







Sokol Paja/
New York, 28 Nëntor 2022- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA në bashkëpunim me Bashkinë e New York, Zyra e Emigrantëve dhe mbështetjen e shqiptarëve të Amerikës ngritën solemnisht me nderim e madhështi Flamurin Kombëtar në New York. Kjo ceremoni u bë e mundur nga Ravesa Bajo e cila kishte filluar diskutimet me Kyrebashkinë e New Yorkut për një ceremoni të tillë muaj më parë kur ajo ishte emëruar nga Kryebashkiaku Adams si Drejtoreshë Exekutive e Iniciativave Politike dhe Projekteve Speciale për Zyrën e Kryetarit të Bashkisë për Cështjen e Imigranteve. Nën organizimin dhe prezantimin brilant të patriotes çame Ravesa Bajo, tingujve të magjishëm të muzikës tradicionale shqiptare dhe valleve të grupit artistik Rozafati udhëhequr nga koreografia Angjelina Nika (Mjeshtër i Madh), festa kuq e zi pushtoi New York-un. Ravesa Bajo në fjalën e saj ndër të tjera tha: “Me ngritjen e flamurit shqiptar në Kryebashkinë e New Yorkut, ne nuk festojmë vetëm sa shumë përparim kemi bërë si një popull dhe komunitet që mbijetuan sfida të shumta dhe regjimin komunist, por edhe festojmë dëshirën tonë të përhershme që të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen e ëndrrave tona”. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha në fjalën e tij u ndal te rëndësia historike e 28 Nëntorit dhe kontributi i Federatës Vatra në historinë e lavdishme të shtetit shqiptar. Ambasadore Floreta Luli Faber në fjalën përshëndetëse u shpreh se “Nju York është shtëpi për qindra mijëra shqiptarë, dhe ngritja e flamurit në Manhattan tregon miqësinë speciale midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Edhe gazetari Beqir Sina para të pranishmëve foli rreth rëndësisë së Pavarësisë së Shqipërisë dhe falënderoi një sërë veprimtarësh e patriotësh si Rake Ruci për flamurin shqiptar gjigant që u valvit në qiejt e New Yorkut.
Komisioneri Manuel Castro deklaroi për të pranishmit se “Qyteti Nju Yorkut feston me komunitetin shqiptar sot dhe gjithmonë. Ne jemi krenar që jemi shtëpia e dytë e një komuniteti kaq të fortë dhe kaq të madh. Gezuar pavarësinë, Shqipëri”- uroi z.Castro. Komisioneri Edward Mermelstein tha se “qyteti New Yorkut me nder feston për Shqipërinë dhe komunitetin shqiptar në Amerikë në ditën e Pavarsisë – rroft Shqipëria”. Komisioneri Edward Mermelstein, Zyra e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Bashkisë vlerësoi bashkëpunimin me trupin diplomatik shqiptar dhe përfaqësuesitë e ambasadave në New Jork.
Arthur Piccolo drejtori i shoqërisë Bowling Green deklaroi se: “Shoqëria e Bowling Green është e lumtur që merr pjesë në ngritjen e flamurit kuq e zi”. Komisioner Piccolo, shprehu mirënjohjen për punëtorët shqiptarë, emrat e te cilëve nuk i kishte shënuar dhe tani të pensionuar, që morën nismën për ngritjen e flamurit. Z. Piccolo veçoi Kryebashkiakn Adams si të parin që merr pjesë në ceremoni të tilla për çdo komunitet që jeton në New Jork. Organizuese e Njësive lokale administrative pranë zyrës së Komisionerit të Çështjeve për Emigrantët Lidia Dobi prezantoi Komisionerin Manuel Castro.
Komisioneri Castro tha se mëson çdo ditë e më shumë për komunitetet e New Jorkut dhe për atë shqiptar. Prezantoi Kryebashkiakun Eric Adams. Z. Adams, djali i të cilit është në Shqipëri me rastin e festimeve të pavarësisë, e quajti Nju Jorkun “kryeqytetin e shqiptarëve në Amerikë” me rreth 100,000 banorë shqiptarë, që mishërojnë moton e tij për të arritur rezultate në të gjithë sektorët e jetës këtu” citoi ndër të tjera z.Adams. Kryebashkiaku i cilësoi shqiptarët si një popull shumë punëtorë, sipërmarrës të suksesshëm, qytetarë të angazhuar dhe njerëz që gëzojnë respekt falë punës së tyre. Kryebashkiaku Eric Adams i dhuroi Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA një Proklamatë nderimi me rastin e 110 vjetorit të themelimit të Vatrës e 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha i dhuroi kryebashkiakut Adams një portret të heroit kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriotit dhe një portret të gdhendur më gurë dekorativ të shenjtores shqiptare Nënë Tereza. Më pas nën tingujt e hymneve kombëtare u zhvillua ngritja e flamurit kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Shqipërisë. Kjo ditë ishte një festë shumë e rëndësishme jo vetëm për kombin tonë por mbi të gjitha një traditë që ruhet, një mision që vazhdon dhe një miqësi e shenjtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin më të madh e më të rëndësishëm të kombit shqiptar.