Shkruan: Akademik Beqir Meta/*
Në momentet e para pas përfundimit të Luftës II Botërore, Federata Panshqiptare “Vatra” kishte marrëdhënie të mira me regjimin e ri komunist dhe shumë shpresa për një qeverisje të mirë prej tij.
Një nga arsyet kryesore ishte edhe angazhimi i saj për mbrojtjen e kufijve jugorë të Shqipërisë nga kërcënimi grek, por edhe imazhi që kishte krijuar për qeverinë komuniste si fituese e luftës kundër pushtuesve italianë e gjermanë. Pas përfundimit të luftës, situata e acaruar e marrëdhënieve midis Greqisë dhe Shqipërisë vazhdonte ta rriste shqetësimin e qarqeve politike të diasporës shqiptare. “Vatra” dhe Noli vijuan rrugën që kishin përcaktuar në prag të përfundimit të luftës. Në emër të kishave ortodokse shqiptare në Amerikë, ai u dërgoi një telegram kryetarëve të Tri Fuqive të Mëdha, në të cilin shprehej dëshira e kishave shqiptare, që Shqipëria të ftohej dhe të merrte pjesë në Konferencën e San Françiskos. Ai e cilësonte qeverinë e E. Hoxhës një forcë që kishte luftuar fort kundër fashistëve dhe një qeveri demokratike[1].
Në orientimin e “Vatrës” pro qeverisë së Tiranës ndikoi edhe pozicioni që po mbante organizata rivale “Shqipëria e Lirë”. Pas një sërë mosmarrëveshjesh midis Komitetit Qendror dhe Këshillit të organizatës “Shqipëria e Lirë”, në mars të vitit 1945 përfaqësuesit e saj, në një mbledhje të përbashkët me përfaqësuesit e “Vatrës”, vendosën t’i jepnin përkrahje pa rezerva dhe pa kushte qeverisë së Tiranës. Disa ditë më vonë K.Çekrezi i propozoi E.Hoxhës ta lejonte të punonte pranë misionit amerikan që ky të njihte qeverinë e tij. Gjithashtu ai i sugjeroi qeverisë shqiptare që ta emëronte atë dhe F.Nolin si delegatë e përfaqësues të Shqipërisë në Konferencën e San Françiskos[2].
Në qëndrimin solidar të Nolit dhe të “Vatrës” ndaj qeverisë komuniste kanë ndikuar një sërë faktorësh, midis të cilëve nuk përjashtohet edhe simpatia e vjetër për komunistët, por faktori kryesor ka qenë synimi për ta forcuar pozitën e Shqipërisë në raport me lëvizjet dhe pretendimet greke.
Ky shqetësim ishte shkaku kryesor që drejtuesit e “Vatrës” të lobonin në Washington në favor të njohjes së qeverisë së E. Hoxhës. Kështu, në shkurt të vitit 1946, senatori i shtetit të Floridës, Claude Pepper paraqiti rezolutën që mbështeste aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës nga Greqia. Shqiptarët e Amerikës, të alarmuar për kufijtë e Shqipërisë, nën kryesinë e “Vatrës”, zhvilluan fushatën që u quajt “Për shpëtimin e Shqipërisë”[3], në të cilin u mblodhën 20.000 dollarë. U krijua “Komisioni për Mbrojtjen e Kufijve të Shqipërisë” nën drejtimin e Nolit, i cili mori pjesë edhe në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB, si përfaqësues i shqiptarëve të Amerikës. Shqiptarët e Amerikës zhvilluan më 3 mars 1946 edhe një miting tjetër të madh në Boston, në Kryekishën e Shën Gjergjit, ku protestuan kundër rezolutës së senatorit Pepper dhe kundër propagandës antishqiptare që po zhvillonte atëherë peshkopi P. Kotoko në Amerikë. Nga ky miting iu kërkua qeverisë amerikane që të pranonte në Amerikë një përfaqësi të qeverisë shqiptare, e cila do të luftonte propagandën greke[4].
Komisioni, nën kryesinë e Nolit, zhvilloi një aktivitet të dukshëm kundër propagandës greke në Amerikë, bëri një sërë ndërhyrjesh tek senatorët dhe personalitetet e tjera politike amerikane, për t’ua bërë të qartë se sa të pathemelta ishin pretendimet greke dhe se cilat ishin qëllimet e tyre të vërteta. Në emër të komisionit, Noli shkroi dhe memorandumin historik “Shqipëria që nga viti 1939”[5]. Komisioni u dërgoi një sërë thirrjesh tri Fuqive të Mëdha për pranimin e Shqipërisë në Konferencën e San Françiskos dhe për njohjen e qeverisë shqiptare.
Në këtë kohë, Noli takoi edhe përfaqësues të Fuqive të Mëdha si dhe 10 nga 11 anëtarët e Këshillit të Sigurimit, të cilëve u foli për karakterin e pabazuar të pretendimeve greke dhe për pranimin e Shqipërisë në OKB[6].
Edhe K.Çekrezi, megjithëse kishte marrë një qëndrim kundër qeverisë së Tiranës, në gusht të vitit 1946, i propozoi asaj që të shkonte në Paris së bashku me delegacionin shqiptar për të influencuar pranë amerikanëve dhe britanikëve lidhur me pretendimet greke. Por përgjigja e Tiranës ishte negative. Atij i thanë se nuk kishin nevojë për shërbimet e tij[7].
Ndërsa diaspora shqiptare po përpiqej dhe po bënte demarshe kundrejt Fuqive Perëndimore, që të mbronte kufijtë e Shqipërisë nga synimet greke, marrëdhëniet e qeverisë shqiptare me Aleatët Perëndimorë po ecnin në kah të kundërt. Noli bëri demarshe të shumta pranë qeverisë së E. Hoxhës që ajo të ndiqte një politikë më të moderuar ndaj Perëndimit, e sidomos kundrejt SHBA, në mënyrë që të mos komplikohej pozita ndërkombëtare e Shqipërisë, në një kohë kur Greqia po zhvillonte një fushatë intensive për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Në një telegram dërguar Hysni Kapos[8], ai kërkonte që të pranoheshin traktatet e përfunduara në periudhën para luftës, si një konditë e domosdoshme që do t’i hapte rrugën vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA. Ai e lidhte domosdoshmërinë urgjente të vendosjes së këtyre marrëdhënieve me dy faktorë: për të siguruar pranimin e Shqipërisë në OKB, i cili shihej si një domosdoshmëri absolute dhe; për të përballuar propagandën dhe përpjekjet intensive të Greqisë që synonte aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Në mesazhin dërguar E. Hoxhës, Noli sugjeronte “pranimin e menjëhershëm të traktateve, i cili do të sillte automatikisht njohjen amerikane, pranimin në OKB dhe do të na jepte mundësi neve të mbronim më me sukses integritetin territorial të Shqipërisë[9].
Gjatë muajve prill-maj 1946 dhe në vazhdim, kërkesat e Nolit për përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA u bënë edhe më këmbëngulëse. Ai po përpiqej të shtynte E. Hoxhën ta shfrytëzonte periudhën dymujore që kishte mbetur nga zhvillimi i mbledhjes tjetër të Asamblesë së OKB, për të rregulluar marrëdhëniet me amerikanët dhe me britanikët, me qëllim që të fitonte përkrahjen e tyre[10], në situatën e ndërlikuar dhe të rrezikshme që kalonte Shqipëria, veçanërisht kur Konferenca e Paqes po afrohej dhe grekët dukej qartë se do të kërkonin prej saj aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Gjithashtu ai i kishte sugjeruar qeverisë shqiptare të ndiqte shembullin e Bullgarisë, e cila megjithëse nuk ishte njohur nga SHBA, kishte dërguar një mision diplomatik të sajin në Uashington. Në rast se vonohej njohja e Shqipërisë, ai sugjeronte që Tirana ta përdorte këtë precedent për të kërkuar viza për një mision të sajin, i cili do ta paraqiste çështjen shqiptare para OKB[11].
Përpjekjet e personaliteteve politike të diasporës shqiptare për të bindur udhëheqjen komuniste që të përmirësonte marrëdhëniet me SHBA vijuan gjatë viteve 1946-1947. Në një letër dërguar Koço Tashkos, Qerim Panariti, e konsideronte mospranimin e traktateve të vjetra midis SHBA e Shqipërisë, “një marrëzi të dorës së parë”[12].
Reagimi i qeverisë së E. Hoxhës ndaj këtyre kërkesave të diasporës shqiptare ishte negativ. K. Tashko e konsideronte letrën e lartpërmendur të Q. Panaritit si “krejt provokuese” dhe i propozonte E. Hoxhës që ky person medoemos të izolohej prej “Vatrës”[13]. Ndërsa vetë E. Hoxha i vlerësoi kërkesat e F. Nolit si një presion të amerikanëve, por në aparencë u përpoq ta qetësonte Nolin dhe Xhon Nasen, me anë të një letre të mbushur me hipokrizi[14]. Ai u shkruante atyre se qeveria e tij ushqente respekt për popullin dhe demokracinë e madhe amerikane dhe se kujdesi e dëshira e tij kishte qenë forcimi i marrëdhënieve të mira dhe i miqësisë me të gjithë Aleatët e Mëdhenj. Klimën e ftohtë, që ishte krijuar në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, ai përpiqej ta paraqiste si një rezultat të qëndrimeve intrasigjente të SHBA lidhur me njohjen e traktateve të nënshkruara me Shqipërinë para luftës. Njohjen e tyre E. Hoxha e vlerësonte si një shkelje të sovranitetit të Shqipërisë dhe si një akt, që binte në kundërshtim me vendimet e Kongresit të Përmetit. Gjithashtu për ta bërë më të justifikueshëm këtë qëndrim të qeverisë së tij, ai e lidhte problemin e traktateve me propagandën që bëhej në SHBA në favor të pretendimeve greke kundrejt Shqipërisë së Jugut. Letra synonte të prekte ndjenjat e udhëheqësve të diasporës shqiptare të Amerikës, në pikën më të nxehtë: në vendosmërinë e tyre për të luftuar kundër pretendimeve greke.
Qeveria shqiptare u kap fort pas vendimit të gabuar dhe antishqiptar të komisionit të Politikës së Jashtme të Senatit Amerikan, i cili miratoi rezolutën Pepper, për të diskredituar gjithë politikën e administratës amerikane në opinionin shqiptar brenda dhe jashtë Shqipërisë, po kështu edhe në diasporën shqiptare të Amerikës[15]. Pikëpamjet e udhëheqësve të diasporës shqiptare të Amerikës për të kundërgoditur rezolutën progreke të Komisionit të Politikës së Jashtme të Senatit Amerikan dhe përgjithësisht, veprimet antishqiptare të diplomacisë greke në SHBA, ndryshonin nga qëndrimet zyrtare që kishte adaptuar udhëheqja komuniste. Ata kërkonin njohjen e traktateve dhe marrëveshjeve të vjetra shqiptaro-amerikane, si një hap deciziv për normalizimin e marrëdhënieve me SHBA dhe kështu, të goditej politika greke, e cila po e shfrytëzonte acarimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane për qëllimet e saj aneksioniste. Tirana zyrtare nuk e vlerësonte këtë faktor, por vazhdonte ta mbështeste mbrojtjen e integritetit territorial të vendit në përkrahjen e B.Sovjetik dhe të Jugosllavisë. Megjithëkëtë qëndrimi i udhëheqjes shqiptare nuk i dekurajoi shqiptarët e Amerikës të organizonin fushatën e protestave kundër rezolutës Pepper dhe kundër politikës aneksioniste greke.
Në muajin gusht 1946, Noli insistoi përsëri, se nuk kishte më kuptim këmbëngulja e qeverisë shqiptare në mosnjohjen e traktateve me SHBA. Ai u përpoq të sjellë dhe një argument të ri në favor të kërkesës së tij. Ai shkruante se pranimi i Projekt-Traktatit të Paqes me Italinë nga Katër të Mëdhenjtë, anulonte dhe shmangte të gjitha traktatet që cenojnë pavarësinë politike dhe ekonomike të Shqipërisë. “Duke pasur parasysh situatën kritike unë kërkoj përmbysjen e menjëhershme të vendimeve të Përmetit në favor të SHBA”[16].
Gjatë viteve 1945-1946, përpjekjet e diasporës për të mbrojtur vendin nga pretendimet greke, u bënë duke i mbajtur marrëdhëniet përgjithësisht të mira me qeverinë shqiptare. Por ky qëndrim nuk u prit mirë nga administrata amerikane, për të cilën, veçanërisht pas vitit 1945, ishte bërë e qartë se çfarë përfaqësonte regjimi i E.Hoxhës. Pikërisht për këtë arsye qëndrimin e Nolit e kritikoi dhe miku i Shqipërisë, ish diplomati amerikan në Tiranë Charles C.Hart. Në një letër dërguar Xh. Nases ai theksonte se në tratativat me SHBA, Noli dhe “Vatra” po vepronin në drejtim të gabuar, pasi ata nuk e dinin mirë gjendjen e marrëdhënieve midis qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane, dhe po vepronin në një terren të rrezikshëm. Hart sugjeronte që “aktiviteti dhe ndërhyrja pranë qeverisë amerikane të kufizohej vetëm në problemin e kufijve, sepse mosmarrëveshjet e tjera midis dy qeverive, janë delikate dhe të ngatërruara”[17].
Nga fundi i vitit 1946 në shtypin e “Vatrës” fillojnë të shfaqen edhe kritikat ndaj intrasigjencës së qeverisë shqiptare, e cila bëhej bashkëfajtore për marrëdhëniet jo të mira me SHBA[18]. Ndërkohë në korrespondencën me udhëheqjen komuniste, Noli dhe drejtuesit e tjerë të “Vatrës” vazhdonin të insistonin në përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA.(Te plote e lexoni ne Gazeten dielli ne Print)
[1] Telegram i F.Nolit dërguar presidentit amerikan Rusvelt, Sekretarit të Shtetit të SHBA, kryeministrit britanik U.Çërçill dhe Stalinit, 3 mars 1945, në “Dielli”, 17 mars 1945.
[2] AMPJ, viti 1945, dos.61, Letër e K.Çekrezit për E.Hoxhën, Arlington, VA.8 prill 1945.
[3] AMPJ, viti 1949, dos.286, fl.93.
[4] “Dielli”, 13 mars 1946.
[5] B.Shtylla, Fan Noli siç e kam njohur…, f. 45.
[6] Po aty, f.132.
[7]Po aty, f.76.
[8] AMPJ, viti 1946, dos.144, fl.122, Telegram i Nolit dërguar H.Kapos në Beograd, 22mars 1946.
[9] AMPJ, viti 1946, dos.144, fl.122, Telegram i Nolit dërguar H.Kapos në Beograd, 22mars 1946.
[10]AMPJ, viti 1946, dos.61, fl.28, Telegram i Nolit për E.Hoxhën, 19 maj 1946.
[11] AMPJ, viti 1946, dos.61, fl.28, Telegram i Nolit për E.Hoxhën, 25 mars 1946.
[12] AMPJ, viti 1946, dos.144, fl.112, Letër e Qerim Panaritit dërguar Koço Tashkos, 14 tetor 1946.
[13] AMPJ, viti 1946, dos.144, f.114, Letër e K.Tashkos dërguar E.Hoxhës, 27 dhjetor 1946.
[14] AMPJ, viti 1946, dos.61, Letër e E.Hoxhës dërguar F.Nolit dhe Xh.Nases.
[15] AMPJ, viti 1946, dos.61, Letër e E.Hoxhës dërguar F.Nolit dhe Xh.Nases.
[16] AMPJ, viti 1946, dos.61, Telegram i Nolit për E.Hoxhën, 10 gusht 1946.
[17] AMPJ, viti 1946, dos.61, Letër e Charles C.Hart për Dr.Nassen, 11 gusht 1946.
[18] Shqipëria dhe Anglia, “Dielli”, 23 tetor 1946.