


Intervistoi: Mirela Kanini/
Mësuesit janë arkitektët e heshtur të së ardhmes. Ata ndezin kureshtjen, mbjellin dijen dhe frymëzojnë guximin për të ëndërruar më shumë. Ndikimi i tyre jeton gjatë, përtej klasës dhe në çdo arritje të nxënësve të tyre.
Në këtë intervistë vjen rrëfimi i mësueses së gjuhës shqipe në Chicago, me një eksperiencë 48-vjeçare në arsim, znj. Suzana Combi.
1. Kush është Suzana Combi?
Unë e personifikoj veten, para së gjithash, si një nënë e dy fëmijëve të mrekullueshëm dhe shumë të suksesshëm në Chicago. Klodiana, sot farmaciste, e martuar dhe nënë e dy vajzave 20 dhe 16 vjeçe, të cilat dallohen për rezultatet e tyre të larta në shkollë. Andis, djali im, biznesmen që ushtron aktivitetin e tij në Chicago, i martuar dhe baba i dy vajzave 10 dhe 5 vjeçe. Zoti më ka bekuar me fëmijët e mi dhe katër mbesa. Jam bashkëshorte dhe mësuese me një eksperiencë prej më shumë se katër dekadash.
2. Rruga drejt suksesit kalon përmes sfidave. Na tregoni diçka për jetën tuaj dhe fillimet në SHBA.
Kemi ardhur në SHBA në vitin 1998 me Lotarinë Amerikane. Edhe pse ishte diçka që e dëshironim për një jetë më të mirë, na duhej të linim pas gjithçka që dinim të bënim: karrierën dhe profesionet tona. Unë atëherë isha arsimtare prej 25 vitesh, ndërsa bashkëshorti punonte në rafinerinë e naftës.
Erdhëm në Amerikë pa ditur asgjë, madje as gjuhën. Fillimi ishte i vështirë dhe mbështetja më e madhe na vinte nga njëri-tjetri. Vajza ime, Klodiana, dinte pak anglisht nga kurset që kishte ndjekur. Megjithatë, e morëm jetën me guxim dhe iu futëm punës aty ku na u dha mundësia, pa bërë naze, me vendosmërinë se një ditë do t’ia dilnim.
Puna ime e parë ishte në një hotel “Marriott”, ndërkohë që ndiqja mësimet në Truman College për të mësuar gjuhën angleze. Më vonë fillova punë nëpër shkolla, jo në profesionin tim, por si janitore. Nuk më mbante vendi — shkollat ishin habitati im dhe dëshiroja me gjithë zemër t’i kthehesha mësimdhënies.
3. Kur menduat se kjo ishte rruga juaj?
Gjatë kohës që ndërtonim jetën tonë në kontinentin e largët, shkonim rregullisht në kishën shqiptare. Atje ndiheshim mirë, sidomos kur takonim bashkëatdhetarë. Të dëgjosh të flitet shqip në tokë të huaj tingëllon më bukur dhe të ngroh zemrën.
Një ditë dikush tha: “Do të hapim një shkollë shqipe.” Për mua ishte sikur u ndez një dritë jeshile. Drejtoresha e shkollës, kur mori vesh që isha arsimtare, më dha mundësinë të punoja fillimisht si “assistant teacher” (ndihmëse mësuese). Kisha hyrë në rrugën që kërkoja prej kohësh.
4. A ishte e vështirë të realizonit ëndrrën amerikane?
Së pari, njeriu duhet të ketë ëndrra konkrete dhe më pas t’i realizojë ato me përkushtim dhe devotshmëri. Punova për CPS për 14 vjet, me nxënës nga të gjitha kombësitë. Jam vlerësuar shpesh për punën time, jo vetëm nga kolegët, por edhe nga drejtuesit.
Gjatë kësaj periudhe pata rastin të prezantoj Shqipërinë përmes valleve, kostumeve dhe këngëve tradicionale. Nxënësit jo vetëm që i këndonin e i kërcenin me dëshirë, por i pëlqenin shumë. Festonim edhe Festën e Pavarësisë, duke sjellë kulturën shqiptare në shkollë.
5. Çfarë ju motivoi për të arritur këtu ku jeni sot?
Motivimi dhe forca kryesore për të tejkaluar vështirësitë kanë qenë familja dhe fëmijët e mi. Ndihem një grua e realizuar dhe kam dhënë më të mirën e mundshme në çdo etapë të jetës sime.
6. A keni pasur ndonjëherë momente kur keni dashur të tërhiqeni?
Asnjëherë nuk kam thënë “mjaft” apo “u lodha”. Kam parë gjithmonë përpara dhe kam menduar si të jap kontributin tim, duke realizuar njëkohësisht ëndrrat e mia.
7. Flitet me shumë vlerësim për kontributin tuaj në komunitetin shqiptar. Cili është sekreti?
Nuk ka sekret. Është shumë e thjeshtë: dashuria për profesionin dhe për komunitetin që më do dhe më vlerëson.
8. Ju keni mbështetur vazhdimisht degën e Vatra Chicago. Çfarë mund të na thoni për këtë angazhim?
E mbështes dhe kontribuoj për këtë organizatë sepse kam ndjekur me kujdes aktivitetin e saj. Vatra është një organizatë prestigjioze dhe një aset për komunitetin shqiptar. Në këto tre vite ka lënë gjurmë dhe ka realizuar objektiva konkrete në ndihmë të komunitetit. Të kontribuosh për një organizatë të tillë është thjesht logjike.
9. Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Do të vazhdoj të jap mësim për aq kohë sa të mundem, edhe pse kam vite që punoj përtej daljes në pension. Shoh një interesim të madh nga prindërit shqiptarë për t’u mësuar fëmijëve gjuhën shqipe.
Prej katër vitesh jap mësim në shkollën shqipe “Kongresi i Manastirit”. Punoj me fëmijë të moshës 5–6 vjeç dhe kam 31 nxënës — një numër i konsiderueshëm. Ndihem e privilegjuar që ndaj eksperiencën time 48-vjeçare me ta.
Një nga sfidat tona të vazhdueshme është sigurimi i librave shkollorë. 28 abetare u mundësuan nga mikja jonë Arjana Jaupi, e cila i solli nga Shqipëria. Shpresojmë që në të ardhmen ta zgjidhim përfundimisht këtë problem.
10. Çfarë do t’i thoshit dikujt që ndjek një rrugë të ngjashme me tuajën?
Sidomos atyre që vijnë rishtaz në SHBA do t’u thosha: mos prisni që në fillim të ushtroni profesionin tuaj. Mos kërkoni shumë menjëherë. Pyesni — nuk është turp. Ndërkohë, punoni diku, edhe nëse ju duket e vështirë. Dhe kurrë, kurrë mos hiqni dorë nga ëndrrat.
11. Çfarë ju frymëzon më shumë?
Njerëzit e fortë, me vullnet të palëkundur. Tek ata gjej veten dhe dëshirën për të realizuar ëndrrat e mia.
12. Cilat janë hobet tuaja?
Më pëlqen shopping-u (pazaret), sepse më bën të ndihem mirë — e kam si terapi. Gjithashtu më pëlqen të vishem bukur. Eleganca dhe prezenca e një gruaje për mua kanë qenë gjithmonë pjesë e rëndësishme e jetës.
13. Një thënie që mund të jetë motoja juaj?
“E dua jetën dhe dua të jetoj.”