*Të Shtunën, 22 Gusht 2020, Kryetari i Vatrës, Elmi Berisha u dorëzoi bijave të vatranit fisnik Jonuz Ndreu, Mirënjohjen e Artë-Postmortem, për kontributin 50 vjeçar të babait të tyre në VATËR-
*E bija, Desi Ndreu,u antarësua në Vatër, për të mos e lënë bosh vendin e të atit dhe dhuroi për Federatën dhurime e familjes dhe komunitetit në përcjelljen e Jonuz Ndreut.
Me 22 gusht 2020, të shtunën në mëngjes, Kryetari i Vatrës, z. Elmi Berisha, priti vajzat e Jonuz Ndreut. Ai shoqërohej nga sekretarja e Vatrës Nazo Veliu, arkëtari Marjan Cubi, anëtar i Kryesisë Anton Raja dhe Kryeredaktori i Diellit Dalip Greca. Motrat Ndreu shoqëroheshin nga nipi Jonuz Ndreut, anëtar i Këshillit të Vatrës , Çezar Ndreu.
Kryetari Berisha ka vlerësuar kontributin më se 50 vjeçar të Jonuz Ndreut në Federatën Panshqiptare të Amerikës” VATRA”, duke e përshkruar atë si një ikonë vatrane në shërbim të Kombit, ashtu siç ka bërë në shekuj e gjithë familja e Madhe Ndreu.
Jonuz Ndreu ishte një ndër anëtarët e vjetër dhe besnik të Vatrës, dhe Vatra ndjehet e keqardhur për vdekjen e tij. Ai do t’i mungojë shumë Vatrës dhe vatranëve, por kurrë nuk do të harrohet. Ndërkohë e bija Desi Ndreu, tha se kishte marrë vendimin, që në respekt të të Atit dhe të Vatrës, që ai e deshi aq shumë, të anëtarësohej në Vatër, gjë që e bëri fakt të kryer, duke plotësuar formularin dhe duke paguar anëtarësinë. Vendi i babait, nuk do të mbesë bosh. Misioni vatran i familjes Ndreu vazhdon.
Në fakt Desi ka disa vitë që nuk është ndarë nga veprimtaritë e Federatës Vatra. Ajo shoqëronte atin e saj,që nuk mungonte në veprimtaritë e Vatrës edhe pse ai qëndron në karrocë prej paralizës. Jonuzi nuk ndahej nga Vatra për Festën e Flamurit e të Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe Pavarësisë së Kosovës. Shumë prej kushërinjëve dhe miqëve të Jonuzit e shoqëronin në raste të tilla, së bashku bëheshin mbi 2 veta. Në kujtesën Vatrane mbetet dhe Torta gjigande Kuq e Zi me ngjyrat e Flamurit Kombëtar, që Jonuzi sillte në Festën e Flamurit. Anëtarësimi i Desit në Vatër është një sinjal për komunitetin dhe miqtë e fisnikut Jonuz Ndreu. Siç e shoqëronin nëpër festa, ata duhet që së bashku të bëhen pjesë e Vatrës historike, në vijim të Misionit Kombëtar të Vatrës në mbi 108 vite histori, mision që Jonuz Ndreu e kishtë bërë pjesë të zemrës dhe të shpirtit. Jonuzi e deshi me shpirt Vatrën në të gjallë të tij, dhe pas vdekjes, shpirti i tij fisnik vazhdon e kontribuon për Vatrën.Ai e deshi Vatrën të bashkuar dhe në krye të Komunitetit, vend që ia jep historia dhe bëmat e saj Kombëtare. Kjo nuk mund të harrohet!
Kryetari i Vatrës, z. Berisha, i dorëzoi së bijës, Mirënjohjen e Artë(Pas vdekjes) për kontributin e jashtzakonshëm 50 vjeçar. E bija, Desi Ndreu, falenderoi në emër të familjes NDREU. Përmes lotëve ajo vlerësoi lidhjet shpirtërore të babait të saj me Vatrën dhe Vatranët deri në momentin e fundit të jetës!
Desi Ndreu dhuroi për Federatën kontributet dhe dhurimet për kurorat e luleve të komunitetit dhe të familjes, në përcjelljen e Jonuz Ndreut.
Pjesmarrësit në këtë ceremoni simbolike dhe nderuese shprehën vlerësime për atdhetarin dhe vatranin Jonuz Ndreu: Nazo Veliu, Marjan Cubi, Çezar Ndreu, Anton Raja dhe Dalip Greca, sollën kujtime e vlerësime.
Shembulli që dha e bija e jonuz Ndreut, duke zënë vendin e të atit, është një orientim dhe sinjal që duhet ta kapin në kohë bijtë e vatranëve. Misioni i Vatrës vijon, pas etërve nga bijtë e bijat e vatranëve, që me shembullin e tyre tërheqin rreth Vatrës komunitetin.
Faleminderit DESI! Pushoftë në Paqe Shpirti i Njeriut Fisnik Jonuz Ndreu!(Dielli)