

Sot pasdite, një delegacion i nivelit të lartë i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, i kryesuar nga Kryetari Dr. Elmi Berisha, së bashku me Zv/Kryetarin Alfons Grishaj, Sekretarin e Përgjithshëm Mondi Rakaj, Arkëtarin z. Ilir Cubi dhe Dr. Dritan Demiraj, zhvilloi një takim të rëndësishëm në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Delegacioni zhvilloi bisedime dhe analiza me përfaqësuesit përgjegjës për çështjet e Ballkanit, Shqipërisë dhe Kosovës, përfshirë znj. Sierra Bandad dhe z. Andrew Carusso.
Diskutimet u zhvilluan në një frymë të hapur, konstruktive dhe përgjegjësie të përbashkët për zhvillimet aktuale në Shqipëri, Kosovë dhe rajon.
Një pjesë e rëndësishme e bisedës iu kushtua situatës politike në Shqipëri, protestave qytetare, respektimit të standardeve demokratike dhe shtetit të së drejtës. Në këtë kuadër u diskutua rëndësia e zhvillimit paqësor të protestave, luftës së pakompromis kundër korrupsionit dhe shkëputjes së çdo lidhjeje ndërmjet politikës, institucioneve shtetërore dhe krimit të organizuar.
Në diskutime u trajtua gjithashtu rëndësia e thellimit të bashkëpunimit shqiptaro-amerikan në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe pritshmëritë që lidhen me ardhjen e Ambasadorit Eric Wendt. Zhvillimet e fundit në luftën kundër korrupsionit, përfshirë çështjen e Ergys Agasit, u diskutuan në kontekstin e domosdoshmërisë që goditja ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar të vazhdojë me vendosmëri, pa selektivitet dhe pavarësisht lidhjeve politike.
Kryetari i VATRËS, Dr. Elmi Berisha, shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet amerikane dhe rikujtoi lidhjen historike të VATRËS me SHBA-në, duke sjellë në vëmendje edhe angazhimin e saj gjatë proceseve demokratike shqiptare të tri dekadave të fundit.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua Kosovës. Dr. Berisha ngriti shqetësimet lidhur me mungesën e konsensusit politik për zgjedhjen e Presidentit, si dhe çështjen e gazit të lëngshëm amerikan, të konsideruar me rëndësi strategjike për sigurinë energjetike, pavarësinë dhe zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst u theksua rëndësia e ruajtjes së arritjeve të ndërtuara përmes më shumë se dy dekadave të angazhimit të administratave të ndryshme amerikane në Kosovë.
Delegacioni i VATRËS diskutoi gjithashtu shqetësimet e tij lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së në Hagë dhe zhvillimet që lidhen me këtë proces.
Situata në Maqedoninë e Veriut ishte një tjetër çështje e rëndësishme e diskutimeve. Dr. Berisha theksoi domosdoshmërinë e përmirësimit të pozitës dhe përfaqësimit të faktorit shqiptar, në përputhje me parimet e barazisë politike dhe institucionale.
Zv/Kryetari Alfons Grishaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen historike që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë, Kosovës dhe kombit shqiptar, duke vlerësuar rolin e jashtëzakonshëm amerikan në momentet vendimtare të historisë sonë moderne.
Dr. Dritan Demiraj paraqiti një analizë të detajuar të situatës së protestave në Shqipëri, shkaqeve dhe kërkesave të qytetarëve, si dhe kundërshtimeve ndaj pesë ligjeve të fundit që konsiderohen nga një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik si të dëmshme për interesin publik. Ai ngriti shqetësimet lidhur me korrupsionin, depërtimin e krimit të organizuar në politikë dhe institucione, si dhe domosdoshmërinë e forcimit të integritetit të institucioneve të sigurisë dhe rendit publik.
Në këtë kuadër u theksuan pritshmëritë e mëdha që shqiptarët kanë ndaj partneritetit strategjik me SHBA-në dhe mbështetjes amerikane për forcimin e shtetit të së drejtës, institucioneve demokratike dhe një politike të çliruar nga ndikimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sekretari i Përgjithshëm Mondi Rakaj përshëndeti ardhjen e Ambasadorit Wendt dhe theksoi pritshmëritë e larta të shqiptarëve ndaj misionit të tij. Ai nënvizoi se VATRA vazhdon të ndjekë me vëmendje dhe përgjegjësi zhvillimet politike në Shqipëri dhe Kosovë.
Arkëtari Ilir Cubi shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara për kontributin historik në çlirimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës. Ai ndau gjithashtu historinë personale dhe motivet që e shtynë djalin e tij t’i bashkohej Ushtrisë Amerikane — një dëshmi domethënëse e lidhjes së fuqishme ndërmjet komunitetit shqiptaro-amerikan dhe Shteteve të Bashkuara.
Mesazhi i këtij takimi ishte i qartë: marrëdhënia shqiptaro-amerikane nuk është thjesht një partneritet politik. Ajo është një aleancë strategjike e ndërtuar mbi histori, sakrifica, interesa dhe vlera të përbashkëta.
VATRA do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm i interesave kombëtare shqiptare në Washington dhe një urë e qëndrueshme ndërmjet shqiptarëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për institucione demokratike të forta, shtet të së drejtës, luftë reale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, siguri kombëtare dhe një partneritet strategjik të palëkundur me Shtetet e Bashkuara.
VATRA mbetet e angazhuar që miqësia historike shqiptaro-amerikane të forcohet më tej dhe që interesat kombëtare të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në rajon të mbrohen me dinjitet, përgjegjësi dhe vendosmëri.
![]()
![]()
SHBA – SHQIPËRI – KOSOVË: NJË ALEANCË E NDËRTUAR MBI HISTORI, BESIM DHE INTERESA STRATEGJIKE TË PËRBASHKËTA.