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan
Prishtinë, 3 Shtator 2016-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për në Selinë e Shenjtë në Vatikan, ku do të marrë pjesë në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë.
Për nder të humanistës shqiptare, sonte në Selinë e Shenjtë do të mbahet edhe koncerti “Himni i Nënës Terezë”, ku do të marrin pjesë artistë të njohur botërorë.
Ndër solistët e njohur që do të përformojnë në këtë koncert janë edhe dy artistet shqiptare, Rita Ora dhe Inva Mula. Kurse futbollisti shqiptar, Lorik Cana, do të recitojë poezinë e “Nënës Terezë”.
Ceremonia e shenjtërimit të Nënës Terezë do të mbahet nesër dhe pjesë e saj do të jenë rreth 100 mijë besimtarë, si dhe liderë e personalitete të shumta botërore.
Pas ceremonisë së shenjtërimit, presidenti Thaçi në mbrëmje do të jetë i pranishëm edhe në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë.
E dekoruar me çmimin Nobel për Paqe më 1979, Nënë Tereza u lumturua nga Papa Gjon Pali më 2003, pasi që Selia e Shenjtë kishte pranuar se falë ndërhyrjes së mbinatyrshme të saj, Nënë Tereza kishte shëruar një grua indiane.
Më 17 dhjetor 2015, Papa Françesku ia njohu Nënës Terezë edhe mrekullinë e dytë, gjegjësisht shërimin e jashtëzakonshëm të një të riu brazilian, që ka ndodhur më 9 dhjetor 2008.
Njohja e mrekullisë së dytë nga Selia e Shenjtë i hapi rrugë shenjtërimit të humanistes shqiptare.