Sokol Paja/
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra festoi me nderim e madhështi 110 vjetorin e saj në një festë të jashtëzakonshme të filluar me Konferencën Shkencore Ndërkombëtare, Darkën Gala dhe Ceremoninë e Dekorimeve nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta në nderim të veprimtarisë së shquar atdhetare e patriotike të shqiptarëve në mërgatën e Amerikës. Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha deklaroi për të pranishmit se Vatra do të vazhdojë t’u prijë proceseve dhe punëve të mira në dobi të çështjes kombëtare e të mirës së komunitetit shqiptar në Amerikë. “Themeluesit e formuan Vatrën me një qëllim të vetëm; për të bashkuar forcat intelektuale, fuqitë materiale dhe njerëzore kombëtare për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë dhe kombit shqiptar në përgjegjësi. Me shumë mund e sakrifica ia arritën të mbrojnë interesin kombëtar dhe mbi të gjitha të mbrojnë kufinjtë e Shqipërisë. Për 110 vite më radhë Vatra nuk ndaloi së punuari dhe asnjëherë nuk rreshti duke i dalë për Zot shqiptarëve të kudo ndodhur. Vatra ishte suporti kryesor në formimin e shtetit të parë shqiptar dhe vazhdoi me kontributin e saj në të gjitha proçeset e ndërtimit të shtetit shqiptar në 110 vite ekzistencë. Gjithashtu Vatra dha një kontribut tejet të vyer edhe në formimin e shtetit më të ri në botë, ” Kosovës” që sot gëzon lirinë dhe pavarësinë e saj” tha nder te tjera kryetari Berisha. Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta Deklaroi se: “Në këtë ditë të bekuar të 110-vjetorit të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, që përkon me Ditën e Çlirimit të Kosovës, jam shumë i lumtur të marr pjesë në Neë York në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “VATRA – 110 vjet në shërbim të Atdheut dhe kombit shqiptar”. Mirënjohje përpjekjeve shekullore të vatranëve për të shpëtuar kombin shqiptar, mbrojtur dhe promovuar identitetin tonë kombëtar europian, mundësuar pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe përshpejtuar proceset tona demokratizuese dhe integruese. Të gjithë së bashku të shumëfishojmë përpjekjet për të përshpejtuar zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë dhe Kosovës, nxitur investimet e huaja, dekurajuar fenomenin tragjik të shpopullimit të trojeve shqiptare dhe forcuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin strategjik me SHBA. Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane dhe kombin tone” tha ndër të tjera z.Meta. z.Mark Gjonaj – ish Këshilltar Bashkia e New York tha se kjo ditë e shënuar është një shpresë dhe reflektim për të punuar më shumë për të mirën e kombit shqiptar, për komunitetin shqiptar dhe për të ardhmen e brezave që vijnë. Prof. dr. Nikolla Pano në fjalën përshëndetëse të dërguar me këtë rast dhe të lexuar nga Editorja e Anglishtes Rafaela Prifti tregoi para vatranëve dhe të ftuarëve përpjekjet titanike që ka bërë Vatra në historinë e saj dhe mesazhet e fuqishme që vijnë prej Vatrës në këtë ditë të ditëlindjes së saj. Shkëlqësia e Tij Z.Ferit Hoxha – Ambasadori i Përhershem i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara ndër të tjera theksoi rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit dhe nevojën e forcimit të bashkëpunimit të vazhdueshëm të të gjitha institucioneve shtetërore në Kosovë e Shqipëri me diasporën në Amerikë me qëllim forcimin e kombit tonë. Z. Agim Rexhaj – Presidenti i Nderit të Vatrës foli rreth përpjekjeve që Vatra ka bërë për lirinë e Kosovës dhe u ndal te veprimtaria heroike e familjes Jashari, Haradinaj e presidenti historik Doktor Ibrahim Rugova. Z.Lulëzim Krasniqi – Konsull në Konsullatën e Kosovës ne New York u shpreh rreth rëndësisë historike që ka luajtur Federata Vatra në ndihmë të lobimit dhe rolit të jashtëzakonshëm për çlirimin, pavaresinë dhe lirinë e Kosovës. Z. Talat Xhaferi – Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë se Veriut në fjalën e dërguar me këtë rast i shprehu mirënjohje e falenderim Federatës Vatra për gjithçka që ka bërë e vazhdon të bëjë për Shqiptarët në viset shqipfolëse e mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.