




Sot, delegacioni i Federatës Pan-shqiptare “VATRA” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i përbërë nga kryetari Dr. Elmi Berisha, Kryetari i Këshillit të Vatrës z. Kolec Ndoja, vatrani Richard Ndoja, shoqëruar nga Gjenerali Hisen Berisha dhe Naim Dedushaj, zhvilloi një vizitë të veçantë nderimi dhe respekti historik në Kosovë, një udhëtim me peshë simbolike, shpirtërore dhe kombëtare, që përshkoi rrugën e kujtesës sonë kolektive.
Nga kryeqendra, pranë varrit të Presidentit historik Ibrahim Rugova, te Prekazi i qëndresës dhe sakrificës së Adem Jasharit, e deri në Klinë, ku prehen e nderohen dy misionarë të mëdhenj të shpirtit shqiptar, Anton Çetta dhe e Shenjta Nënë Tereza, kjo vizitë nuk ishte thjesht një protokoll përkujtimor, por një akt i thellë lidhjeje me themelet mbi të cilat qëndron liria dhe identiteti ynë kombëtar.
Në këto ndalesa të historisë, delegacioni i “VATRA”-s rikujtoi se shteti i Kosovës dhe vetëdija jonë kombëtare janë ndërtuar mbi tri shtylla të mëdha, urtësinë politike, sakrificën për liri dhe misionin human e shpirtëror. Rugova simbolizon vizionin dhe orientimin strategjik të shtetit, Familja Jashari përfaqëson flijimin sublim për liri, ndërsa Profesori i pajtimit Anton Çetta në krye të studentëve e nisionarëve ju preu kokat gjarpërinjëve të gjakut për të bashkuar kombin, dhe Nëna e paqes e dashurisë e bekimit e drejtësisë Nënë Tereza, mishërojnë dimensionin moral dhe human të qenies sonë kombëtare.
Kjo vizitë është një dëshmi se lidhja ndërmjet diasporës shqiptare në Amerikë dhe atdheut nuk është vetëm emocionale, por edhe historike dhe me peshë përgjegjësie.
“VATRA”, si një nga institucionet më të vjetra patriotike dhe më të rëndësishme të shqiptarëve në diasporë, vazhdon të mbetet një urë e fuqishme që lidh të kaluarën me të tashmen dhe të ardhmen tonë.
Nderimi ndaj këtyre figurave dhe vendeve nuk është vetëm përkujtim, është rithemelim i përkushtimit tonë për të mbrojtur vlerat për të cilat ata jetuan dhe sakrifikuan.
Një komb që di të nderojë historinë e tij, është një komb që di të ndërtojë të ardhmen e tij.