


Sokol Paja/
New York, 14 Shkurt 2026 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra bashkoi shqiptarët e Amerikës në festën e 18 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës. Me pjesëmarrjen e aktivistëve të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veprimtarëve e atdhetareve, kontributorëve të çështjes kombëtare në Amerikë, Vatra organizoi një takim të shkëlqyer atdhetar e komunitar si dëshmi e autoritetit moral e shpirtëror, fuqisë kulturore, diplomatike e atdhetare në shërbim të çështjes kombëtare. Kryetari i Federatës Vatra Dr.Elmi Berisha në fjalën e tij theksoi se kjo ditë është simbol i triumfit të së drejtës mbi padrejtësinë, i lirisë mbi shtypjen dhe i shpresës mbi vuajtjen. Një urim i veçantë i drejtohet edhe institucioneve të reja të Republikës së Kosovës, të dala nga proceset demokratike.
Zgjedhja dhe konsolidimi i institucioneve të reja është një hap i rëndësishëm për forcimin e shtetit ligjor, stabilitetin demokratik dhe avancimin e Kosovës në rrugën e saj euro-atlantike. Ne shprehim bindjen tonë tha Dr. Berisha, se këto institucione do ta përmbushin misionin e tyre me përgjegjësi, vizion dhe përkushtim ndaj interesit publik. Federata “Vatra”, si organizata më e vjetër dhe më përfaqësuese e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, riafirmon sot gatishmërinë e saj të plotë për thellimin dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet e Republikës së Kosovës, në interes të afirmimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, të forcimit të pozitës së tij në arenën globale dhe të ruajtjes së vlerave demokratike mbi të cilat është ndërtuar ky shtet.
Ne besojmë fuqishëm theksoi Dr. Berisha se diaspora shqiptaro-amerikane ka një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces: në lobimin politik, në diplomacinë publike, në zhvillimin ekonomik dhe në mbrojtjen e së vërtetës historike të popullit tonë. Në këtë frymë, dua të shfrytëzoj këtë rast solemn për të bërë edhe një thirrje të fuqishme për mobilizim të gjithë komunitetit shqiptaro-amerikan. Në ditët në vijim, në Washington, D.C., do të organizohet një protestë gjithëpërfshirëse në mbështetje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftës së drejtë çlirimtare të popullit të Kosovës, tha ndër të tjera kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha.
Konsulli i Kosovës në New York, Ambasador Dr. Blerim Reka në fjalën e tij theksoi se në 18 vjetorin e pavarësisë, nuk e harrojmë të kaluarën tragjike: një shekull shtypje koloniale, aparteid dhe gjenocid të Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë. Ku jemi? Sot, Republika e Kosovës është shteti më pro Amerikan në botë, vendi më demokratik në Ballkan me kushtetutën- model më të avancuar për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Shteti më i ri evropian, u ngrit nga një luftë çlirimtare kundër pushtuesit serb, në një rrëfim suksesi të shtet-ndërtimit demokratik, tha ndër të tjera Ambasador Reka.
Shpetim Qorraj kandidat për Asamblenë e Shtetit të New York-ut në fjalën e tij ekspozoi sakrificën e luftës së UÇK, kontributin e mërgatës shqiptaro-amerikane për Kosovën, uroi që Kosova të futet në NATO dhe apeloi për liri për Çlirimtarët Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi.
Ushtari i lirisë Shpend Gjocaj ekspozoi në fjalën e tij historinë e themelimit të Gjykatës Speciale, manipulime të Prokurorisë Speciale dhe akuzat e fabrikuara nga serbët që përdoren padrejtësisht nga Specialja. Dënimi i çlirimtarëve është dënim për UÇK, lirinë dhe pastërtinë e luftës së Kosovës, tha z.Gjocaj. Ai apeloi për mërgatën shqiptaro-amerikane që të shqyrtojnë çdo kontakt e mundësi për të lobuar te amerikanët për një proces të drejtë në gjykatën e Hagës.
Diamant Hysenaj kandidat për Kongresin Amerikan falënderoi Vatrën për aktivitetin patriotik dhe u shpreh për bashkëpunim mes shqiptarëve për të çuar përpara çështjen kombëtare.
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti i shoqëruar nga Prof. Dr. Shpresa Memishi dhe Donika Kamberi, në fjalën e tij u shpreh se është gati sfiduese të gjesh fjalët e duhura për të transmetuar atë se çfarë ndjej, çdo fjalë duket e varfër karshi punës dhe kontributit të tuaj ndër vite. Ju keni hise historike për arritjet e rëndësishme të vendit tonë, nga organizimi, dija, avokimi e lufta për çlirim, tek ekonomia, mirëqenia, demokracia e zhvillimi në paqe. Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të shënuar një datë. Jemi mbledhur për të dëshmuar fitore të historisë të cilat do të ishin të pamundura pa mbështetjen e VATRËS. 18 vjet më parë, më 17 Shkurt 2008, Kosova u shpall e pavarur. Por ajo ditë nuk ishte vetëm akt politik. Ishte kulmi i një rrugëtimi të gjatë sakrificash, dhimbjesh, qëndrese dhe besimi. Ishte dita kur një popull i vogël, por me shpirt të madh, i tha botës se FREEDOM IS NOT FREE, Liria nuk është e lirë. Pavarësia e Kosovës është një nga ato momente “sui generis” – e papërsëritshme, atipike, e lindur nga sakrifica dhe e vulosur nga drejtësia historike.
Në përfundim të fjalës së tij Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti i dhuroi Vatrës portretin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, simbolin e flamurin e Universitetit të Tetovës, libra, monografi, revista e studime filologjike kushtuar Nënë Terezës, Adem Demaçit, Ditës së Alfabetit etj. 18 vjetori i Pavarësisë së Kosovës ishte një festë e shkëlqyer e organizuar nga Federata Vatra si shenjë nderimi, mirënjohje e respekti për çlirimtarët e luftëtarët dhe kontributit të tyre historik në nderim të sakrificave për lirinë e pavarësinë së Kosovës. Për miqtë Vatra shtroi një drekë në Restorant Çakor të cilën e bëri dhuratë vatrani Kujtim Funiqi.