
NGA DALIP GRECA/
Në ditëfestën e mësuesit, me 7 Mars, që është dhe ditëlindja e shkrimtarit Naum Prifti, ish sekretar i Vatrës për rreth dy dekada, nën organizimin e Vatrës dhe me sponsorizim nga Kristaq Foto, pronar i lokalit “KUQ E ZI” në Astoria, Queens, Nju Jork, u mblodhën vatranë, familjarë dhe miq të shkrimtarit për t’ia uruar e festuar ditëlindjen. Dhurata simbolike, lule, Torta me urimin e Vatrës me urime zemre: Gezuar 87 Vjetorin e Lindjes, shkrimtari ynë i dashur! Në festë kanë ardhë edhe artistë, profesorë, miq, lexues të veprës së tij.
Fillimisht u ndoq dokumentari me titull”Edhe unë diç mbolla” i autorëve Munish Jashari dhe Rafaela Prifti kushtuar jetës dhe vepërës të shkrimtarit të shquar të letrave shqipe.
E bija e shkrimtarit Rafaela Prifti ka falenderuar Vatrën, pjesmarrësit dhe i ka uruar ditëlindjen të atit.
Kryetari i Vatrës z. Driitan Mishto e ka uruar në emër të vatranëve shkrimtarin dhe ish sekretarin e Vatrës dhe ka vlerësuar kontributin e tij të shquar në Letërsi, teatër, përkthime, dhe në kinematografi. Rrallë gjenë shembuj si kjo e familjes Prifti, ku tre breza kanë kontribuar në Vatër, i vëllai i shkrimtarit, studuesi i shquar Peter Prifti, në vitet 58-60 ishte sekretar i Vatrës dhe Editor i Diellit, Naum Prifti pasi erdhi në SHBA trokiti në Vatër, vatranët i besuan postin e sekretarit, e bija e shkrimtarit Rafaela është tash në Vatër si editore e anglishtes në Gazetën Dielli!
Kryetari Mishto ka sjellë në kujtesë dhe fragmente e personazhe nga krijimtaria e shkrimtarit, veçanërisht nga librat për fëmijë.
Editori i Diellit ka sjellë për Naumin një kujtim të largët të 7 Janarit 1959, ku në Faqen e parë të Diellit, botohej në dy numra reportazhi i Naum Prifti me titull”Bukuria e Bregdetit të Shqipërisë”, ndërsa në faqen dytë vijonte Drama me tre akte “Për Mbrojtjen e Atdheut” e dramatizuar nga Peter R. Prifti sipas novelës të shkrimtari, ish vatranit Foqon Postoli. Ja pra kur dy vëllezërit, në kohën e largët të ndarjes nga perdja e luftës së ftohtë, i takonte gazeta Dielli në Boston.
E bija e shkrimtarit, Julika Prifti, ka zgjedhur ta urojë të atin në ditën e Lindjes duke ekspozuar një dhunti pak të njohur të prej publikut, por shumë të pëlqyer nga familjarët, atë të interpretimit. Julika imiton sikur të ishte në skenë të atin.
Naum Prifti, tha ajo, zë një vend të veçantë në kulturën shqiptare me veprat e tij në lëmin e tregimit, novelës, kritikës letrare, ese historike, shënime udhëtimi, dramë, komedi, skenar, kritikë letrare, biografi, përkthime etj. Por në fushën e interpretimit atë e njohin vetëm familjarët dhe të afërmit.
Kur ishim fëmijë, kujton Julika; babi na lexonte përralla dhe recitonte nga një repertor i pasur e i shumanshëm. Interpretimi i tij i bënte karakteret të gjallë përpara syve tanë. Edhe tani i kujtoj interpretimet e tij të poetëve shqiptarë si Mjeda, Kadare, Frashëri.
Kujtoj: “Shkonte fili në pazar/ ishte veshun krejt n’ar/ mzat, lope, qen e dhi,/ tek e panë me kaq stoli/ për me i banun filit nder/ ulën kryet menjëherë.”…
ose: Krujë o qytet i bekuar/Prite prite Skënderbenë/Po të vjen si pëllumb i shkruar/ të shpëtojë mëmëdhenë….!”
Kur u rritëm ai i interpretonte të gjitha veprat që shkruante. Me mbarimin e drekës, apartamenti ynë në rrugën “Bajram Curri” kthehej në një teatër të vogël privat, ku të gjitha rolet interpretoheshin nga Naum Prifti. Zëri i plotë e i fuqishëm, diksioni i qartë, ndjesia e veçantë për ritmin e tingëllimin e fjalës i bënin karakteret personazhe të paharrueshme.
Babi dinte ku të ngrinte zërin, ku ta zbuste, ku ta shpejtonte ritmin e të folurit, apo ku ta ngadalësonte. Mbi të gjitha ai kuptonte mirë ku binte theksi logik i frazës. Interpretimi i tij të bënte të të rrihte zemra sikur të donte të dilte nga kraharori, të të merrej fryma nga ankthi apo frika, e të fluturoje lart nga entuziasmi.
Kujtoj se, ndonjëherë, kur shkoja në teatër a kinema për të parë veprat e tij të vëna në skenë, mbetesha e zhgënjyer nga që diksioni nuk tingëllonte aq mirë dhe fuqishëm sa nën interpretimin e vetë Naumit, aq sa mua më vinte t’u thërrisja aktorëve: Nuk po e thua mirë! Pse bërtet kot dhe nuk nxjerr kuptimin e frazës!”
Mua më vjen keq që nuk e inçizova apo regjistrova interpretimet e tij kur kisha mundësi. Më dukej se vitet nuk do të ndryshonin asgjë. Sot në 87 vjetorin e ditëlindjes së tij, i sjell në mendje këto kujtimë e i uroj shumë ditëlindje të tjera me shokë, dashamirës e lexues të veprave të tij.
Edhe 100 BABI!
Nënkryetari i Vatrës z. Agim Rexhaj ka kujtuar momentet e këndshme që kalonin me shkrimtarin si sekretar i Vatrës, veçanërisht kur shkonin në rrugëtime të gjata, ku zotërsia e rrërfimeve, humorit nga Naum Prifti, e largonte lodhjen dhe i bënte të këndshme udhëtimet.
Edhe ish nënkryetari i vatrës Asllan Bushati e ka uruar z. Naum duke nxjerrë në pah vlerat e tij si shkrimtar dhe kontributin në Vatër të tij, vëllait Peter dhe së bijës Rafaela.
Emocionet festës ia shtojë Profesoresha Mjaftime Dushollari, e cila mori përsipër promovimin dhe analizoi botimin më të fundit të shkrimtarit Naum Prifti, përkthimin nga anglishtja të librit“Çarli dhe Ashensori i Madh prej Xhami” të autorit anglez Roald Dahl. Libri u botua vitin që shkoi nga “ÇABEJ”. Duke e analizuar librin, Dushollari tha: U kënaqa shumë kur Julika Prifti më dhuroi librin “Çarli dhe Ashensori i Madh prej Xhami” për mbesën time të shtrenjte, Klarën. Një nga veprat më të mrekullueshme për fëmijë të tregimtarit të njohur botërisht, Roald Dahl, u përkthye nga origjinali anglisht prej tregimtarit të njohur shqiptar Naum Prifti. Botohet për herë të parë në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese Çabej në Tiranë.Ky përkthim më bëri kurioze të njoh stilin e tij si përkthyes i talentuar. Me këtë qëllim, e lexova librin vetë përpara se sa t’ia lexoja Klarës.Dua të theksoj se vetë zgjedhja e këtij libri për t’u përkthyer nga Naum Prifti është shumë e gjetur.
Së pari; Naum prifti, mjeshtri i tregimit shqiptar ka zgjedhur të përkthejë veprën për fëmijë të kampionit të rrëfimit botëror, Roald Dahl. Së dyti, Naum Prifti është autor edhe i shumë veprave të bukura për fëmijë. Këto janë dy pika të forta takimi midis tyre.Nga ana tjetër, kjo zgjedhje është edhe e guximshme sepse të ngarkon me përgjegjësinë e sjelljes para lexuesit shqiptar të vlerave të larta të veprës së rrëfimtarit anglez, të zhdërvjelltësisë së tregimit, fantazisë, pasurisë së gjuhës, humorit etj.Këto arsye, e bëjnë lexuesin të rriti pretendimet për cilësinë e përkthimit.
Vepra që i jepet në dorë jo vetëm fëmijëve, por mbarë lexuesit shqiptar, është një shqipërim i përkryer. Struktura e fjalisë në shqip ndryshon shumë nga struktura e fjalisë në anglisht.Te “Çarli në Ashensorin e Madh prej Xhami” nuk gjen as edhe një herë të vetme ndonjë fjali të tingëllojë apo të ketë konstruktin e anglishtes. Kjo bën që historia e bukur fantastike për fëmijë, e shkruar në anglisht, të bëhet shumë e pëlqyer në të gjitha aspektet e saj edhe në gjuhën tonë të bukur shqipe.
Përkthyesi jo vetëm ka gjetur fjalën korresponduese në shqip, por ka përshtatur, ka krijuar fjalë të reja sipas rastit. Dhe të gjitha këto e bëjnë gjuhën aq të zhdërvjellët dhe me ngjashmëri me krijimet origjinale të Naum Priftit, sa, kur lexon krijimin e Roald Dahl në shqip, të duket se lexon një vepër origjinale të shkruar nga Naum Prifti.
Shprehjet “ia mori këngës” në vend të “filloi të këndojë”, “u zgërlaq fare”, “po flet kodra pas bregut”, “e bëre çorbë derri”, “e nise, bitise”, “I re pikës” dhe shumë të tjera si këto, janë shprehje shumë të gjetura shqiptare që të bëjnë ta shijosh më shumë këtë krijim në gjuhën shqipe.
Naum Prifti në këtë përkthim shpalos pasurinë e gjuhës shqipe. Për një fjalë anglisht asnjëherë nuk përsërit fjalët shqip, por përdor fjalë sinonime ose shprehje të ndryshme me të njëjtin kuptim sipas situatës, që e bëjnë tregimin të rrjedhshëm dhe gjuhën më të larmishme. “Duhet shkuar shumë larg,” përmend diku në kreun e parë. Më tej përdor: “Duhet shkuar qamet larg”. Dhe më vonë: “Atëherë kemi shkuar firifiu shumë larg.”
Në krijimin fantastik të Roald Dahl ka shumë aventura dhe autorë të aventurave të cilët në shumicën e rasteve quhen “crazy” (të çmendur). Naum Prifti e shqipëron këtë tipar të karaktereve për lexuesin shqiptar me epitetet: i krisur, i çaktisur, i lajthitur, apo me shprehjet: I ka ikur fiqiri, ka shkarë nga mendtë, i janë liruar vidat etj. Ndonjëherë, edhe në të njëjtën situatë përdor epitete të ndryshme sinonime për të karakterizuar sa më mirë gjendjen emocionale të personazheve si, u bukosën, u nemitën, u pataksën…..
***
Më pas festa ka vijuar me humor, batuta dhe serenata korçare, ku zë i parë ishte Naumi.Prerja e Tortës nga shkrimtari solli emocione të veçanta dhe të gjithë kënduan së bashku “Shuumë Urimeee…!”
***
Në ditën e Lindjes së shkrimtarit sjellim në Kujtesë Jetën dhe Korpusin e veprësë së tij:
Naum Prifti u lind në Rehovë të Kolonjës, më 7 mars 1932, ku kreu shkollën fillore, ndërsa atë 8-të vjeçare, në Ersekë. Naumi u nis të bëhej doktor, por përfundoi shkrimtar. Në 1953, mbaron Politeknikumin Mjekësor në Tiranë..(te plote lexojeni ne Dielli online www.gazetadielli.com)





