Sokol Paja/
New York, 25 Janar 2023- Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA promovoi librin e gjeneral Asllan Bushatit “Diktati i ADM në luftën e ftohtë e pas saj”. Në Selinë Qëndrore të Vatrës, me pjesëmarrjen e gjërë të vatranëve, ekspertëve të sigurisë kombëtare, të kimisë ushtarake, profesorëve, specialistëve të fushës, veprimtarëve e aktivistëve të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, promovimi u kthye në një festë libri duke lënë mbresa të veçanta te të gjithë pjesëmarrësit. Nën prezantimin e Editorit të Diellit, Presidenti i Nderit të Vatrës z.Agim Rexhaj në fjalën e tij vlerësoi kontributin e Gjeneral Bushatit në vitin 97-të në Shqipëri, në fushatat në USA për senatorë e kongresmenë, në ngjarjet e Vatrës e komunitetit shqiptar ku z.Bushati ka marrë pjesë aktivisht. Z.Rexhaj vlerësoi vlerat e z.Bushati si mik i Doktor Berishës e Doktor Rugovës. Në fjalën përshëndetëse të kryetarit të Vatrës z.Elmi Berisha lexuar nga Dr. Pashko Camaj vlerësohet risia në publikimin e z.Bushati. “Si kuadro i lartë ushtarak, si nënshtetas dhe Vatran i vetëdijshem, Asllan Bushati e kupton sesa e rëndësishme është të kemi njohuri të sakta dhe të jemi sycelët në situatat aktuale për vendin dhe mbarë botën” thuhet në mesazhin e z.Berisha. Prof. Muharrem Dëzhgiu në promovim tha se kurorëzohet një punë shumëvjeçare e një përvoje tepër të gjatë në fushën e ushtrisë. Vlerësoi stilin e gjuhën e librit. Bashkim Shehu, ish-zv.Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë në vitet 1993-97-të në fjalën e tij deklaroi se Gjeneral Bushati ka qenë një nga ushtaraket më eurodit të Ushtrisë Shqiptare, udhëheqës i shquar i Armës së Kimisë në Ushtrinë Shqiptare, një nga udhëheqësit kryesorë dhe më largpamës në hartimin e strategjive dhe rregulloreve të transformimit mjaft të suksesshëm të Ushtrisë Shqiptare, tha z.Shehu. Gjeneral Major Armand Vinçani në kumtesën e tij të lexuar nga Ornela Beshiri theksohet se në libër zë vend të rëndësishëm identifikimi, analiza, fakte, e konkluzione lidhur me çfarë ndodhi me lëndët e dëmtimit në masë në Ushtrinë serbe pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Gjeneral Bushati argumenton dhe sjell në vëmendje të lexuesit faktin që sot ushtria serbe posedon resurse të frikshme militaro-kimike e si shtet demonstron tendencë të dukshme për zhvillimin e tyre duke arritur në nivele operative-strategjike në një përdorim të mundshëm, sidomos ndaj Kosovës dhe Shqipërisë. Studiuesi Dr. Paulin Marku në kumtesën e tij shkencore u ndal te risia e librit në fushën e sigurisë, faktet që sjell si botim, analiza, stili e gjuha, gara dhe fuqia e shteteve në luftën për armët bërthamore. Kolonel Ramazan Beshiri ish-kryeinxhinjer i Laboratorit Kimik të Ushtrisë foli për Armët e dëmtimit në masë dhe pasojat e pa rikuperueshme për njerëzimin. Z.Muhamet Omari foli për politikat agresive të shteteve të fuqishme dhe rreth pasojave katastrofike të armëve të shkatërrimit në masë, dhe bëri një interpretim moral, politik dhe ushtarak të çështjeve të sigurisë. “Ky libër ka informacion të jashtëzakonshëm prej një eksperti të lartë të ushtrisë” tha z.Omari. Kryetari i Nderit të Shoqatës Skënderbej ushtaraku i lartë z.Mark Qehaja u shpreh se libri i Asllan Bushatit është referencë për studiuesit e sigurisë, botën e studimeve ushtarake dhe publikun e gjërë. Z.Qehaja vlerësoi punën e shkëlqyer të Gjeneral Asllan Bushatit në Ushtrinë shqiptare dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fjalën përshëndetëse të studiuesit Idriz Lamaj lexuar nga mjeshtri i fotografisë Bujar Verzivolli u tha se libri është një kontribut për të informuar masat e gjera të popullit shqiptar se në çfarë gjendje mbrojtëse ndodhet populli jonë në atdheun etnik, në rast të një kërcënimi me lëndë kimike nga vendet fqinje, të cilat shekuj me radhë kanë treguar urrejtje për vdekje ndaj kombit tonë. Në fjalën përshëndetëse të Frank Shkrelit e cila u lexua nga Bujar Verzivolli, rëndësia e librit është e veçantë pasi shumë prej nesh nuk jemi të mirë informuar për këtë rrezik që vjen nga armët bërthamore, kimike dhe biologjike e me të cilin përballet njerëzimi, jo vetëm nga regjime diktatoriale por edhe nga grupe terroriste, anë e mbanë botës, që mund t’i blejnë ato armë nga shtete diktatoriale, siç mund të ketë ndodhur në të kaluarën, thuhet në fjalën e z.Shkreli.
Mark Gjonaj në fjalën e tij përshëndetëse të lexuar nga Marin Tukaj deklaroi se: “Libri që po promovoni është një dëshmi e dimensionit të tij intelektual, duke informuar rrezikun e armëve dhe dëmtimin që japin ato në përdorimin në masë (bërthamore; kimike e biologjike). Autori ndër të tjera përmend rrezikun e armatimit kimik të Serbisë që përbën një rrezik për trojet Shqiptare” thuhet ndër të tjera në fjalën e z.Gjonaj.
Në përfundim të ceremonisë së promovimit gjeneral Asllan Bushati falënderoi të pranishmit, tregoi rrugëtimin e tij në Ushtrinë shqiptare dhe ekspozoi rrugën e gjatë të daljes në shtyp të librit të tij. Rrëfeu përgatitjen e një materiali Top-Sekret për Armët kimike shqiptare. Ai u ndal te terrorizmi, rreziku i lëndëve helmuese, lufta kibernetike dhe u fokusua te:
Ndotja, rrezatimi, kriza e ushqimit dhe shpopullimi. Ceremonia e promovimit përfundoi me një koktejl të përgatitur nga patrioti fisnik Toni Musaj ku të gjithë pjesëmarrësit qëndruan deri vonë në biseda vëllazërore në Vatrën e shqiptarisë.
Federata Vatra dhe gazeta Dielli falënderojnë TV Kultura Shqiptare për dedikimin dhe përkushtimin e z.Adem Belliut në dobi të Vatrës dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.