Sokol Paja/
New York, 15 qershor 2024- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” përkujtoi me nderim dhe respekt 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës. Një një ceremoni festive të organizuar në Selinë Qëndrore të Vatrës, në këtë ditë historike kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha shprehu mirënjohjen e përjetshme Shteteve të Bashkuara të Amerikës e NATO-s për ndihmën e jashtëzakonshme për çlirimin e Kosovës e mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë shqiptarëve të Kosovës në veçanti e shqiptarëve në trojet etnike në përgjithësi. Kryetari Berisha falënderoi Batalionin Atlantiku për ndihmën dhe kontributin e çmuar, të gjithë shqiptaro-amerikanët e mbarë vatranët me në krye Marjan Cubin, të cilët meritojnë vlerësime e nderime të veçanta. z.Berisha uroi festën duke shpresuar në bashkimin kombëtar te te gjitha trojeve shqiptare si aspiratë e përjetshme e çdo shqiptari. Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj theksoi se shqiptarët e Kosovës u çliruan nga regjimi gjenocidal i Millosheviçit falë mbështetjes ndërkombëtare e përpjekjeve të lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Studiuesi Dr. Paulin Marku në fjalën e tij theksoi se lufta e Kosovës e vendosi bashkësinë ndërkombëtare në pozitën përcaktuese të një vendimi konkret e përcaktues për popullin shqiptar në Kosovë, të vuajtur dhe të dhunuar prej dekadash prej pushtuesit serb. Populli shqiptar i epur për liri e pavarësi frymëzoi çdo shqiptar anëkënd botës. Ngritja dhe organizimi i Ushtrisë Çlirimtare te Kosovës me në ballë familjen e Adem Jasharit frymëzonte shqiptaret brenda dhe jashtë kufijve që ti bashkoheshin lëvizjes ushtarake për liri e pavarësi. Ishin të shumtë shqiptarët e diasporës që ju bashkuan luftës, siç ishin shqiptaret e diasporës. Sipas Dr. Markut ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte dëshmi e mbrojtjes së vlerave njerëzore dhe shtonte besimin e shqiptarëve ndaj forcës së armatosur se të drejtat e shqiptarëve po rivendosen në vendin e duhur, bazuar ne konceptin e sigurimit të të drejtave të njeriut në Kosove, të cilat ishin sfida te mëdha dhe ne qarqet ndërkombëtare. Çlirimi i Kosovës ishte ngjarje e madhe dhe përben arritje të jashtëzakonshme për shqiptarët, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Studiuesi Prof. Elez Osmani në kumtesën e dërguar me këtë rast shprehet se: Lufta e Ushtrisë Çlirimtare ishte bijë e të gjitha përpjekjeve të atdhetarëve shqiptarë, të cilët asnjëherë nuk ishin pajtuar me pushtimin sllav, asnjëherë nuk kishin pushuar së kërkuari liri dhe mëvetësi. Çlirimi i Kosovës është përmbyllje e një pjese të procesit historik të bashkimit kombëtar, i cili do të bëhet një ditë, deshën apo nuk deshën qendra të caktuara të Evropës, citon prof. Osmani. Lavdi përjetë dëshmorëve të kombit tonë, heronjve, luftëtarëve e çlirimitarët që dhanë gjithçka për lirinë e shtrenjtë të shtetit e kombit shqiptar. Rroftë përjetë e mot Kosova e lirë, demokratike dhe Euroatlantike.