
















Sokol Paja/
Queens, New York,10 Janar 2026 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra nën përkujdesjen e veçantë të familjes patriotike Kupi organizuan Simpozium Shkencor me rastin e 50 vjetorit të kalimit në përjetësi të nacionalistit të shquar të kombit shqiptar Major Abas Kupi. Aktiviteti shkencor e atdhetar u nderua me pjesëmarrjen e shoqatave kryesore patriotike të mërgatës së Amerikës dhe vatranëve të shumtë që vlerësuan Abas Kupin, personalitetin historik e kombëtar që bashkon e frymëzon të gjithë shqiptarët.
Mirëseardhjen pjesëmarrësve në Simpozium e uroi Sokol Kupi i cili vlerësoi lidhjen historike të Vatrës me Legalitetin dhe respektin e veçantë të Federatës për patriotin Abas Kupi. Kryetari i Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha theksoi në fjalën e tij se Abas Kupi mishëroi modelin e atdhetarit që nuk iu nënshtrua as okupatorit të huaj, as diktaturës ideologjike që do të pasonte, duke zgjedhur mërgimin si akt qëndrese dhe besnikërie ndaj idealeve të lirisë. Historia e Abas Kupit është historia e një njeriu që u përball me padrejtësi historike, me heshtje të qëllimshme dhe me deformime ideologjike, por që sot, falë studimeve serioze dhe rishikimit kritik të së kaluarës, po rikthehet në vendin që i takon në kujtesën kombëtare shqiptare, tha Dr. Berisha.
Prof. Nikolla Pano në fjalën përshëndetëse të lexuar nga gazetarja Rafaela Prifti shprehet se Simpoziumi dhe veprimtari e studime të tjera të kësaj natyre për rivlerësimin e Abaz Kupit përbëjnë një kapitull në vijimësi ende të papërfunduar të përpjekjeve të Shqipërisë për tu ballafaquar me të shkuarën komuniste.” Në rastin e Abaz Kupit fokusi duhet të jetë korrigjimi i shtrembërimeve të historiografisë të periudhës komuniste dhe propagandës që kanë synuar ta denigrojnë rolin e tij për shkak të opozitës të palëkundur nga ana e tij ndaj regjimit komunist të Shqipërisë edhe përtej vdekjes.
Studiuesi Eugjen Merlika në kumtesën “Abas Kupi, një figurë qendrore e Mbretërisë Shqiptare” lexuar nga Julika Prifti shprehet se Abas Kupi gjatë gjithë jetës së tij ka qënë besniku i prijësit të Matit e më vonë Mbret i Shqipërisë, Ahmet Zogut, i ngarkuar me detyra të ndryshme në lidhje me të gjitha kombëtare. Kështu mbasi Kongut të Lushnjës dhe vendosjes në të Qeverisë së dalë nga, me Sulejman Delvinën kryeministër të Ahmet Zogun, ministër të Brëndshëm, në trazirat që janë forcat e huaja në tokën shqiptare, si serbët në veri e në Tiranë dhe qeveria greke në korçë. Pothuaj në të njëjtën kohë në frontin e Koplikut vepron edhe një batalion vullnetarësh nga Kruja i komanduar nga Mustafa Kruja, që nuk ka ende një gjë të tillë dhe normalizua me përzënien e trupave të saj.
Gazetari Frank Shkreli në kumtesën “Abas Kupi i keqtrajtuar nga historia shqiptare” lexuar nga gazetari Ylli Dosku shprehet se Abaz Kupi ishte dhe mbetet njëri prej të mëdhejve të historisë shqiptare, sepse ai mbrojti nderin e kombit, u mundua për bashkim me të gjithë shqiptarët pa dallim ideologjie dhe bëri çmos për të mënjanuar luftën civile midis shqiptarëve. Si rrjedhim dhe për fat të keq Abaz Kupi ishte dhe mbetet edhe njeri ndër më të keqtrajtuarit prej historisë zyrtare nostalgjike komuniste, megjith rolin e tij si ushtarak dhe politikan nacionalist shqiptar, por jo vetëm.
Gazetari Gjekë Gjonlekaj në kumtesën “Domosdoshmëria e kthimit të eshtrave të Abas Kupit në Shqipëri” theksoi se Abas Kupi është figurë jashtëzakonisht e lartë kombëtare që u urrye për gjysmë shekulli. Ai apeloi për kthimin e eshtrave të Abas Kupit në atdhe dhe krahasoi familjen Kupi me familjet e shquara shqiptare të kohës së Skënderbeut si Topiajt, Muzakajt, Balashajt etj. Z. Gjonlekaj renditi rëndësinë, përmendjen dhe citimet e Abas Kupit në librat historik britanik dhe apeloi që akademikët e sotëm shqiptarë të rishikojnë arkivat britanike për të zbardhur të vërtetat historike jo vetëm të Abas Kupit por të të gjithë shqiptarëve. Abas Kupin e quajti Luani i veriut, ndërsa Enver Hoxhën, krokodili i Shqipërisë.
Historiani Prof.dr. Roland Gjini në kumtesën “Abaz Kupi dhe Lufta Antifshiste në Shqipëri” deklaroi se Abaz Kupi përfaqëson një nga figurat më të rëndësishme të luftës antifashiste në Shqipëri. Agresioni fashist mbi Shqipërinë në 7 prill të vitit 1939 dhe gjen Abaz Kupin me gradën ushtarake major me detyrë shtetërore si oficer xhandarmërie në Durrës. Ai së bashku me ushtarë e vullnetarë të tjerë u bënë një rezistencë për rreth 36 orë zbarkimin e ushtrisë italiane në portin e Durrësit, fakt i cili u mohua gjatë regjimit komunist në vitet 1944-1990. Edhe në vite e para pas rrëzimit të komunizmit justifikimi i historiografisë zyrtare për këtë mohim të rolit të tij në qëndrimin e 7 prillit justifikohej me faktin se, sipas tyre, ai thjesht bëri detyrën shtetërore. Po Mujo Ulqinaku, për të cilin ia vlen të ndërohet për aktin e tij heroik në qëndrimin e 7 prillit, a nuk ishte edhe ai ushtarak në detyrë? Edhe më tej, ende sot nga historiografia zyrtare shqiptare roli i Kupit në luftën antifashiste është i pa vlerësuar siç duhet. Qëndresa e Abas Kupit ndaj pushtimit fashist jo vetëm nuk u pa me sy të mirë, por bëri që ai të futej në listën e personave të kërkuar për t’u ndëshkuar nga okupatori. Për këtë Abaz Kupi u detyrua të largohet për në Stamboll të Turqisë. Ardhja e misionarëve anglezë në Shqipëri bëri që ai të kthehej në 7 prill të vitit 1941. Kthimi u realizua nga Jugosllavia me ndihmën e nacionalistit Muharrem Bajraktari. Me t’u kthyer në Shqipëri iu bashkua Frontit të Bashkuar të Rezistencës, së bashku me Gani Kryeziun, Xhemal Herrin, Mustafa Gjinishin dhe Muharrem Bajraktarin. Këtë datë të kthimit të tij si dhe frontin e krijuar albanologu Robert Elsie e ka cilësuar edhe si datë të themelimit të lëvizjes së rezistencës nacionaliste: Legalitetit. Më tej, sipas këtij autori, Abaz Kupi ishte një figurë kryesore në Konferencën e Pezës më 16 shtator të vitit 1942.
Prof.dr. Fejzulla Berisha në kumtesën “Abas Kupi, rishkrimi i historisë dhe vendosja në kujtesën kombëtare” lexuar nga luftëtari i lirisë Shpend Gjocaj shprehet se historia nuk është vetëm rrëfim i së kaluarës, por themeli mbi të cilin ndërtohet identiteti politik, moral dhe kombëtar i një shoqërie. Në rastin shqiptar, historia e shekullit XX – veçanërisht ajo e Luftës së Dytë Botërore dhe e pasluftës – u shndërrua në një fushë manipulimi ideologjik, ku e vërteta historike u sakrifikua në funksion të pushtetit. Një nga viktimat më të mëdha të këtij deformimi është Abas Kupi, figurë qendrore e nacionalizmit shqiptar, e rezistencës antitotalitare dhe e pluralizmit politik, i cili u përjashtua qëllimisht nga historia zyrtare.
Prof.as.dr. Bernard Zotaj në kumtesën “Abas Kupi, vendi dhe roli i tij në Shtabin e Përgjtihshëm të Ushtrisë” lexuar nga Veri Talushllari shprehet se Bazi i Canës, paraqet ndërthurjen e ushtarakut të karrierës me tiparet e një prijësi popullor. Nga përvoja e gjatë në ushtri i përngjan një ushtaraku të karrierës, nga natyra dhe mënyra se si u inkuadrua në radhët e saj, por afrohet më tepër me prijësin popullor. Në krye të efektivave të komanduara prej tij, me rreth deri në 1.000 luftëtarë, deri në Shtator 1943, kryen, në bashkëveprim me formacione të tjera të UNÇSH-së, disa luftime të suksesshme, si në Qafë Shtamë e në Krujë. Ishin këto disa hapa pozitive që i hapin prespektivën e një luftëtari dhe prijësi të shquar.
Prof.as.dr. Gëzim Mustafaj në kumtesën “Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare” lexuar nga av.Bashkim Musabelliu shprehet se Abas Kupi do të kujtohet si një nga ushtarakët më të rëndësishëm të rezistencës antifashiste dhe një mbrojtës i pandërprerë i idealit të një Shqipërie etnike të bashkuar nën kurorën mbretërore, duke kundërshtuar çdo formë të komunizmit. Te personaliteti i tij dukshëm u shfaq figura e prijësit ushtarak qëndrimi dhe lufta me armë kundër fashizmit deri në kapitullimin e Italisë. Këto veprime ai i bashkërendoi edhe me veprimtarinë luftarake të formacioneve partizane të Ushtrisë Nacional Çlirimtare.
Studiuesi Dr. Paulin Marku në kumtesën “Aktiviteti politik i Abas Kupit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës” deklaroi se Abaz Kupi ishte luftëtar, nacionalist dhe antikomunist. Atij iu besuan poste drejtuese të rendit dhe të sigurisë publike kombëtare, Krujë Vlorë e Durrës. Abaz Kupi ishte antikomunist që nuk u pajtua me regjimin e Enver Hoxhës dhe për të do të fillonte sfida e jetës në emigrim. Por ai nuk u dorëzua dhe as nuk u inkurajua por u aktivizua në jetën politike dhe ishte aktiv në drejtimin e Lëvizjes së Legalitetit duke bashkuar shumë antikomunist të larguar nga vendi që jetonin e vepronin nëpër shtete të ndryshme të Evropës dhe të Amerikës. Formimi i Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” me antikomunistë si Mit’hat Frashëri, Abaz Kupi, Zef Pali, Said Kryeziu, etj punuan për të ndërgjegjësuar opinionin publik dhe për të kundërshtuar publikisht nëpërmjet emisioneve radiofonike, gazetave e broshurave antikomuniste për të demaskuar regjimin e Enver Hoxhës që kishte internuar, burgosur e deri në eleminimin fizik të njerëzve që kundërshtonin regjimin. Po ashtu, punoi e veproi edhe pas largimit përfundimtar nga Evropa për në New York, Amerikë. Nëpërmjet Lëvizjes së Legalitetit veproi në Shtete të ndryshme të Amerikës dhe të Kanada, mori pjesë nëpër aktiviteteve dhe protesta organizuar kundër regjimin komunist. Sipas burimeve arkivore rezulton se Abaz Kupi ishte kundërshtar i komunizmit dhe nuk hoqi dorë kurrë nga aktiviteti politik dhe jeta aktive në komunitetin shqiptar për të kundërshtuar regjimin. Gjithashtu, ai ishte anëtarësuar në “Vatër” dhe merrte pjesë në aktivitete të ndryshme të komunitetit deri kur ndërroi jetë në 9 janar 1976 në New York, USA.
Gazetari Rafael Floqi në kumtesën “Abaz Kupi, Legaliteti dhe operacioni BGFIEND — Një pasqyrë kritiko-historike” lexuar nga Inva Kupi shprehet se Abas Kupi, ish-komandant i xhandarmërisë dhe figura kryesore e lëvizjes mbretërore, u bë simbol i rezistencës antikomuniste. Legaliteti —
themeluar si lëvizje për restaurimin e monarkisë — u shndërrua në bërthamën ideologjike të
emigracionit, me mbështetjen e shumë bashkëpunëtorëve, emigantë dhe simpatizantë. Historia para’44 dhe aktivitetet e tij gjatë luftës përbëjnë sfondin mbi të cilin ndërtohej besimi
për rivendosjen e një Shqipërie “me vlera perëndimore”.
Editori i Diellit Sokol Paja kishte kumtesën “Ceremoniali përkujtimor i Abas Kupit në faqet e gazetës Dielli”, ai u shpreh se nderimi për Abas Kupin është nderim për historinë kombëtare, dinjitetin dhe identitetin shqiptar.
Simpoziumin Shkencor e përshëndetën figura të shquara të komunitetit shqiptar në New York si Asllan Bushati, Tom Mrijaj dhe legalisti legjendar Ndrecë Gjergji. Gjithashtu, Bashkia Krujë dërgoi një përshëndetje për Simpoziumin Shkencor në nderim të Abas Kupit. Ceremonia patriotike përfundoi me vendosjen e kurorave me lule pranë varrit të Abas Kupit dhe me premtimin se historia, lavdia dhe trashëgimia e tij do t’u trashëgohet brezave të ardhshëm të patriotëve e atdhetarëve shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.