VATRA NË KOHËN E KORONAVIRUSIT- FLET KRYETARI I DEGËS TË HARTFORDIT CT, PEDAGOGU MILAIM TAHIRI/
Dega e Vatrës në Hartford është krijuar me 13 prill 2014, me nisimin dhe nën organizimin e z. Adriatik Spahiut, sot nënkryetar i Federatës, me praninë e ish kryetarit të Federatës Vatra, Dr. Gjon Buçaj.
Që nga 20 prilli i vitit 2019, kohë kur u organizua Kuvendi zgjedhor i degës në kuadër të Kuvendit të Federatës Pan Shqiptare “VATRA” për vitin 2019, dega drejtohet nga pedagogu Milaim Tahiri. Në Kuvendin zgjedhor të degës me 20 prill, nga i cili doli kryesia e re dhe kryetari i ri, ishin të pranishëm të deleguarit e qendrës, nënkryetari i atëhershëm i Federatës “VATRA” z. Agim Rexhaj dhe anëtari i Këshillit të Vatrës z. Ramadan Gashi.
Pak HISTORI:
Dega në Hartford është sot e vetmja degë e Vatrës që vepron në Shtetin e Connecticut, por që dikur ka pasë tri degë pararendëse, shumë të fuqishme dhe aktive.
Dega e parë e Vatrës në Shtetin e Connecticut është krijuar në Bridgeport. Dega mbante numrin 24 dhe ka si datë formimi 10 gusht 1913. Kryetar i parë i degës u zgjodh asokohe Zoti Kostë Hotova, një figurë e njohura vatrane, që për urtësi, gjakfohtësi e zgjuarsi, iu besuan disa herë drejtimet e Kuvendeve të Federatës. Z. Kostë Hotova u emërua nga Federata Vatra si i dërguari i saj zyrtar në Ellis Island, NY, porta ku hynin emigrantët në SHBA. Kostë Hotova u emërua në vitin 1917 për të pritur bashkatdhetarët shqiptarë që emigronin dhe kishin nevojë që të orientoheshin ,e dikush duhej t’ju përkthente. Në këtë portë gjigande emigrantësh, nga viti 1892 deri në vitin 1954, zbritën në Tokën e Lirës, mbi 12 milionë emigrantë, ndër ta dhe shumë shqiptarë, emrat e të cilëve ndodhen në muzeun e ishullit. Hotova ka qenë edhe kandidat për kryetar i Federatës VATRA. Arkëtar i parë i degës u zgjodh z. Kol J. Gode, sekretar z. Vangjel Girard dhe pleq u zgjodhën: z. Nastas L.Tolkuçi, Vasil Naum dhe Kosta Xhega.
Dega e dytë e Vatrës në Connecticut ishte ajo me numër 48 në Williamsville-Killingly, Conn, e cila e nisi procesin e formimit me 2 qershor 1915. Pleqësia e parë përbëhej nga: Kryetar Kasem Abedin Cangonji, sekretar Ali Maliq Zvezda, arkëtar Kadri Daut Belortaja, dhe pleq- Muharrem Adil Vashtemia, Mane Bitincka, Beqir Myslim Pojani.
Dega e Tretë e Vatrës në këtë shtet, ajo më me aktivitet deri vonë, ishte dega në Waterbury, e cila u formua të Dielën e 14 Shtatorit 1915. Dega mbante numrin 51 dhe kryetar i parë i saj u zgjodh Hasan Biticka, një figurë e njohur vatrane, që u përzgjodh shumë herë kryetar i Kuvendeve. Më 1925 ai shkoi në Shqipëri dhe u vendos në Korçë nga drejtonte gazetën e dytë të vatrës “Shqiptari i Amerikës”. Bitincka pati një fat tragjik, u vetëvra në rrethana misterioze në Shqipëri. Dielli dhe Vatra e vajtuan dhe e respektuan me nderime vatranin që kishte dhënë aq shumë për Shqipërinë. Arkëtar i parë i degës u caktua Hysen Aliko, sekretar Zenel H. Drizari, (I njohur si Nelo Drizari), i cili më vonë do të bëhej kryetar i degës së Vatrës me nr. 29 në New York, dhe një nga figurat qendrore të Vatrës, dishepull i Faik Konicës, mbrojtës i figurës së Mbretit Zog nga sulmet e kunërshatrëve të Shqipërisë në shtypin amerikan të kohës, Iishte i pari gazetar shqiptar i diplomuar në Columbia University më 1926, krijoi të parën katedër të gjuhës shqipe në Columbia University(1927) ndërsa nga 1936- 1939 ai do të ishte Editor i Diellit të Bostonit,më vonë(1942) ishte promovuesi i Zërit të Amerikës në gjuhën Shqipe. Pleq të parë të kryesisë të degës në Waterbury u zgjodhën në kohëformimin e degës Zotërinjtë Dhimitri S. Noli, Ali H. Çorrushi, dhe Zenel Çorrushi. Vatranët e Waterbury-t ishin pjesa më aktive e komunitetit të atjeshëm. Ali Demirali me rrethin e tij familjar, vëllezërit Bushka, Sami Kulla dhe shumë të tjerë dhanë gjithçka për vatrën. Ndoshta dega e Hartfordit do të ishte mirë që t’u afrohej pasusve vatranë të atjeshëm dhe të rikrijojë degën.
Dega e sotme e Vatrës në Hartford ka rreth vetes 30 anëtarë, duke pasur në radhët e veta një grup intelektualësh dhe shumë simpatizantë.
Po si është gjendja e sotme e degës, ndërkohë që edhe Hartfordi ashtu si i tërë shteti i Coneccticut u prek nga Koronavirusi?
Ndiqeni bisedën që organizuam me kryetarin e degës pedagogun Milaim Tahiri:
DIELLI: Përshëndetje z. Milaim! Si është gjendja shëndetsore juaja dhe e familjes në këtë kohë Pandemie? A ka njeri nga rrethi juaj familjar e miqësor të prekur nga COVID-19 ?
MILAIM TAHIRI- Ju falenderoj për interesimin. Unë dhe familja ime jemi mirë. Po ashtu edhe pjesa tjetër e familjes, që jetojnë në Europë janë fare mirë. Me informacionet që kemi edhe familjet e vatranëve dhe të miqëve këtu, në përgjithësi janë mirë. Ka 3-4 familje që janë prekur me Covid 19, mirëpo në përgjithësi e kane kaluar pa komplikime infeksionin.
DIELLI: Si është situata pandemike në Connecticut në përgjithësi, dhe në Hartford, ku ju jetoni?
MILAIM TAHIRI: Shteti Connecticut, gjeografikisht si pjesë e zonës veri- lindore, eshte godituar me fortë se pjesët tjera. Ka rreth 41 mijë e 288 të infektuar(deri ditën e djeshme, e mërkurë 27 Maj) dhe diku rreth 3 mijë e 803 te vdekur deri me tani( 34 ishte numri i viktimave për të mërkurën), rreth 30 mijë e 863 janë mbartësit aktiv të COVID-19, por duke e pasur parasysh numrin e popullsise ( rreth 3.5 million banorë) kemi numer te lartë te vdekjeve për banor. Pas shtetit te New York-it dhe New Jersey, jemi shteti i trete me mbi 1050 vdekje për 1 Milion banorë. Më së keqi eshte Fairfield county qe eshte me afër New Yorkut me diku 15 mijë te infektuar, New Haven me 11 mijë, e pastaj vjen Hartford county me rreth 10 mijë te infektuar, kurse te vdekur rrethi i Hartfordit i ka rreth 1200.
DIELLI: A u izolua Hartfordi? A u morën atje masa strikte kufizuse?
MILAIM TAHIRI: Masat u morën, por une mendoj se pak me vonesë. Masat janë deri diku strikte, por nuk mendoj se janë respektuar me seriozitet nga popullata.
DIELLI: Si i keni mbajtë lidhjet me anëtarët e kryesisë së degës, lidhjet me vatranët dhe familjet e tyre?
MILAIM TAHIRI: Natyrisht i kemi mbajtë lidhjet dhe jemi intersuar për vatranët dhe familjet e tyre. Lidhjet me kryesinë dhe anëtaret tjere te Vatres kryesisht i kemi mbajtur përmes telefonëve.
DIELLI: Ka pasë të infektuar nga radhët e vatranëve?
MILAIM TAHIRI: Fatmirsisht jo. Nuk ka pasur te prekur direkt nga anëtarët e degës së Vatrës, por siç êshtë cekur më lart, ka pasur të prekur nga komuniteti i ynë. Me informacionet që kemi, të gjithë te prekurit nga virusi e kaluan sëmundjen pa komplikime të mëdha dhe në përgjithësi me trajtim shtëpiak.
DIELLI: Me qendrën e Federatës, i keni ruajtë lidhjet?
MILAIM TAHIRI: Me kryesinë e Vatrës i kemi mbajtur lidhjet dhe kemi pasur disa biseda telefonike e shkëmbim mesazhesh.
DIELLI: Cila është gjendja e anëtarësisë në degën tuaj. A e keni ruajtë anëtarësinë e kohës së Kuvendit, ka të larguar apo keni shtuar anëtar të rnj?
MILAIM TAHIRI: Nuk kemi ndonjë ndryshim të anëtarësisë në degën e Hartfordit krahasuar me giendjën që e kishim para Covid 19, nuk kemi ndryshim të anëtarësisë as pas Kuvendit.
DIELLI: Ishte kënaqësi që biseduam. Faleminderit për bisedën!MILAIM TAHIRI: Kënaqësia ishte imja.Faleminderit prej Jush!
PERGATITI:DALIP GRECA