


Fabjola Gjinaj/
Long Island, New York, 16 Shkurt 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” dega Long Island dhe shkolla shqipe “Gjergj Fishta” në New York festuan me madhështi 17 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Kryetari i “Vatrës” Long Island, N.Y. Dr. Paulin Marku në fjalën e mirëseardhjes deklaroi se udhëtimi i shqiptareve për këtë ditë lirie ka qenë i gjatë, i mundimshëm dhe me sakrifica të mëdha në jetë njerëzish të moshave të ndryshme, fëmijë, të rinj e të reja, të moshuar dhe me dëme kolosale ekonomike, sociale e kulturore. Kosova është vatra e shqiptarisë ku u organizuan shumë beteja luftarake, politike e diplomatike. Ndërhyrja e NATO-s në luftën e Kosovës ishte dëshmi e mbrojtjes së vlerave njerëzore, beteja për çlirimin e Kosovës dhe mposhtjen e Serbisë. Kosova luftoi për lirinë e pavarësinë, për çlirimin, për të drejtat e njeriut dhe për standarde jetese multi-etnike. Pikërisht këto janë bazat e konceptit te sigurimit të të drejtave të njeriut në Kosovë të cilat ishin sfida te mëdha dhe në qarqet ndërkombëtare drejt Pavarësisë se Kosovës. Lufta në Kosove ishte shumë e ashpër, u humbën shumë jetë njerëzish, disa prej të cilëve nuk kanë as një varr ku të hidhet një grusht dhè për të kujtuar me mall dhe dhimbje të afërmit e tyre. Për shqiptarët e Kosovës, Pavarësia ishte një moment kyç që vendoste të ardhmen e tyre. Sot Kosova zhvillohet e përparon në rrugën euroatlantike duke qenë një histori frymëzimi e suksesi, theksoi ndër të tjera, studiuesi, Dr. Marku.
Imam Edin Gjoni në fjalën përshëndetëse të lexuar nga zonja Malvina Bilali theksoi se nuk mund të flasim për Pavarësinë e Kosovës pa shprehur falënderim të sinqertë dhe mirënjohje të thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë qëndruar krah për krah me shqiptarët në ditët më të vështira. Me përkushtimin dhe mbështetjen e tyre të palëkundur, SHBA luajti një rol vendimtar jo vetëm për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, por për të drejtat dhe lirinë e shqiptarëve kudo. Thellësisht jemi mirënjohës SHBA për ndihmën, për besimin dhe për miqësinë e pathyeshme me popullin shqiptar!
Prof. Dr. Luigj Gjoka në kumtesën e tij theksoi se procesi i pavarësimit të Kosovës kaloi nëpër disa etapa. E nisën intelektualët patriotë e idealistë, të udhëhequr nga Dr. Ibrahim Rugova e përshpejtuan brigadat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e vulosen shtetet e NATOS, të udhëhequra nga SHBA. Dr Rugova, për realizimin e pavarësisë së Kosovës, zgjodhi rrugën gandiste të rezistencës paqësore dhe krijimin e institucioneve të Kosovës, të pavarura nga Beogradi. Dr. Rugova ndërmori një varg vizitash diplomatike në vende të Bashkimit Evropian dhe ShBA për të shpalosur vizionin e tij për një Kosovë të pavarur e demokratike, si dhe të hapur si ndaj Shqipërisë ashtu dhe Serbisë. Rugova në çdo takim me shefa shtetesh, ndër të tjera, sillte para tyre argumente historike e politike se Kosova e sotme, ish Dardania e dikurshme, i plotësonte kushtet për të qenë shtet më vehte në bashkësinë e kombeve europiane. Më ngjajnë proverbiale fjalët e ish presidenti Italian Giorgio Napolitano: “Nëse Rugova do të ishte amerikan, do ta kishte pushtuar botën me diplomaci” deklaroi në kumtesën e tij Prof. Dr. Luigj Gjoka.
Ish drejtori i “Zërit të Amerikës” për Europën z. Fran Shkreli, në kumtesën e lexuar nga zonja Borana Coka, shprehet se në 17-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës le të kujtojmë dhe të përulemi me nderim e respekt para rilindësve të vërtetë të kombit duke filluar me Gjergj Kastriotin-Skenderbeun në Lezhë, Abdyl Frashërin në Prizren, bashkë me zbritjen në Vlorë të Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Pandeli Cales, Isa Boletinit, e të tjerëve. Në veshët e çdo shqiptari të vërtetë kudo, sot, veçanërisht, jehon edhe kushtrimi i Adem Jasharit, e i Ibrahim Rugovës, por edhe i Bajram Currit, Ded Gjon Lulit, Mihal Gramenos dhe i Çerçiz Topullit dhe i heronjëve më të ri të Kombit që kanë dhenë jetën në luftën për liri e pavarësi të Kosovës. Shqiptarët janë ndër të parët e njerëzimit, me një histori të gjatë e cila është e shkruar me penë, por edhe më shumë ajo histori është shkruar me gjak, theksonte Fran Shkreli.
Prof. Dr. Roland Gjini mbajti kumtesën “Federata “Vatra”, gazeta “Dielli” dhe liria e pavarësia e Kosovës”. Në të ai theksoi rolin e dukshëm që luajti kjo federatë me anë të gazetës së saj, “Dielli” jo thjesht në mbështetje të luftës së popullit të Kosovës për të fituar lirinë e pavarësinë nga pushtuesi serb, por edhe më gjerë. Veçanërisht në ngjarjet e viteve 1981, 1989-1991 dhe 1998-1999 Federata “Vatra” dhe shkrimet e gazetës “Dielli” sensibilizuan jo vetëm opinionin amerikan por edhe institucionet e këtij vendi për drejtësinë e kauzës kosovare, nga njëra anë, por edhe për dënimin e veprimeve të dhunshme deri në genocid të autoriteteve serbe ndaj protestave të ligjshme të popullit shqiptar të Kosovës. Një ndihmesë të veçantë “Vatra” e “Dielli” dhanë në ndërgjegjësimin e Presidentit dhe Kongresit amerikan në fillim të vitit 1999 për domosdoshmërinë e goditjes së regjimit serb dhe në marrjen e vendimit për bombardimin e Serbisë nga NATO, për ta detyruar Serbinë të ndërpresë reprezaljet ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe për të tërhequr trupat ushtarake nga ky vend. Po kështu, theksoi kumtuesi, SHBA ishte përkrahësja kryesore e Kosovës në rrugën e saj drejt pavarësisë, pas fitores së lirisë, e kurorëzuar me sukses në 17 shkurt 2008, theksoi ndër të tjera Prof. Gjini.
Themeluesja e shkollës shqipe “Skenderbej”, mësuese Adelina Lacaj bashkë me mësuesen Gela Bulku në fjalën e tyre përgëzuan punën patriotike, edukative dhe kulturore të themeluesve të shkollës shqipe “Gjergj Fishta” Dr. Paulin Marku e mësuese Fabjola Gjinaj si një mundësi të shkëlqyer që fëmijët shqiptarë të ruajnë gjuhën, kulturën e traditat kombëtare në Amerikë. Shkrimtari z.Prend Ndoja në fjalën e tij kujtoi me dhimbje të madhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës dhe sakrificat për Kosovën e lirë dhe të pavarur. Përulemi me nder e respekt përpara çdo familje që humbi familjaret e tyre për çlirimin e Kosovës. I urojmë suksese dhe përparimin kombit shqiptar, tha ndër të tjera shkrimtari Ndoja.
Themeluesja e shkollës shqipe “Gjergj Fishta” mësuese Fabjola Gjinaj deklaroi se kujtoj vitin 2008 kur festuam festën e parë të Pavarësisë se Kosovës në një shkollë në Shqipëri, ndërsa sot plot emocione si bashkëthemeluese e shkollës shqipe “Gjergj Fishta” në New York po festojmë 17 vjetorin e Kosovës me këta fëmijë të mrekullueshëm që janë në gjendje të dalin në skenë për të performuar me kënge, valle e recitime në gjuhën e shenjtë të kombit tonë. Gjatë fjalës së saj falënderoi prindërit për bashkëpunimin, përkushtimin e lidhjen shpirtërore pasi ne nuk jemi thjesht një shkollë shqipe por më shumë se aq, jemi një familje e madhe bashkatdhetarësh që kultivojmë gjuhën dhe traditën tonë kombëtare, tha ndër të tjera bashkëthemeluesja e shkollës shqipe “Gjergj Fishta” Fabjola Gjinaj.
Aktiviteti muzikor me recitime, këngë e valle i prezantuar mjeshtërisht nga sekretari i degës “Vatra” Long Island, N.Y. Klaudio Turkaj vijoi si më poshtë:
“A vritet pafajësia”-Alisja Durra, “Jam Kosova e shqiptarisë” – Klea Bilali, “Kosova ime” – Wendy dhe Uarda Bilali, “Duaje atdheun tënd” – Ajla Durra, “Rrjedh ne këngë e ligjërime” – Wendy Bilali, “Këndoj shqip në Amerikë” – Emeli Marku, “Vallja e Rugovës” – nxënësit e shkollës “Gjergj Fishta”, “Mora fjalën” – Bora dhe Barta’ poezia e poetit Prend Ndoja “Gëzuar Kosovë” – Alisja Durra, “Udhët e gjyshit” – vëllezërit Dritëro, Shqiptar e Albin Mulaj, “Për ty Kosovë” – Ajla Durra, “Shqipëri o nëna ime” – Kamila Marku dhe Uarda Bilali, “Pogonishte” – nxënësit e shkollës “Gjergj Fishta”, “Urimet për Pavarësinë e Kosovës” përcollën edhe William e Adrienne Gega, Bojken Bajraktari dhe Aron Domi, “Unë jam shqipe nga Kosova” – Emeli Marku dhe Alex Qepuri, “Vallja e Pavarësisë” – nxënësit e shkollës shqipe “Gjergj Fishta”, “E kam emrin kosovar” – Olivia Kokona, “Kosovë–Shqipëri jeni vllazni” – Arnisa dhe Arnis Muçaj. Programi artistik, kulturor dhe atdhetar kushtuar pavarësisë së Kosovës u përmbyll me vallen e “Pavarësinë” kërcyer me emocion e pasion nga nxënësit e shkollës shqipe “Gjergj Fishta”. Gëzuar Kosovë, në shekuj të shekujve nga “Vatra” Long Island dhe shkolla shqipe “Gjergj Fishta” New York.