Sokol Paja
New York, 5 Shtator 2021- Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA organizoi një ceremoni madhështore në nderim të pesë vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës dhe festën e saj (5 Shtator) si Shenjtore e Kishës Katolike dhe e Kombit Shqiptar. E ftuar speciale në këtë ceremoni nderimi e festimi ishte PhD Ines Murzaku, profesore e Historisë Kishtare, Drejtoreshë e Programit të Studimeve Katolike dhe Themeluese e Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall në New Jersey. Ceremoninë e nderimit e hapi kryetari i Federatës Vatra z.Elmi Berisha i cili u ndal te simbolika e jashtëzakonshme që ka Nënë Tereza shqiptare në botën universale të vlerave dhe rëndësinë që ka për botën që kombi shqiptar ka nxjerrë një Shenjte dhe një njeri të jashtëzakonshëm, një grua dhe nënë universale. Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj dhe Sekretarja e Përgjithshme zonja Nazo Veliu u ndalën te mishërimi, mesazhet e paqes, dashurisë, universalizmit dhe vlerat e Nënë Terezës për kombin tonë dhe mbarë popujt e botës. Prof. Ines Murzaku shpalosi për të pranishmit fakte të reja dhe një interpretim të fakteve rreth impaktit të Nënë Terezës në historinë e kishës katolike dhe historinë e kombit shqiptar. Nënë Tereza na fton të gjithëve që të bëjmë punë të vogla por me dashuri të madhe. Ky është modeli i shërbimit, përkushtimit, devotshmërisë dhe përshpirtshmërisë që Nënë Tereza kishte ndaj njerëzve në nevojë. Prof. Murzaku në fjalën e saj ndër të tjera tha se: “Mënyra e vogël e Nënë Terezës, gjërat e zakonshme të jetës, kur bëhen me dashuri të jashtëzakonshme, shndërrohen në diçka të jashtëzakonshme. Nënë Tereza u bë një nga avokatet më të zjarrta të të drejtave të njeriut, e cila për të, filloi me të drejtën për jetë, më themelore ndër të drejtat e njeriut. Për Nënë Terezën, Jezusi u identifikua me të varfërit, margjinalët, lebrozët, të palindurit dhe të vegjlit. Sipas Prof. Ines Murzaku mbrojtja e fuqishme e Nënës për jetën nga ngjizja deri në vdekjen natyrore ishte një çështje dinjiteti njerëzor dhe e të drejtave të njeriut, e cila ishte thellësisht kristologjike dhe kristocentrike – burrat, gratë, fëmija i palindur janë krijuar për gjëra të mëdha: të duan dhe të duan, dhe Jezu Krishti është si themeli ashtu edhe burimi i të gjitha të drejtave. Sipas Prof Murzakut Nënë Tereza ishte themeluese e një urdhëri fetar që shërben në 133 vende, pesë kontinente dhe ka 4,500 rregulltare. Nënë Tereza ishte një grua e fortë me një vision të qartë, që mundi të artikulojë thjeshtë, pa shumë llafollogji por me shumë vepra. Nënë Tereza ishte një grua figurë, që diti të përballojë kritikat me veprime, përulje. Nënë Tereza ishte grua e përmbajtur që kishte dhuntinë e dëgjimit, fjalëpaktë. Nënë Tereza ishte një grua e komunikueshme. Nënë tereza ishte një grua mistike dhe teologe. Ajo ushtronte teologji aktive, vitrytet teologjike: besimi, shpresë, dashuri. Sipas Prof Murzakut dashuria dhe bamirësia shkojnë krah për krah – bamirësia është dashuria e Zotit, në të cilën dikush merr pjesë në veprimet e Zotit, ose merr shijen e dashurisë si dashuria e Zotit. Nëse motoja e Nënë Terezës zbatohet për bamirësinë, Nëna bëri gjëra të vogla me dashuri të madhe, duke i dashur ata që u shërbeu dhe duke imituar dashurinë vetëmohuese dhe sakrifikuese të Krishtit. Nënë Tereza e donte Zotin mbi të gjitha për hir të tij dhe e donte njerëzimin për hir të Zotit. Nënë Tereza luftoi për periferikët, për të gjithë ata që nuk kishin mundësi të mbroheshin, që nuk kishin zë, ajo i solli problemet e tyre në qëndër, i bëri centrale. Nënë Tereza ishte Ambasadorja më e mirë e të varfërve, sepse ajo ishte një me ta. Ka shumë që flasin për të varfërit por nuk janë një me ta. Nënë Tereza lufoi për të ndërtuar paqe midis njerëzve, një paqe që ajo me thjeshtësinë e saj e shikonte si të mundshme kur kjo paqe fillonte në familje, hartoi harten e paqes, ose paqja simbas Nënë Terezes. Nënë Tereza nuk dallonte apo nuk shërbente me dallime feje, ideje, apo ideologjie. Sipas Prof Ines Murzakut, Nënë Tereza nxori tetë parime praktike në jetë: PARIMI 1: Kini një ëndërr të madhe, artikulojeni qartë. Krijoni një vizion që është i thjeshtë. Thuajeni fort me fjalë dhe veprime në çdo moment të mundshëm. PARIMI 2: Mos kini frikë nga kritikat – përballojini ato me sinqeritet dhe besim – kushdo gabon, por ai që përparon përfiton nga kritikat. PARIMI 3: Prisni, dëgjo me vëmendje. Mos thuani fjalën e fundit në fillim. PARIMI 4: Dyshimi është pozitiv. Pyetni pa pushim por jo të pyesni për të pyetur të tërhiqni vëmëndje. PARIMI 5: Zbuloni gëzimin e disiplinës – Disiplina mund t’ju sjellë gëzim dhe sukses. PARIMI 6: Komunikoni në një gjuhë që njerëzit e kuptojnë. PARIMI 7: Kushtojini vëmendje pastruesit, portierit – të gjithë kanë vlera e nga ato vlera mund të mësoni. PARIMI 8: Përdorni fuqinë e heshtjes – Qetësoni mendjen dhe dëgjoni, heshtja është e shëndetshme” – përfundoi leksionin e saj për të pranishmit PhD Ines Murzaku, profesore e Historisë Kishtare, Drejtoreshë e Programit të Studimeve Katolike dhe Themeluese e Departamentit të Studimeve Katolike në Universitetin Seton Hall në New Jersey.