
Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” dënon ashpër deklaratën fashiste të ministres serbe Snežana Paunović, se “po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.”
Një deklaratë e tillë është e papranueshme, e turpshme, e neveritshme, çnjerëzore dhe përbën glorifikim të krimit, gjenocidit dhe spastrimit etnik dhe të politikave gjenocidale që regjimi i Sllobodan Millosheviçit ushtroi ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Kjo retorikë urrejtjeje e kërcënimi është fyerje për mijëra viktima të luftës, familjet e tyre dhe qindra mijëra shqiptarë të dëbuar me dhunë nga trojet e tyre, por edhe një kërcënim për paqen, stabilitetin, pajtimin dhe sigurinë në Ballkan.
Lavdërimi, glorifikimi dhe justifikimi i krimeve serbe në Kosovë është i papranueshëm, i neveritshëm dhe i dënueshëm në çdo shoqëri të lirë e demokratike. Gjuha e tmerrshme e ministres serbe Paunović bie ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar Europa, Perëndimi e civilizimi njerëzor.
Federata VATRA u kërkon Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar të reagojnë me ashpërsi e vendosmëri ndaj çdo deklarate që promovon dhunën, krimin, urrejtjen etnike dhe që mohon ose justifikon krimet e Serbisë në Kosovë.
Heshtja përballë kësaj retorike të tmerrshme vetëm sa inkurajon gjenocidin, krimin e ekstremizmin e dhunshëm dhe rrezikon paqen e lirinë e fituar me gjak e sakrifica sublime.
Me indinjatë të thellë
Kryetari i Vatrës
Dr. Elmi Berisha