











Sokol Paja/
Massachusetts, 17 janar 2026 – Vatra Boston bashkoi shqiptarët në Massachusetts për në një festë atdhetare, kulturore e shpirtërore të ringritjes së Vatrës në Boston si histori, dinjitet, identitet e vlerë kombëtare e komunitare shqiptare. Moderatorja e eventit patriotik Dorjana Dhima pas hymneve kombëtare ftoi të pranishmit në një videoprezantim me arritjet dhe sukseset e Vatrës Boston përgjatë dy viteve, ngjarje që kanë bashkuar e promovuar shqiptarët në Boston.
Z.Mentor Maksutaj kryetari i degës së Vatrës në Boston në fjalën e mirëseardhjes u shpreh se kjo ditë nuk është thjeshtë një përvjetor në kalendar, por një dëshmi e gjallë e vazhdimësisë së një ideali, e përkushtimit ndaj identitetit tonë kombëtar dhe e dashurisë për atdheun, edhe larg tij.
“Vatra” ka qenë dhe mbetet një emër i shenjtë për shqiptarët në Amerikë. Ajo përfaqëson historinë, sakrificën dhe vizionin e patriotëve që, me penë dhe me vepra, hodhën themelet e vetëdijes sonë kombëtare, theksoi ndër të tjera z.Maksutaj. Rinisja e Vatrës në Boston, dy vite më parë, ishte një akt guximi, përgjegjësie dhe besimi në vlerat që na bashkojnë, u shpreh z.Maksutaj teksa shtoi se gjatë këtyre dy viteve, “Vatra” e Bostonit ka treguar se nuk është vetëm një organizatë me emër të madh, por një vatër e gjallë veprimtarie, dialogu dhe bashkimi. Është bërë një hapësirë ku gjuha shqipe, kultura, historia dhe traditat tona ruhen dhe përcillen te brezat e rinj. Vatra është bërë një urë lidhëse mes shqiptarëve këtu në SHBA dhe rrënjëve tona në trojet shqiptare, tha ndër të tjera z.Mentor Maksutaj. Përgjegjësia jonë nuk përfundon me ruajtjen e trashëgimisë, por vazhdon me ndërtimin e së ardhmes pasi të rinjtë tanë kanë nevojë për shembullin tonë, për unitetin tonë dhe për një “Vatër” të fortë, aktive dhe gjithëpërfshirëse.
Në këtë ditë të veçantë, dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që kontribuan në rinisjen e “Vatrës”, për drejtuesit, anëtarët dhe vullnetarët që me punë të palodhur e kanë mbajtur gjallë këtë mision fisnik, u shpreh z.Maksutaj. Falë jush, “Vatra” nuk është vetëm histori – ajo është e tashme dhe e ardhme.
Le të shërbejë ky dyvjetor si një thirrje për më shumë bashkim, më shumë angazhim dhe më shumë besim në forcën tonë si komunitet. Le ta mbajmë “Vatrën” të ndezur, si simbol të unitetit, dinjitetit dhe krenarisë shqiptare, përfundoi fjalën përshëndetëse Z.Mentor Maksutaj.
Ai paraqiti gjithashtu për pjesëmarrësit dhe kalendarin e aktiviteteve për vitin 2026 si: prezantimi i Web faqes së degës vatraboston.com, festa e pavarësisë së Kosovës, aktiviteti kushtuar Faik Konicës, rritja e bursave e të studentëve, pikniku për komunitetin etj. Sekretari i Federatës Pan-shqiptare të Amerikës Vatra Dr.Pashko Camaj përshëndeti në emër të kryetarit Dr. Elmi Berisha e mbarë kryesisë, falënderoi Vatrën Boston për aktivitet cilësore dhe shembullin e mirë frymëzues për mbarë shqiptarët në Boston. Editori i Diellit Sokol Paja vlerësoi Vatrën Boston për punën patriotike, trashëgimin e vlerave kombëtare, angazhimin dhe dedikimin për çështjen shqiptare në mërgatën e Amerikës.
Z.Andrea Pani theksoi se Vatra është relike e jashtëzakonshme, amanet që duhet t’ua trashëgojmë brezave të rinj. Z. Endri Kume nga “Albanians Boston Community Center” u shpreh se Vatra është organizata patriotike më domethënëse për shqiptarët dhe bashkëpunuese në misionin e përbashkët për të mbështetur komunitetin shqiptar. Në përfundim të darkës festive u ndanë certifikata mirënjohje nga Vatra Boston si respekt e falenderim ndaj mbështetjes së aktiviteteve patriotike të Vatrës në Boston: Çunat e Bostonit(Artur Baçova, Ardi Baçova dhe Eno Kume), Minella Gjoka, AJB Transportation(Altin Brari), Jackson Street Automortive(Ziad Nabbout), OTR Limo/Maxi party bus(Artur Macorri), AR llc(Albert Maksutaj), Bocford house of pizza ne Boxford(Neviol Shukulli), Ellies Pizza ne Wakefield dhe Bevery(Xhulio Bleta dhe Albion Beciri), Giovanis Pizza në Saugus(Edison Shahini), Beksian Bella dhe Rei Bella (fotograf, video montazh, dj) dhe Henry Logistic(Ervin Çiflikun).
Vatra Boston falënderoi në ceremoninë festive edhe organizatat shqiptare ne Boston dhe institucionet fetare për bashkëpunimin e shoqatat e studenteve shqiptarë të Universitetit Harvard dhe Bently.
Një mbrëmje festive e pa harrueshme të një feste shqiptare në nderim të historisë së Vatrës dhe vlerësim të përpjekjeve patriotike të shqiptarëve në mërgatën e Bostonit.