



Sokol Paja/
Fort Lauderdale, Florida, 28 Nëntor 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, dega Miami e udhëhequr nga patriotja e shkëlqyer, përfaqësuesja më e denjë e vlerave të nalta kombëtare të femrës shqiptare Dr. Iris Halili, bashkoi shqiptarët e Floridës në festën e Flamurit Kombëtar dhe të 112 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Me pjesëmarrjen e patriotëve, intelektualëve, diplomatëve, aktivistëve e veprimtarëve të çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës e shqiptarëve të mrekullueshëm nga Florida, New York, Boston, Michigan, Texas, Arizona, California etj festuan me orë të gjata festën më të shenjtë e më të shtrenjtë të kombit e shtetit shqiptar, Pavarësinë.
Dalja nga robëria në liri më 28 Nëntor 1912 shënon kthesën historike të shqiptarëve, përkatësinë dhe orientimin e tyre të përjetshëm në qytetërimin perëndimor. Në këtë ditë të shenjtë të nderimit të firmëtarëve të Pavarësisë, luftëtarëve, heronjve e dëshmorëve të Atdheut, shqiptarët nderuan sakrificat për liri e pavarësi të shqiptarëve në shekuj. Këngëtarja e shquar e muzikës popullore shqiptare Merita Halili pasi këndoi himnin kombëtar shqiptar dhe amerikan, mrekulloi mërgimtarët me këngën emocionale “Moj e bukura more”.
Kryetarja e Vatrës Miami Dr. Iris Halili theksoi se festa e Pavarësisë, 28 Nëntori i Madh, është festa që ka bashkuar dhe vazhdon të bashkojë të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë! Më 28 Nëntor 1443, në kalanë e Krujës, Skënderbeu ngriti për herë të parë Flamurin e Kastriotëve, duke rikthyer shpresën e lirisë për Arbërinë. 460 vjet më vonë, në të njëjtën date, u ngrit Flamuri Kombëtar në Vlorë, duke shpallur Pavarësinë e Shqipërisë. Sot, 112 vjet pas kësaj ngjarjeje madhore, komuniteti shqiptar i Floridës së Jugut, për herë të parë në historinë e tij, e ngriti Flamurin Shqiptar në qiellin e këtij vendi, tha ndër të tjera Dr. Iris Halili. Ajo tregoi për të pranishmit sukseset e Klubit Patriotik “Flas Shqip” dhe theksoi se gjuha shqipe është pasuria më e madhe kombëtare që kemi. Ajo na lidh më shumë se çdo gjë tjetër dhe na identifikon si komb. Është arsyeja që na bën të qëndrojmë krenarë dhe të bashkuar. Prandaj është mision kombëtar ta mbrojmë, ta mësojmë dhe ta përcjellim atë brez pas brezi.
Pas fjalës së rastin Dr. Iris Halili në emër të Vatrës Miami nderoi me mirënjohje familjen Jacoby për ndihmën e jashtëzakonshme në komunitetin shqiptar në Florida dhe Editorin e Diellit për punën e shkëlqyer në shërbim çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës.
Kolosi i diplomacisë shqiptare dhe penëarti i letrave shqipe z.Pëllumb Kulla u shpres se festa e Flamurit Kombëtar është festa më përbashkuese për të gjithë shqiptarët pa dallim politike e feje, ndërsa fjalë përshëndetëse mbajti dhe veprimtari i çështjes kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës z.Marjan Cubi, 42 vite në shërbim të atdheut e komunitetit shqiptar në Amerikë, me kontribute themelore për Kishën Zoja e Shkodrës, Federatën Vatra, e Lidhjen Demokratike të Kosovës në Amerikë.
Fëmijët shqiptarë të Klubit Patriotik “Flas Shqip” mrekulluan të gjithë të pranishmit me një recital këngësh patriotike të mësuara në klasat e gjuhës shqipe.
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra me mbështetjen për shkollat shqipe në New York, New Jersey, Philadelphia, Florida, Connecticut e Missouri, me flamuj kombëtarë, abetare, libra shqip e gazeta Dielli, i ka bërë një shërbim të vyer kauzës kombëtare e mërgatës shqiptare në SHBA për ruajtjen e gjuhës shqipe, historisë shqiptare dhe identitetit kombëtar.
Askush si Vatra sot nuk nderon e përfaqëson mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke udhëhequr me dinjitet dhe krenari proceset kombëtare dhe veprimtarinë atdhetare e kulturore të komunitetit shqiptar në Amerikë. Shkolla shqipe “Vatra” në Tampa – Florida, “Gjergj Fishta” në Long Island – New York e Klubi Patriotik “Flas Shqip” në Miami përbëjnë sukses për Vatrën, lumturi për komunitetin e krenari për kombin. Nën udhëheqjen e Federatës Vatra e promovimin e gazetës Dielli, mbi 200 fëmijë shqiptarë mësojnë gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare në Amerikë. Profesoresha e letërsisë Dr. Iris Halili, themeluesja e Klubit Patriotik “Flas Shqip” sot mëson 75 fëmijë shqiptarë në katër klasa shqipe në: Miami, Hollywood, Boca Raton dhe West Palm Beach me mësueset: Liljana Rrumbullaku, Ana Liko, Mirela Lëvonja, duke i dhënë kombit e komunitetit shqiptar një të ardhme të ndritur e të sigurtë identitare kombëtare shqiptare. Investimi patriotik, edukativ e kulturor te fëmijët shqiptarë është investim i pastër kombëtar.
Nën prezantimin e editorit të Diellit, regjinë dhe skenografinë mediatike të z.Nazim Salihut (Noli Tv) dhe tingujt e ëmbël të Merita Halilit, Raif Hysenit, Kino Gara, Ernest Muhaxheri, Sevim Umer, Adrian Arsllan si grup muzikor, mbrëmja e Pavarësisë te Vatra Miami shënoi një sukses dhe krenari kombëtare pasi Vatra historikisht i ka bashkuar, promovuar, integruar e nderuar shqiptarët e Amerikës dhe trojeve etnike. Vatra është aset i çmuar kulturor e shpirtëror. Vatra është nderi i kombit shqiptar, Vatra është krenari kombëtare, është histori e lavdishme, është dinjitet dhe identitet historik kombëtar për çdo shqiptar.
Rroftë Vatra, rroftë Dielli, rroftë Kombi Shqiptar.