Patriotët e Vatrës në Long Island zhvilluan një vizitë zyrtare në Selinë Qendrore të Federatës Vatra. Kryetari Dr. Paulin Marku, nënkryetari Afrim Gega, arkëtari Besnik Bajraktari, sekretari Klaudio Turkaj e mbështetësi i grupit nismëtar David Turkaj të cilët u pritën nga arkëtari i Vatrës Besim Malota, këshilltari për art e kulturë Nazim Salihu dhe editori i Diellit. Në fjalën e mirëseardhjes arkëtari z.Malota përgëzoi degën më të re të Vatrës me 45 anëtarë, vlerësoi seriozitetin dhe angazhimin maksimal të patriotëve që drejtojnë degën dhe vlerësoi punën e çmuar atdhetare për shkollën shqipe “Gjergj Fishta”. Nga ana tjetër kryetari i Vatrës në Long Island dhe themeluesi i shkollës shqipe Dr. Paulin Marku shprehu vlerësim e mirënjohje për Federatën Vatra, falenderim kryetarit Dr. Elmi Berisha, Kryesisë e Këshillit, gazetës Dielli, ekipit drejtues të degës në Long Island, patriotëve që po bashkohen me Vatrën, prindërve dhe fëmijëve që po i japin jetë shkollës shqipe “Gjergj Fishta” e komunitetit shqiptar në Long Island. Ndër të tjera Dr. Marku tha se qëllimi i Vatrës e Shkollës është për ti shërbyer kombit, atdheut dhe komunitetit shqiptar në Long Island për avancimin e çështjes kombëtare dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.