
Kryetari i degës së VATRËS në Boston, z. Mentor Maksutaj, pati një takim të ngrohtë dhe miqësor me dy drejtuesit e lartë të organizatës shqiptare MAASBESA. Z. Maksutaj, bashkë me sekretarin e VATRËS, z. Flamur Vezaj, si dhe vatranin z.Albert Maksutaj, u takuan me kryetarin e MAASBESA, z. Sokol Lushllari, dhe zv/kryetaren znj.Jorida Qirollari, duke i uruar ata për rizgjedhjen për dy vite të tjera në krye të organizatës shqiptare që kryen aktivitete në të mirë të komunitetit për më shumë se 18 vite.
Gjatë takimit, u diskutuan shumë tema të ndryshme për të mirën e komunitetit shqiptar në Massachusetts, dhe u konsensusua që organizatat shqiptare duhet të jenë të bashkuara dhe të kenë një zë para shtetit amerikan.
Në parim, VATRA dhe MAASBESA morën iniciativën për të mbledhur dhe takuar të gjitha organizatat shqiptare, në mënyrë që të mundësohet një takim me zyrtarët e qytetit të Bostonit dhe guvernatorin e Massachusetts në emër të komunitetit shqiptar.
Po ashtu, diskutuan për organizimin e një fushate për të mbledhur ndihma dhe për të dërguar ato në Shqipëri dhe Kosovë.
U diskutua edhe për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta për të mirën e komunitetit shqiptar në Boston gjatë muajve të ardhshëm, bashkë me shoqatat tjera shqiptare.
Në fund, por jo nga rëndësia u ra dakord që bashkimi i të gjitha organizatave shqiptare për festat kombëtare është shumë i rëndësishëm për të gjithë komunitetin tonë.