
Sokol Paja/
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 100 flamuj kombëtarë, 20 abetare, 50 libra shqip, 50 gazeta Dielli e 100 flamuj amerikanë për nxënësit e shkollës shqipe “Zoja e Shkodrës” pranë Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York. Ky dhurim prej Federatës Vatra vjen në shenjë nderimi, vlerësimi e respekti për përkushtimin e punën e jashtëzakonshme edukative, patriotike, kulturore, sociale e atdhetare të mësueseve Liza Pëllumbaj, Anila Syku, famullitarit Dom Pjetër Popaj, Këshillit të Kishës, prindërve e nxënësve në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe kulturës kombëtare. Në ceremoninë e dhurimit zyrtarët e Vatrës sekretari Dr. Pashko Camaj, editori i Diellit anëtari i kryesisë Ilir Cubi shprehën vlerësim për punën plot pasion e profesionalizëm të mësueseve Liza Pëllumbaj e Anila Syku dhe garantuan se Vatra do të jetë një mbështetje e pakursyer për shkollën shqipe “Zoja e Shkodrës”. Si institucion arsimor e patriotik Shkolla shqipe “Zoja e Shkodrës” u themelua më 2017. Në këtë shkollë aktualisht mësojnë rreth 50 nxënës të ndarë në nivelin fillestar dhe nivelin e avancuar. Mësimi organizohet çdo të shtunë nga ora 12-2 pm. Mësuesja Anila Syku përmes gazetës Dielli apeloi për prindërit që të punojnë me fëmijët që të mos harrojnë e humbasin gjuhën e kulturën shqiptare por ta trashëgojnë këtë pasuri brez pas brezi pasi gjuha shqipe është identitet dhe krenari kombëtare. Më herët Federata Vatra ka shpërndarë flamuj kombëtarë, libra, abetare e gazeta Dielli edhe në shkollat shqipe New York, New Jersey, Philadelphia, Missouri, Connecticut, Florida etj. Në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” të premteve nga ora 6 -10 pm Grupi artistik “Rozafati” pranë kishës “Zoja e Shkodrës” udhëhequr nga koreografja Angjelina Nika (Mjeshtër i Madh) u mëson rreth 230 nxënësve shqiptarë valle shqiptare. Një punë fenomenale kulturore në shërbim të traditës dhe identitetit kombëtar. Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York prej dekadash denjësisht ruan e zhvillon gjuhën shqipe, kulturën kombëtare dhe identitetin shqiptar në çdo aktivitet. Kjo kishë si institucion kombëtar është shndërruar në një qendër të fuqishme fetare, patriotike, sociale, edukative, kulturore e atdhetare permes aktiviteve të shkëlqyera kulturore e atdhetare që rrezatojnë vlerat tona më të mira kombëtare shqiptare në mërgatën e Amerikë.