

Klinë, Kosovë, 30 korrik 2026 – Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, Dr. Elmi Berisha, i shoqëruar nga anëtari i Kryesisë Bardh Tomaj dhe veprimtari i shquar i çështjes kombëtare Marjan Cubi, zhvilluan homazhe nderimi pranë shtatoreve të Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, dhe Shën Nënë Terezës në qytetin e Klinës.
Shtatorja e Presidentit Ibrahim Rugova është ngritur falë donacionit bujar të vatranit historik Marjan dhe Ilir Cubit, një akt që dëshmon respektin dhe përkushtimin e tyre të palëkundur ndaj trashëgimisë së Presidentit Rugova dhe idealeve të lirisë, demokracisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Marjan Cubi është një veprimtar dhe patriot i shquar, i cili për më shumë se pesë dekada nuk është ndalur së vepruari në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, e veçanërisht të Kosovës. Si kryetar i Degës së LDK-së për Nju Jorkun me rrethe dhe bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Ibrahim Rugova, ai ka qenë ndër zërat më të fuqishëm të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara, duke kontribuar në ndërgjegjësimin e opinionit amerikan dhe në mbështetjen politike e kombëtare për Kosovën. Këtë trashëgimi patriotike e vazhdon sot me krenari atdhetari i flaktë Ilir Cubi.
Vizita e delegacionit të Vatrës në këtë vend simbolik përfaqëson vazhdimësinë e misionit historik të Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra”, e cila për më shumë se një shekull ka qenë në vijën e parë të mbrojtjes së interesave kombëtare shqiptare. Gjatë viteve të represionit serb dhe luftës në Kosovë, Federata Vatra dhe Gazeta Dielli ngritën pandërprerë zërin për të drejtat e shqiptarëve, informuan opinionin publik amerikan, mbështetën përpjekjet diplomatike dhe lobuan pranë institucioneve të Shteteve të Bashkuara për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në faqet e Diellit u pasqyruan padrejtësitë ndaj popullit të Kosovës, ndërsa Vatra mobilizoi komunitetin shqiptaro-amerikan në mbështetje të kauzës së drejtë të shqiptarëve.
Edhe sot, Vatra dhe vatranët me dinjitet vazhdojnë të zhvillojnë aktivitete të shumta në Kosovë dhe në të gjitha trojet etnike shqiptare, duke forcuar lidhjet kombëtare, duke nderuar figurat më të mëdha të historisë sonë kombëtare.