





Sokol PAJA/
New York, 12 Nëntor 2022- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA në bashkëpunim me Sigal Uniqa Group Austria, shkollën shqipe Children of the Eagle, Organizatën Motrat Qiriazi, dhe Shoqatën e Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, promovuan platformën dixhitale www.audiobooks.al me qëllim ruajtjen, zhvillimin dhe trashëgimin brez pas brezi të gjuhës shqipe, gjuhës së shtrenjtë të kombit tonë.
Me pjesëmarrjen e veçantë të nxënësve të shkollës shqipe Children of the Eagle, prindërve, aktivistëve shqiptarë në New York e më gjërë, qëndra Iliria në Bronx u kthye në një sofër të ngrohtë shqiptare me libra, këngë e valle. Moderatorja Marjana Bulku në prezantim theksoi se “Audiobooks.al” është një platformë e rëndësishme për gjuhën kulturën shqiptare në një botë që varfërohet çdo ditë. Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj përshëndeti në emër të Federatës Vatra dhe gazetës Dielli. Ai tha se Vatra është përkushtuar në histori për mbajtjen gjallë të vlerave e kulturës sonë kombëtare. Kjo është një platformë për dëgjimin e librave audio, një mundësi për tu lidhur më shumë me librin. Z.Rexhaj shtoi se Z. Avni Ponari ka dhënë mbështetjen për Vatrën, ngritjen e ansamblit artistik privat, është mbështetës i Basketbollit në Shqipëri e shumë kontribute të tjera, nënvizoi z.Rexhaj. Më pas për të pranishmit u shfaq dokumentari rreth koncertit të artistëve në Valbonë me mbështetjen e z.Avni Ponari ku artistët, mjeshtër të harqeve folën rreth rëndësisë së spektaklit të muzikës instrumentale mes maleve të Alpeve Historike Shqiptare në Valbonë si z.Dizdari, Znj Totokoçi. Në dokumentar u shfaqën detaje rreth kontributit të Sigal Uniqa Group Austria në kulturën shqiptare. Ambasador Mal Berisha në fjalën e tij falenderoi Vatrën, aktivistët e komunitetit dhe veçanërisht mësuesit e gjuhës shqipe. Z. Berisha foli rreth historisë së regjistrimit të zërit në botë duke u ndalur te pionierët në Amerikë dhe theksoi se incizimi i parë në Shqipëri u zhvillua në Radio Tirana më 1938, zëri i Mbretëreshës Geraldinë. Rreth platformës “Audiobooks.al” z.Berisha shpjegoi teknikën e regjistrimit dhe etapat e lidhjes me këtë platformë. Z. Berisha orientoi pjesëmarrësit për të loguar dhe shpjegoi se platforma ka të regjistruar 300 libra të autorëve më të njohur në botë. “Kjo platformë ndihmon jashtëzakonisht fëmijët për mësimin e gjuhës shqipe”. Në fund z.Berisha shfaqi për të pranishmit në regjistrim dy poezi të At Gjergj Fishtës recituar nga aktori i madh Reshat Arbana. Drejtuesja e shkollës shqipe Children of the Eagle
Drita Gjongecaj shpjegoi rolin e Shkollës Shqipe në ruajtjen e gjuhës shqipe, rritjen e vazhdueshme më shtrirje në cilësi të shkollës dhe shpjegoi metoda bashkëkohore për mësimin e gjuhës shqipe. Ajo foli dhe rreth rëndësisë së “Audiobooks.al” në mësimin e gjuhës shqipe sidomos në diasporë. Në fund fëmijët e Shkollës Shqipe Children of the Eagle shfaqen një koncert artistik të shkëlqyer për të gjithë të pranishmit.