










Sokol Paja/
Boston, Massachusetts, 15 Mars 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra nën organizimin e degës Boston dhe Worcester dhe me pjesëmarrjen e studiuesve të shquar të diasporës së Amerikës, shoqatave e organizatave patriotike në Boston e më gjerë, përkujtuan me nderim të lartë 150-vjetorin e lindjes së Faik Konicës, një prej mendimtarëve dhe figurave më të ndritura të kombit shqiptar. Faik Konica ishte një nga shtyllat kryesore të mendimit shqiptar, themelues i gazetës “Albania”, editor i “Dielli”-t dhe një nga arkitektët e Federatës “Vatra”. Përmes publicistikës dhe diplomacisë, ai mbrojti me pasion çështjen kombëtare dhe vizionin e një Shqipërie të lirë dhe të përparuar. Nën prezantimin mjeshtëror të Jorid Çelajt, kryetari i degës së Vatrës në Boston z.Mentor Maksutaj në fjalën e mirëseardhjes u shpreh rreth rëndësisë së përkujtimit të Faik Konicës, kontributin e tij gjuhësor, letrar e atdhetar dhe lexoi një poezi emocionuese të Namik Selmanit. Aidan Dilo, kryetari i shoqatës së studentëve shqiptarë në Bentley University falenderoi Vatrën për bashkëpunimin dhe afrimin e studentëve me Vatrën.
Andrea Pani, trashëgimtari i familjes së shquar patriotike e vatrane Pani theksoi lidhjet shpirtërore të familjes Pani, miqësinë e ngushtë të Vasil e Josif Pani me Faik Konicën, kontributin në shoqërinë atdhetare Besa Besën, Federatën Vatra e komunitetin shqiptar në Boston. Z. Pani në fjalën e tij u bëri thirrje studiuesve e historianëve që të hulumtojnë arkivat e Diellit e Vatrës me qëllim që të ndriçojnë e pasurojnë historinë kombëtare.
Studiuesi Fotaq Andrea në prezantimin e antologjisë: “Faik Konica – Për një Shqipëri Evropiane” theksoi se Kjo antologji, me mbi 900 faqe, e ilustruar edhe me rreth 50 foto e dokumente nga jeta dhe vepra e Faik Konicës, përfshin krejt korpusin e shkrimeve në frëngjisht të përlindësit shqiptar hartuar gjatë viteve 1897-1909 dhe botuar në revistën Albania. Pasuar nga artikuj, recensa, ese, promemorie, prozë, etj., si dhe mori letrash të nxjerra nga epistolari i gjerë i tij, këto shkrime përbëjnë një vëllim më vete dhe, përgjithësisht, janë prurje të reja, ose pak të njohura nga lexuesi. Shfaqet në to gjithçka e bukur, e fuqishme dhe patriotike nën penën koniciane, ku del në pah forca e mendimit dhe e stilit të tij sintetik, me atë karakteristikë të veçantë që shkrimet i drejtohen plot kulturë, dije e dinjitet rilindësve shqiptarë, publikut të gjerë që ndiqte Albania-n, si dhe personaliteteve të shquara me të cilët ai mbante letërkëmbim. Shqipëri europiane, Shqipëri moderne, Shqipëri e përparuar – ja ideali i Konicës me përkushtim rilindës kombëtar, që e nisi dhe e vazhdoi me Albania-n në Bruksel e Londër, për dymbëdhjetë vjet rresht, në moshën më të bukur rinore 20-30 vjeçare, për ta përfunduar, gjithnjë në rolin e kryeredaktorit, me Diellin e “Vatrës” shqiptare në Amerikë, ku shpërthyen, me rrezatim të fuqishëm patriotik, erudicioni dhe mendimi i tij proteiformë, që i rezervuan edhe një vend të nderuar mes intelektualitetit të kohës, tha ndër të tjera studiuesi Fotaq Andrea.
Prof. Thanas L. Gjika në kumtesën “Kritikat dhe mësimet e Faik Konicës janë aktuale edhe sot” u shpreh se Faik Konicës nuk i është dhënë ende vendi që meriton në historinë e popullit shqiptar si një nga ideologët e Rilindjes; si i pari krijues i alfabetit latin të shqipes; si krijuesi i prozës letrare realiste dhe i kritikës letrare; dhe as si një nga themeluesit e gjuhës letrare shqipe, që përdorim sot. Ky nënvlerësim i Faik Konicës ka pasur disa arsye kryesore sipas Prof. Thanas Gjikës: Së pari, shumë mendime dhe veprime të tij ishin të parakohëshme, prandaj nuk u kuptuan prej shumicës së bashkatdhetarëve të kohës, madje ngjallën zili, dhe e kritikuan; Së dyti, Faik Konica i botoi shkrimet e tij tek revista “Albania” e nëpër gazeta e libra që u shtypën me tirazh të ulët, prandaj ato u lexuan / u njohën prej pak lexuesve; Së treti, Faik Konica në kritikat e veta përdorte shpesh epitete fyese, dhe kjo i acaronte të kritikuarit. Kjo dobësi u shfrytëzua edhe prej kuzhinave të huaja antishqiptare për të shpifur kundër tij, tha ndër të tjera studiuesi Gjika.
Peshkop Theophan Koja në kumtesën “Djaloshi Faik Konica, vizionar” paraqiti jetëshkrimin dhe formimin e Faik Konicës dhe theksoi se studimet e deritanishme për jetën e veprën e këtij personaliteti të shquar të botës shqiptare dhe në studimet e historisë së popullit tonë nuk është kuptuar dhe as është vlerësuar si duhet ky akt botkuptimor i këtij djaloshi vizionar. Me kalimin e viteve ky veprim i tij merr gjithnjë e më shumë rëndësi mbasi është një piketë që shënoi lindjen e një epoke të re në mendësinë e popullit shqiptar.
Kryetarja e degës së Vatrës në Worcester znj.Efi Qeleshi në fjalën e saj deklaroi se diplomati, gazetari, publicisti dhe atdhetari Faik Konica ishte ndër penat më të mprehta e mendjet më të zgjuara shqiptare të shekullit të kaluar. Tradita që krijoi Konica, kontributi i tij madhështor dhe trashëgimia që na la pas si kryetar i Vatrës dhe editor i Diellit, e bëjnë të paharrueshëm dhe të lavdishëm. Faik Konica përbën frymëzim dhe krenari kombëtare për çdo shqiptar. Njeriu i letrave, patriarku i diplomacisë shqiptare në perëndim, Faik Konica përbën në thelb një vazhdimësi të traditës së Rilindjes Kombëtare me veprat dhe kontributin e tij kulturor.
Frank Shkreli në kumtesën “Faik Konica në 150-vjetorin e lindjes – aktualiteti i fjalëve të tij përballë realitetit të sotëm politik ndër shqiptarë” të lexuar nga Fatmir Konja, thekson se Faik Konica ishte vërtetë i jashtëzakonshëm, jo vetëm si diplomat, por edhe si figurë politike, publicist e kritik, ndër të tjera – i cili ka pasur dhe vazhdon të ketë edhe sot, nepërmjet shkrimeve dhe publicistikës së tij në përgjithësi– një ndikim në jetën politike, letrare dhe kulturore të shqiptarëve. Është e vërtetë se komentet sarkastike dhe polemikat e nxehta të Konicës në Shqipëri dhe gjetkë, si dhe zemërimi dhe arroganca e tij nuk e kanë bërë atë gjithmonë një figurë popullore.
Dr. Paulin Marku në kumtesën “Roli i Faik Konicës në themelimin e Federatës Vatra” deklaroi se intelektuali i madh shqiptar, Faik Konica luajti një rol të rëndësishëm në Komisionin e Bashkimit, dha kontribut të çmuar në përpilimin e kanunores provizore të “Vatrës” si dhe për organizimin e degëve nëpër Amerikë. Ndër udhëheqësit më të shquar të themelimit të “Vatrës” ishin Noli dhe Konica që shumë shpejt bashkë me gazetën “Dielli” krijuan dhe mbajtën një profil të lartë brenda komunitetit dhe shumë shpejt u shndërrua nder organizatat më me ndikim si në Amerikë ashtu edhe në Shqipëri. Konica botoi shumë artikuj, brenda dhe jashtë Amerikës, ku nuk munguan edhe polemikat, publicistikë, histori e korrespondenca me intelektual shqiptar nëpër botë si dhe shumë shkrime në mbrojtje të Shqipërisë e çështjes shqiptare në tërësi.
Editori i Diellit Sokol Paja në kumtesën “Korrespondenca e Faik Konicës 1920-1925” theksoi se korrespondenca historike e Konicës na njeh me qëndrimet e tij politike, opinionet, këndvështrimet, qëndrimet e pikëpamjet karshi ngjarjeve e çështjeve kombëtare e ndërkombëtare, shqetësimet prej patrioti, merakun prej gjuhëtari, talentin prej publicisti e gazetari, sarkazmën si formë e reagimit e talljes e humorit kundrejt fenomeneve politike e shoqërore të kohës. Korrespondenca e Konicës përveç se shpalos figurën e tij shumëdimensionale, arti i tij i të shkruarit, thellësia e mprehtësia e mendimit dhe gjykimit politik e eseistik, përbëjnë një shkollë më vete të diplomacisë, patriotizmës dhe publicistikës shqiptare.
Rafael Floqi në kumtesën “Raportet e Konicës me Nolin në dritën e Diellit” të lexuar nga Klajdi Haruni shprehet se realiteti i divergjencave dhe i ndarjes të Nolit dhe Konicës, të Vatrës dhe Nolit, del përtej qëndrimeve të ndryshme antagoniste politike, del përtej para- gjykimeve individualiste, dhe ka si strumbullar qëndrimin, që duhet të mbante “Vatra” dhe diaspora e Amerikës, për Shqipërinë. Qëndrimet politike dhe divergjencat mes Nolit dhe Konicës, pushtuan dhe shkaktuan për më shumë se një dekadë përçarje edhe brenda Vatrës, duke zgjatur qysh nga viti 1924 deri në vitin 1937. Forma dhe shkalla e armiqësisë mes Nolit e Konicës merrte shtysa nga një dëlir narcizist dhe një raport zilie dhe xhelozie mes tyre, thuhet ndër të tjera në kumtesën e Floqit.
Studiuesja Valdete Dida Cenalia në kumtesën “Konica mes Nolit dhe Zogut” lexuar nga Lindita Meçe, shprehet se edhe pse kishin ndarje të mëdha, pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste bëri bashkë Faik Konicën, Fan Nolin e Ahmet Zogun për të mbrojtur Shqipërinë dhe shqiptarët që të mbështesnin Zogun për t’u rikthyer në pushtet.
Prof. as. dr. Besim Muhadri në kumtesën “Konica, publicist dhe kritik letrar” lexuar nga Artian Rreza shprehet se Publicistika e Konicës, veçanërisht ajo e realizuar për 12 vjet rresht në revistën “Albania”, por edhe në gazetën “Dielli”, shquhet për nivelin e lartë mjeshtëror, argumentimin e fuqishëm, frymën e thellë satirike dhe kritikën e pamëshirshme ndaj prapambetjes, injorancës dhe fenomeneve negative shoqërore. Konica përdori publicistikën për të trajtuar tema kombëtare, historike, politike e kulturore, duke kërkuar rrugëdalje drejt një Shqipërie të lirë dhe moderne. Ai luftoi gjithashtu për krijimin e një gjuhe letrare të njësuar, një çështje që mbeti e pazgjidhur për shumë kohë.
Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj në fjalën përmbyllëse u shpreh se trashëgimia e Konicës lë gjurmë dhe lë shenjë të pashlyeshme në historinë kombëtare.
Përgjatë aktivitetit atdhetar e kulturor në sallë u ekspozuan artifakte origjinale të Faik Konicës të sjella nga familja Pani dhe pas ceremonisë pjesëmarrësit kryen homazhe në shenjë nderimi te varri memorial i Faik Konicës dhe Fan Nolit.