Dr. Iris Halili
Kryetare e Vatra Miami/
Vatra Miami ka si mision të saj kryesor të mbledhë rreth vetes çdo bashkëatdhetar që ka emigruar në Floridën e Jugut, nga të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët. Kjo iniciativë synon të bashkojë të gjithë shqiptarët, pavarësisht prejardhjes gjeografike apo dialektit. Për Vatra Miami, ajo që na bashkon është gjuha, atdhedashuria dhe mbi të gjitha, ndjenjat e përbashkëta shqiptare që na bëjnë të jemi një komb.
Në këtë frymë, Vatra Miami zhvilloi një takim të ngrohtë dhe mbresëlënës me komunitetin e diasporës shqiptare të ardhur nga rajonet e Kosovës dhe me banim në rrethin e Palm Beach-it. Iniciativat paraprake të këtij takimi kanë ardhur falë mikpritjes dhe zemrës së madhe të zonjës së nderuar nga Kosova, Dr. Vlora Sulejmani. Takimi i fundit i zgjeruar u organizua falë punës aktive të zonjës Tina Jakupi, e cila po përpiqet të kontaktojë bashkëatdhetarët biznes në biznes apo kudo ku ata jetojnë apo punojnë në zonën e Palm Beach, ku edhe ajo jeton me familjen. Zonja Jakupi ka lindur në SHBA, por mban shumë të gjalla lidhjet me tokën e të parëve të saj në Gostivar dhe gjithashtu mban të gjalla të gjitha lidhjet me bashkëatdhetarët e saj nga çdo vis i Shqipërisë. Ajo, së bashku me zonjën Sulejmani, tashmë janë bërë anëtare të Vatra Miami dhe po bëjnë një punë shumë dinjitoze në zgjerimin e shoqatës me sa më shumë bashkëatdhetarë.
Mesazhi i Vatra Miami në këtë takim ishte i qartë: Shqipëria e bashkuar fillimisht ekziston në zemrat tona, pastaj në mëndjet tona, dhe më pas në zgjedhjet tona, dhe ja ku jemi të gjithë të bashkuar në tokën ku kemi fatin të jetojmë në vetëm në harmoni. Ne që jetojmë në Floridën Jugore duhet të jemi gjithmonë të gjithë bashkë, të ndihmojmë njëri-tjetrin, të forcojmë lidhjet mes nesh, t’i bëjmë biznes njeri-tjetrit, dhe vetëm kështu Shqipërinë e bashkuar do ta kemi te Vatra Miami dhe te Klubi Flas Shqip, ku të gjithë flasim shqip sepse jemi shqiptarë, dhe ku portreti i Skënderbeut na nderon dhe na bashkon sipas amanetit të tij të madh se vetëm bashkë mund të fitojmë çdo betejë dhe të jemi më të fuqishëm!
Në takim u diskutua për historinë e Vatra-s, qëllimin e saj kryesor që është ruajtja e gjuhës dhe traditës shqiptare, dhe vlerën e Klubit Flas Shqip, që po mbledh bashkë fëmijët tanë dhe do t’u dhurojë atyre gjuhën e nënës dhe bashkë me të, uratat e saj që tingëllojnë më bukur në gjuhën amtare. Gjatë këtij takimi, zonjat e pranishme nga qytetet e Boynton Beach dhe Lake Worth kërkuan të regjistrojnë fëmijët e tyre në klasat e klubit ku mësimi i gjuhës zhvullohet falas. Kjo solli fillimin e punës për hapjen e një klasë tjetër, si rezultat i numrit të madh të nxënësve që u propozuan t’i shtohen Klubit Flas Shqip, që tashmë do të ketë katër klasa me afro 60 fëmijë , një arritje kjo e madhe në një periue tdhë kohe vetëm disa mujore. Në takim morri fjalën edhe mësuesja vullnetare e klasës së qytetit West Palm Beach, zonja Liljana Rrumbullaku , e cila ndër të tjera theksoi vullnetin e saj të mirë për ti shërbyer komunitetit pas mëse 20 vitesh pune si mësuese në Tiranë dhe SHBA. Vatra Miami dhe Klubi Flas Shqip falënderojnë të gjitha zonjat pjesëmarrëse për kohën, dashamirësinë e treguar.
Ky takim do të pasohet me një seri takimesh në qytete të tjera të Floridës së Jugut. Në kohën e emigracionit të madh drejt SHBA-së, si dhe migrimit brenda territorit të SHBA-së, është shumë e rëndësishme që çdo degë e Vatrës të njihet me numrin dhe popullsinë e bashkëatdhetarëve në zonën ku ajo vepron. Pikërisht për këtë, Vatra Miami ka si qëllim kryerjen e një censusi për njohjen e shqipfolësve në zonën e saj dhe inkurajon të gjitha degët e tjera të përpiqen të plotësojnë sa më mirë këtë database, si dhe të përpiqemi të përcjellim thelbin e krijimit dhe mbijetesës 113-vjeçare të Vatra-s që është sa i thjeshtë në dukje por që shpesh bëhet shumë i vështirë në realitet: të duam dhe ndihmojmë njëri-tjetrin se jemi shqiptarë dhe flasim një gjuhë nuk ka rëndësi nga vijmë. Vetëm kështu do i ruajmë të gjalla vlerat kombëtare dhe do mund të jemi më të aftë të ndihmojmë fatet e vëllezërve tanë përtej oqeanit ! Modeli i bashkimit kombëtar fillon nga ne! Ai më shumë se gjeografik është dhe mbetet shpirtëror!