Duke qenë se takimi virtual i 17 qershorit 2021 i disa përfaqësuesëve të Diasporës Shqiptare ne SHBA, me Ambasadoren e Shteteve te Bashkuara te Amerikes zonjen Juri Kim, ishte “off the record”, gazeta e Vatrës ”DIELLI” nuk e përcolli lajmin menjëherë, por pasi ambasada amerikane e publikoi në faqen e saj në facebook, ne po e konfirmojmë:Po, Vatra ishte në takim dhe shprehu pikëpamjet e saj. Në njoftimin e ambasadës shkruhej: Ambasadorja Kim pati kënaqësinë të takohej virtualisht me udhëheqës të komunitetit të diasporës shqiptaro-amerikane në fillim të kësaj jave(njoftimi u publikua me 19 qershor).Ata diskutuan marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe përparimin e bërë në përparësitë e Ambasadës në fushat e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit. Ambasadorja përgëzoi anëtarët e diasporës për punën e tyre filantropike dhe i nxiti ata të vijojnë kontributet e tyre të rëndësishme për forcimin e Shqipërisë”.
Vatra konfirmon se mori pjese me një numër të konsiderueshëm përfaqësuesish në takimin virtual të datës 17 Qershor 2021, të cilët ishin ftuar nga Ambasada Amerikane personalisht për të këmbyer mendime e dhënë sugjerime se si marrëdhëniet Shqipëri Amerikë mund të forcohen e përmirësohen më tej dhe se si Ambasada Amerikane, që mbahet me të holla nga taksa paguesit amerikanë, mund të ndihmohet me prioritizimin e përparësive për Shqipërinë.
Përvec vatranëve kishte edhe individë të tjerë nga komuniteti shqiptaro-amerikan.
VATRANËT, sikurse edhe shqiptarët e tjerë të Diasporës në këtë takim ishin më së pari si qytetarë amerikanë me origjinë shqiptare, që janë liderë në komunitet dhe vlerësohen nga Ambasada si një grup i rëndësishëm që i shërben forcimit të Shqipërisë dhe progresit të saj drejt objektivave të shumë dëshiruara për integrim e përparim.
Takimi ishte “off the record” dhe përmbajtja nuk është e disponueshme, por sipas VATRANËVE ishte një takim shumë produktiv dhe shumë i mirëpritur dhe se shumë cështje të rëndësishme u trajtuan, cështje që janë prioritet për ambasadën dhe për diasporën.
Ndërkohë mësohet se Ministri Shqiptar i Diasporës, z. Pandeli Majko, pasi ka mësuar nga Ambasada Amerikane për këtë takim, menjëherë ka kontaktuar me mesazhe pjesëmarrësit individualisht në këtë takim(ndër ta edhe vatranë) dhe ju ka ofruar atyre komunikim e këmbim idesh. Cdo interpretim tjetër nuk përkon me të vërtetën.
Për të qenë transparentë, VATRA asnjëherë nuk ka marrë pjesë si organizatë në Samitet e Diasporës dhe nuk është në kontakt apo në bashkëpunim me Ministrinë Shqiptare të Diasporës, as si institucion, as me gazetën e Diasporës, organi i kësaj Ministrie. Publikimet që merren prej tyre nga Dielli ne nuk kemi arsye që t’i ndalojmë. Arsyeja e mosbashkëpunimit qëndron në faktin se Vatra i ka konsideruar samitet, takimet, eskursionet turistike, fasadë në ndihmë të Qeverisë dhe asgjë më shumë. Kujtoni takimet fasadë me mjekët shqiptarë në botë me kryeminsitrin, apo samitet, ku cdo përfaqësuesi i jepej 3 minuta për prezantim, dhe kaq!!!! Vatra, përmes gazetës së saj Dielli, ka mbajtë qëndrim kritik dhe vazhdon të ketë të njëjtat qëndrime.
VATRA është organizatë Amerikane që i detyrohet shtetit Amerikan dhe është në të njëjtën linjë me politikën e shtetit Amerikan lidhur me kombin shqiptar dhe jep mendime e këshilla që i shërbejnë forcimit të miqësisë së dy vendeve dhe ndërtimit të urave lidhëse mes dy kombeve.
Korrespondenti i Diellit