Sokol Paja/
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra promovoi më 20 Prill 2022 në Selinë Qëndrore dy libra: “Dëshmi e trishtë e një Shenjtori” – monografi kushtuar baba Bektash Aliaj figurë e lartë e besimit Bektashi dhe “Larg Atdheut” – një dorëshkrim të lënë pa botuar nga ish Editori i Diellit Xhevat Kallajxhi. Media, miq, vatranë, patriotë e veprimtarë të komunitetit shqiptar në New York e më gjërë morën pjesë në këtë festë kulturore-letrare në Vatër. Nën prezantimin e Dr. Pashko Camaj, u mbajt 1 minutë heshjte në nderim të largimit në amshim të Zef Balajt, vatranit e patriotit të shquar. Fjalën përshëndetëse e mbajti Presidenti i Nderit të Vatrës Agim Rexhaj i cili theksoi rëndësinë e promovimit të këtyre botimeve dhe falenderoi Dervish Eliton Pashajn e Teqen Bektashiane Shqiptare të Michiganit për punën në dobi të kulturës, fesë e çështjes kombëtare. Dervish Eliton Pashaj u shpreh në fjalën e tij se libri “Dëshmi e trishtë e një shenjtori” i është kushtuar jetës dhe veprës së baba Bektash Aliajt, postmbajtës i teqesë së Golimbasit në Vlorë për dekada të tëra, dhe zë një vend shumë të rëndësishëm në bibliotekën e sotme bektashiane. “Në të vërtetë, duke marrë penën për të skalitur këtë personazh, kam menduar përpara së gjithash të hedh dritë mbi një periudhë shumë të vështirë të krejt zhvillimeve të feve në Shqipëri, siç është ajo e pas vitit 1944. Shpesh herë, kur flitet për luftën që diktatura në Shqipëri, i bëri fesë në përgjithësi, mendja na shkon tek viti i mbrapshtë 1967, atëherë kur u rrafshuan nga themelet kisha, xhami e teqe, kur klerikët u tallën, u nëpërkëmbën apo më keq akoma u internuan apo burgosën. Të gjitha këto janë të dhimbshme dhe të jetuara masivisht prej nesh” tha ndër të tjera Dervish Pashaj. Ky libër është një homazh i dhimbshëm për klerikët e vrarë e persekutuar nga diktatura komuniste në Shqipëri. Tonin Mirakaj në kumtesën e tij u ndal te figura e Xhevat Kallajxhiut dhe roli i tij në gazetën Dielli. “Gjate 10 viteve si Editor i gazetes “Dielli”, i ndieri Xhevat mundi të bashkëpunojë me shumë emra të njohur ne Mergaten Shqiptare ketu dhe ne Europe, te cilet me shkrimet e tyre e pasuruen dukshem gazeten Dielli. Editorialet qe shkruente Xhevati, paraqesnin mendime rreth ngjarjeve kombetare dhe nderkombetare, qe ne nje menyre apo tjeter, kishin te bejne me situaten e veshtire ne vendlindje, Kosove dhe vende te tjera te banuara nga Shqiptarë. Paraqesnin gjithashtu permbajtjen ne mbrendsine e gazetes, gje qe terhiqte lexuesin. Editorialet jane shpirti i gazetes, thoshte i ndieri Xhevat” kujtoi për të pranishmit Tonin Mirakaj. Sipas studiuesit Idiz Lamaj Xhevat Kallajxhiu mori në dorë drejtimin e gazetës Dielli, tre vjet pasi doli në pension, në vitin 1976. Po të shikohet me vemendje ajo përiudhë kujton Lamaj, Kallajxhiu u angazha në veprimtarinë e Vatrës dhe drejtimin e Diellit në një kohë mjaft të ndërlikuar. “Ndikimi politik i regjimeve komuniste të Tiranës dhe Beogradit (në dy mënyra të ndryshme), para se Kallajxhiu të fillonte detyrën e editorit të Diellit, ishte shumë i thellë në komunitetet shqiptare, këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai lloj ndikimi infektues i të dy regjimeve në fjalë, i cili kishte mbjellur urrejtje të thell midis nesh, natyrisht kishte depërtuar edhe në radhët e Vatrës” kujtoi për të pranishmit Idriz Lamaj. Sipas Dalip Grecës Editor i Diellit 2009-2021, libri “Larg Atdheut” është edhe një burim autentik historik me fakte dhe dokumente që vërtetojnë krimet e Partisë Komuniste. Eshtë një rast i lumë që këtë libër e sjell sot në dritë,Selia e Shenjtë Bektashiane. “Me modesti, autori e ka cilësuar librin e tij roman historik, ndonëse ky, ngjason më shumë me një traktat historik, mbështetur mbi fakt jetsore e dokumente historike. Në qendër të librit është i riu nacionalist Pirro Skënderi,rreth të cilit shtjellohen ngjarjet. Subjekti nis me përshkrimin e rrugëtimit të refugjatëve politik shqiptar nacionalist të luftës së dytë botërore, të cilët mbarteshin me kamionë nga kampi i Santafarës, mbartjen e tyre drejt qytetit të vogël të Jugut të Italisë, Leuca” tha ndër të tjera z.Greca. Pas promovimit, Dervish Eliton Pashaj i dhuroi Vtarës 680 USD në shenjë respekti e mirënjohje për promovimin si dhe veprimtarinë e çmuar në dobi të çështjes kombëtare.