


Mesuese: Fabjola (Gjinaj) Marku/
Më 15 shkurt 2026 në Long Island u festua Pavarësia e Kosovës. Dega e “Vatrës” Long Island dhe shkolla shqipe Gjergj Fishta” organizuan simpozium shkencor dhe koncert muzikor me nxënësit e shkollës shqipe, ku performuan me recitime, këngë e valle shqiptare. Festa filloi me himnin e flamurit të Amerikës, Shqipërisë dhe të Kosovës, kënduar nga nxënësit e shkollës shqipe.
Aktiviteti u hap nga kryetari i degës “Vatra”, Long Island, Dr. Paulin Marku. Ai uroj mirëseardhjen të pranishmëve në festën e Pavarësisë së Kosovës dhe falënderoi edhe Sekretarin e Federatës “Vatra” Dr. Pashko Camaj për pjesëmarrjen e tij në këtë aktivitet të rëndësishëm të komunitetit shqiptar. Dr. Marku theksoi se mundi, sakrifica dhe gjaku i derdhur për liri arriti të triumfoi kundër padrejtësive të kombit tonë dhe sot shqiptarët arrijnë të festojnë të lirë e të pavarur 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu, ai shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e vatranëve të degës tonë dhe të prindërve të shkollës “Gjergj Fishta” për suksesin e komunitetit shqiptarë në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, historisë e trashëgimisë kulturore në diasporën e largët, ku vlerësoi punën dhe arritjet e stafit të shkollës në përgatitjen e nxënësve të kësaj shkolle, të cilët janë në gjendje të recitojnë, këndojnë e të kërcejnë gjithçka në shqip.
Sekretari i Federatës Pan-shqiptare, “Vatra”, Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të Federatës “Vatra” dhe shprehu mirënjohje për veprimtarinë e degës së Long Island që arrin të bashkoi komunitetin dhe vlerësoi punën me nxënësit e shkollës shqipe për mësimin e gjuhës shqipe. Ai theksoi se jeni një energji e re që po i jepni frymë pozitive komunitetit shqiptar në Long Island dhe jeni shembull edhe për degët e tjera.
Simpoziumi shkencor u moderua nga Sekretari i degës, “Vatra” L.I. Klaudio Turkaj. Kumtesa e parë ishte e Akdemik, Prof. Dr. Beqir Meta: Qasja e Federatës “Vatra” dhe e gazetës “Dielli” në procesin e Lirisë e Pavarësisë së Kosovës, e lexuar nga mësuese Dorina Durra. Në kumtesën e tij, akademik, Meta theksonte ndër të tjera se “Vatra” ishte zëri i fuqishëm në Amerikë që nëpërmjet gazetës “Dielli” informonte bashkatdhetarët, promovonte dhe mbështeste qëndrimin e Kosovës, si dhe iu bashkua demonstratave në mbrojtje të Lirisë së Kosovës. Po ashtu “Vatra” tërhoqi vëmendjen e opinionit ndërkombëtar ndaj konflikteve të vazhdueshme në Kosovë dhe lobonte në Uashington së bashku me veprimtarë të tjerë shqiptarë, të cilët kërkonin të një Kosovë të Lirë e të Pavarur.
Dr. Paulin Marku mbajti kumtesën e tij për qëndrimin e Kosovës në rrjedhat e historike dhe për betejat e shumta të popullit shqiptarë deri në fitoren e Lirisë së Shtetit të Pavarur të Kosovë. Ai theksonte se Kosova ka qenë një vatër e zjarrtë atdhetarie dhe e përkushtuar për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e identitetin kombëtar shqiptar. Edhe pse Kosova mbeti jashtë kufijve politik të Shqipërisë, për shkak të padrejtësive të ndodhur në Konferencën e Londrës së vitit 1913, shqiptarët e Kosovës nuk u ndalën së vepruari për një Kosovë të lirë e të Pavarur. Udhëtimi drejt rrugës së lirisë ishte i vështirë dhe i mundimshëm por guximi i luftëtarëve shqiptar të UÇK-së me plot vuajte e sakrifica, me humbje të shumta në jetë njerëzish, me dëme ekonomike e sociale nuk u frikësuan dhe as u dorëzuan kurrë deri sa arritën ditën e Pavarësisë së Kosovës. Në mbyllje të kumtesës së tij, dr. Marku shprehu mirënjohje të veçantë ndaj NATOS, Evropës e veçanërisht ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të gjithë procesin e Pavarësisë së Kosovës, si dhe për garantimin e sigurisë dhe ndërtimin e Shtetit të Kosovës.
Ish-gazetari i Zërit të Amerikës, z. Fran Shkreli në kumtesën e tij, të lexuar nga znj. Borana Coka analizonte kontributin e shqiptarëve të Amerikës dhe rolin vendimtarë SHBA për Pavarësinë e Kosovës. Ai pohonte se roli i SHBA ishte aleati strategjik i përhershëm në çlirimin dhe konsolidimin e Shtetit të Kosovës është një fakt i pakontestueshëm. Amerika ka qenë në anën e Kosovës që prej fillimit të luftës të administratës Bill Clinton, e cila udhëhoqi ndërhyrjen e NATO-s dhe më pas deri tek njohja e Pavarësisë në vitin 2008 nga Administrata e Presidentit Xhorxh Bush i ri.
Një urim për Pavarësinë e Kosovës përcolli edhe vatrani, poeti Prend Ndoja, i cili kujtoi me nderim e respekt dëshmorët e rënë në luftën e Kosovës. Ai bëri një përshkrim të betejës së Loxhes e të Koshares dhe solli në vëmendje shumë sakrifica e vuajtje të popullit të Kosovës gjatë luftës për liri. Ai theksoi se kjo ditë është e të gjithë shqiptarë dhe është një ngjarje e madhe që të mbush zemrën me gëzim kudo ku ka shqiptarë nëpër botë.
Aktiviteti vijoi me koncertin muzikor, të përgatitur me shumë përkushtim e dashuri nga shkolla shqipe “Gjergj Fishta” New York, nën drejtimin artistik të mësuese Fabjola (Gjinaj) Marku dhe mësuese Dorina Durra. Koncerti u prezantua nga dy nxënësit e shkollës “Gjergj Fishta”, Klea Bilali dhe Alex Qepuri. Këngën, Në një flamur të pandarë- kënduan Klea, Ajla, Emeli, Bora, Alisja, Wendy, Uarda, Parta dhe Kamila. Këngën, E kam emrin kosovar- këndoi, Uarda Bilali. Vjershën “17 shkurti” recituan: Alisia Durra, Alex Qepuri dhe Emeli Marku. Këngën, Kuq e zi- këndoi Wendy Bilali, shoqëruan ne valle nxënësit e shkollës Gjergj Fishta. Këngën, A vritet pafajësia- këndoi Klea Bilali. Tre vëllezërit recituan vjersha kushtuar Kosovës -recituan: Dritëroi, Shqiptari dhe Albin Mulaj. Këngën, Pa duvak skam me dal nuse – këndoi, Emeli Marku. Vjershën, Adem Jashari- recitoi, Parta Loxha. Vjershën, Gëzuar Kosovë– recitoi, Ajla Durra. Këngën, Të fala Shqipe- kënduan, Alex Qepuri e Alisia Durra. Vjersha e urime, Pavarësia e Kosovës- recituan: Aron Domi, Bojken dhe Era Bajraktari. Këngën, Oj Kosovë sa fort të dua -kënduan, Ajla Durra dhe Kamila Marku. Vjershën, Mirë se erdhe Pavarësi – recitoi, Wendi Bilali. Këngën, Jam Kosovë, jam Dukagjin- këndoi, Parta Loxha. Vjershën: Alfabeti ynë-recitoi Uarda Bilali. Vallen e Rugovës- kërcyen nxënësit e shkollës shqipe “Gjergj Fishta”. Vjershën: Pavarësia- recitoi Kamila Marku. Këngën, Jam Kosova e shqiptarisë- këndoi, Klea Bilali. Vargjet e të madhit, Mitrush Kuteli: Jam shqiptar, jam kosovar- interpretoi Klaudio Turkaj. Vallja e Pavarësisë ishte qershi mbi tortë ku nxënësit e veshur me kostume popullore dhe të UÇK-së performuan në skenë dhe përcollën emocione të veçanta për të pranishmit.
Në mbyllje të koncertit fjala iu dha edhe bashkëthemelueses të shkollës “Gjergj Fishta”, mësuese Fabjola (Gjinaj) Marku, e cila falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë ditë të veçantë në 18- vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu, ajo përgëzoi nxënësit e shkollës “Gjergj Fishta” për përformancën e shkëlqyer, ku nëpërmjet recitimeve, këngëve e valleve shqiptare dhuruan emocione të forta. Në mbyllje të fjalës saj, mësuese Fabjola theksoi se çdo sukses është i përbashkët dhe i shërben të ardhmes dhe trashëgimisë shqiptare në diasporë, si dhe shprehu mirënjohje për prindërit e shkollës të cilët janë mbështetës të rëndësishëm që fëmijët e tyre të angazhohen që të mësojnë gjuhën shqipe dhe të kultivojnë traditat shqiptare këtu në Amerikë.
Mësuese Dorina Durra uroi Pavarësinë e Kosovës dhe përgëzoi nxënësit për profesionalizmin dhe emocionet e bukura që dhuruan nxënësit e shkollës shqipe nëpërmjet recitimeve, këngëve e valleve shqiptare zbukuruan aktivitetin.
Festa vazhdoi deri vonë me muzike shqiptare e ushqime tradicionale shqiptare për të gjithë të pranishmit, organizuar nga “Vatra” Long Island. Ngjarje dhe aktivitete kulturore shqiptare, po bashkojnë gjithnjë e më tepër bashkatdhetarët në Long Island, falë organizimit të degës “Vatra” Long Island dhe shkollës shqipe “Gjergj Fishta” N.Y komuniteti shqiptar ruan vlerat e traditën shqiptare si dhe kultivon ndër breza nëpërmjet gjuhës, historisë e trashëgimisë tonë shqiptare në diasporë. Gëzuar për jetë e mot, Kosova jonë e Lirë dhe e Pavarur! Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët!