Dielli/
New York, më 15 Nëntor 2021- Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe gazeta Dielli i shprehin mirënjohje të thellë dhe falenderim të përzemërt ish-editorit epokal të Diellit z.Dalip Greca për dhurimin e mbi 350 librave nga fondi i Bibliotekës personale për Bibliotekën Shkencore të Vatrës. Ky akt fisnik dhurimi është një pasurim i veçantë për Bibliotekën Shkencore të Vatrës duke u dhënë mundësinë shumë studentëve, studiuesve, hulumtuesve e kërkuesve shkencorë që të hulumtojnë në fusha të ndryshme si histori, media, letërsi, gjuhësi, lidership, shkenca politike, marrëdhënie ndërkombëtare etj. z.Dalip Greca meriton në çdo kohë mirënjohjen më të thellë prej vatranëve dhe komunitetit shqiptar për punën e shkëlqyer në Diell dhe Vatër për 12 vite. I shoqëruar nga ish-nënkryetari i Vatrës z.Asllan Bushati, z.Greca me dhurimin e bibliotekës personale tregoi edhe një herë dashurinë e besnikërinë për Vatrën e komunitetin duke dhuruar pasurinë e tij shpirtërore librat e çmuar në shërbim të komunitetit. Z.Greca gjatë punës së tij të mrekullueshme arriti të kalonte në shumë sfida duke pasur gjithmonë sukses dhe duke krijuar modele të shëndosha e të qëndrueshme si në Diell, në Vatër e në komunitetin shqiptar në USA. Mirënjohje dhe respekte kurdoherë për ju z.Greca.