



Sokol Paja/
New York, 4 dhjetor 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra nderoi me “Mirënjohje e Artë” kryetarin e Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama me motivacion: “Në shenjë vlerësimi e nderimi për kontributin e jashtëzakonshëm në transformimin dhe zhvillimin urban, kulturor e arkitekturor të Prishtinës, për vizionin modern, modelin, shembullin, lidershipin e inovacionin, për integritetin e lartë profesional, si mik i ngushtë i Federatës Vatra e diasporës shqiptaro-amerikane”.
Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i Vatrës Dr. Elmi Berisha vlerësoi kryekomunarin Rama për punën e shkëlqyer në Prishtinë dhe respektin e veçantë, kujdesin e dashurinë për diasporën shqiptaro-amerikane me kontributin e saj të madh në themelimin e shtetit shqiptar dhe të Kosovës siç një ndër ta është dhe Harry Bajraktari. Dr. Berisha kujtoi në detaje kryekomunarit Rama transformimet në Prishtinë, vizionin, proceset urbanizuese, ndryshimet rrënjësore në kryeqytetin e Kosovës. Dr. Berisha përveç se i ofroi mbështetje i kërkoi z.Rama që diasporës shqiptaro-amerikane ti jepet më shumë hapësirë për të dhënë kontributin e saj në proceset politike.
Kryetari i komunës së Prishtinës z. Përparim Rama shprehu kënaqësi të veçantë për të qenë në Federatën Vatra, institucionin që ka ndihmuar në themelimin e shtetit shqiptar dhe të Kosovës dhe vlerësoi rolin e mërgatës shqiptaro-amerikane për ndryshime thelbësore në dobi të shtetit shqiptar. Z. Rama vlerësoi Vatrën si një institucion mbarëshqiptar me një histori më vete e cila ndihmuar shqiptarët kudo, veçanërisht në trojet etnike. Z. Rama tregoi se përveç sukseseve kombëtare, po intensifikon përpjekjet për krijimin e kushteve për të thithur bizneset amerikane e shqiptaro-amerikane për të investuar në Kosovë. Bashkëpunimi me Amerikën forcon rrënjët e kombit tonë, u shpreh z.Rama teksa theksoi se po investohet maksimalisht në kreativitet, inovacion, teknologji, sport dhe art. Në fund të fjalës falënderoi diasporën shqiptaro-amerikane për kontributin e jashtëzakonshëm për lirinë e Kosovës.
Veprimtari i shquar i çështjes kombëtare z.Harry Bajraktari “Nderi i Kombit” në fjalën e tij përgëzoi kryekomunarin Rama për transformimin dhe zhvillimin e shkëlqyer të kryeqytetit të Kosovës, përmendi sfidat me të cilat ndeshet Kosova, dhe ftoi qytetarët të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit për ata politikanë që do të zhvillojnë Kosovën.
Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj theksoi se Vatra do jetë gjithmonë një urë lidhëse mes gjeneratave. Pas vlerësimit kryetari i Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama deklaroi se “këtë nderim do ta mbaj me zemër e me shumë krenari e kjo më shtyn të punoj edhe më shumë për kombin shqiptar”.