Nga Ramazan Çeka
Për flamurin kuq e zi,
Për të shtrenjten Pavarsi,
Kudo ka shqiptar në botë,
Bashkë do bëhen sot e mot.
Në këto ditë të shënuara të Jubileut të 110-të të Pavarsisë së Shqipërisë dhe Festës së Famurit të Kombit Shqiptar, pata privilegjin të isha pjesë e delegatëve të degës së Vatrës në Michigan me të cilët udhëtuam së bashku për në New York, ku me 27 Nëntor, në Selinë e Vatrës në Southern Blvd The Bronx, do të zhvillohej simpoziumi shkencor kushtuar këtij jubileu, si dhe darka solemne e cila do kulmonte me një mbrëmje madhështore në të cilën merrnin pjesë me qindra patriot shqiptarë.
Në delegatët e Degës së Michiganit kryesonin Nën Kryetari i Vatrës z. Alfons Grishaj, z. Mondi Rakaj Drejtor dhe Kordinator i Vatrës, z. Kolec Ndoja Kryetar i Këshillit të Vatrës, z. Rafael Floqi gazetar i ALBTVUSA dhe unë që isha i ftuar nga miku im i çmuar Mondi Rakaj, drejtor për Degët e Vatrës në Amerikë e Kanada dhe përgjegjës për kordinimin, zgjerimin dhe lobimin e saj.
Pasi lamë takimin në orën 3 të mëngjesit me këtë grup personalitetesh të shquar të Vatrës u nisëm nga Michigani për New York. Një udhëtim i gjatë por i paharruar për të gjithë ne, ku veç rëndësisë së detyrës dhe emocioneve të festës, gjatë gjithë udhëtimit u diskutua mbi gjëndjen aktuale në Shqipëri dhe sidomos në Shkodër e Malësi, pasi shumica nga ne vinim nga ato vënde, e meraku i tyre për vëndlindjen është kurdoherë i pranishëm.
U diskutua shumë edhe për sfidat dhe sukseset aktuale të kësaj dege të “Perandorisë së Shqiptarëve të Amerikës” – Federatës Pan Shqiptare “Vatra”. Një diskutim me të vërtetë mbreslënës për nga serioziteti, oratoria, siguria, mençuria dhe vlerat e përgjegjsisë institucionale, që këta personalitete mbartnin në formimin e tyre intelektual. Ndër ta dy shkodranë të spikatur për nga vlerat dhe qytetarë të rafinuar për nga kultura dhe integriteti i tyre bashkëkohor.
Sapo kemi mbërritur në New York, vetë Kryetari i “Vatrës” z. Elmi Berisha dhe Besim Malota, me një respekt dhe konsideratë të veçantë kishin rezervuar një darkë mikpritëse tepër bujare tek Restorant “Çakorri”, ku ndër të pranishmit ishte edhe z.Irfan Hysenbelliu, biznesmen i fuqishëm dhe drejtor i News 24, me të cilin pata nderin të shkëmbeja biseda dhe informacione nga bota e medias.
Bujaria mikpritëse e ktheu këtë sofër në një natë feste tejet të gëzueshme, ku atmosfera dukej se kish bashkuar zemrat e shumë patriotëve shqiptar.
Të nesërmen u mbajt konferenca shkencore me pjesëmarjen e dhjetra akademikëve dhe studiuesëve të shquar të Vatrës e jo vetëm, të cilët sipas programit, njëri pas tjetrit, u ngjitën në foltore për të mbajtur ligjëraten e tyre shkencore të përgatitur enkas për këtë jubile.
Ndër ta Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha, Nën Kryetari i Vatrës z.Alfons Grishaj, z. Beqir Meta, z. Bernard Zotaj, z. Muharrem Dezhgiu, z. Fran Shkreli, z. Paulin Marku, znj. Marjana Bulku, z. Rafael Floqi, z.Sokol Paja, Kryeditor i gazetës “Dielli”, i cili drejtoi me shumë përkushtim konferencën, etj.
Kumtesat e tyre bënë që ky simpozium të bashkojë akademik shqiptarë në qëndrime e në mendime që lidhen me këtë festë përkujtimore kaq sublime.
Pas përfundimit me shumë sukses të kësaj konference, organizatorët shtruan edhe darkën solemne me pjesmarrje mbarë shqiptare, për nder të Flamurit tonë Kombëtar dhe Pavarsisë së Shqipërisë.
Me të mbërritur në destinacion, jemi ndeshur me një pritje vllazërore, të cilën vetëm ndër shqiptarë e ndeshim. Një organizim i jashtëzakonshëm ku të ftuar nderi ishin përsonalite të larta si: Ambasadori Frank Wisner, Konsulli i Nderit i Republikës së Shqipërisë në Michigan, z.Ekrem Bardha, Jim Xhema, Ish Kryeministri i Kosovës z.Avdulla Hoti, Deputeti i Parlamentit të Kosovës Driton Selmanaj, Harry Bajraktari, Bruno Selimaj, Elio Shametaj, Senatorja e New Yorkut Nathalia Fernandez, z.Mark Gjonaj, përfaqësues të Bashkisë së New Yorkut e shumë personalitete të shquara të politikës, të diplomacisë, të shkencës dhe botës së biznesit. Darkën e moderoi Dr. Pashko Camaj. Kontribut të madh në jetën kulturore, mediatiake e komunitare kanë gazetarët Adem Belliu Drejtor i Tv Albanian Culture, Beqir Sina dhe Dritan Haxhia.
“Vatra” u akordoi shumë figurave të shquara të patriotëve shqiptar mirënjohje e tituj nderi, me motivacione të pesonalizuara në kontribute të çmuara për çështjen e Atdheut dhe të Kombit.
Në këtë atmosferë festive të veshur kuq e zi, menjëherë pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar në skenë u ngjitën zërat më të njohur në komunitetin shqiptaro-amerikan, këngëtarët, Alberije Hadergjonaj, Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”, Barbana Dini, instrumentistët Argjend Lloga dhe Ndue Nika, të cilët me performancat e tyre plot frymë kombëtare, ndezën zemrat e të gjithë shqiptarëve.
Nata zgjati deri në orët e vona duke përmbushur me objektivitet qëllimin e këtij organizimi, ti bashkojë shqiptarët Jug e Veri, të gjithë bashkë për Shqipëri, pranë strehës së Vatrës, sot e në përjetësi.
Ramazan Çeka
New York, Nëntor 2022