
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dënon ashpër incidentin e rëndë të ndodhur në aeroportin e Shkupit ku Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, u përball me një situatë të paprecedentë dhe në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare, Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, privilegjin e imunitetin diplomatik. Vatranët dhe shqiptaro-amerikanët shprehin indinjatën e tyre më të thellë rreth kësaj ngjarjeje fyese e të pa dinjitetshme. Një ngjarje e rëndë që cënon çdo shqiptar. Arroganca, trajtimi i padinjitetshëm dhe provokimi i pa shëmbullt nuk i përkasin civilizimit perëndimor dhe euro-atlantik. Vatra i bën thirrje autoriteteve në Shkup që të zbardhin sa më parë ngjarjen e rëndë dhe posaçërisht kërkon nga Uashingtoni dhe Brukseli hetime të thelluara rreth kësaj ngjarje të rëndë.
Ngjarje të tilla nuk i shërbejnë aspak fqinjësisë së mirë, integrimit dhe rrugës euroatlantike të Maqedonisë së Veriut.
Federata Vatra kërkon menjëherë prej autoriteteve shtetërore të Maqedonisë së Veriut që sulmi dhe trajtimi i parregullt i Presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, totalisht në kundershtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetëror, jo vetëm që duhet të dënohet nga bota demokratike perëndimore por shteti i Maqedonisë së Veriut duhet të kërkojë falje e nuk duhet ta përsërisë më kurrë këtë veprim të ndyrë e të paligjshëm.
I indinjuar
Kryetari i Vatrës
Dr. Elmi Berisha