









Sokol Paja/
New York, 3 Maj 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” promovoi veprën Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, “Kryqtari i Fundit” të diplomatit e gazetarit Virgjil Kule. Me pjesëmarrjen e studiuesve, historianëve, diplomatëve, gazetarëve e veprimtarëve të çështjes kombëtare në mërgatën e Amerikës, Skënderbeu bashkoi shqiptarët e Amerikës në një festë libri në nderim të heroit tonë kombëtar. Në fjalën e mirëseardhjes famullitari Dom Pjetër Popaj vlerësoi librin si një kontribut të rëndësishëm historik për shqiptarët dhe historiografinë kombëtare pasi botimi “Kryqtari i Fundit” sjell fakte dhe këndvështrime të një punimi dhe studimi shumë serioz për lexuesit dhe institucionet shkencore.
Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të kryetarit Dr. Elmi Berisha, nënkryetarit z.Alfons Grishaj dhe kryetarit të Këshillit z.Kolec Ndoja. Dr. Camaj veçoi seriozitetin e punimit dhe pasurinë e fakteve e sistemimin e dokumenteve që i paraqiten lexuesit në punim.
Gazetari i shquar i VOA-s Frank Shkreli në fjalën e tij theksoi se e konsideroj këtë promovim një ngjarje me rëndësi bashkohore, mediatike, jo vetëm këtu në Nju Jork, në Amerikën e largët, por edhe një ngjarje interesi historik për botën shqiptare në përgjithësi. Sot Z. Virgjil Kule na bashkon në frymën më kastriotiane, gjithëpërfshirse, për të kujtuar Heroin tonë, Kryetrimin e Kombit dhe veprimtarinë e tij epike djplomatiko-ushtarake të përgjithmonshmit të Kombit shqiptar – Gjergj Kastriotin-Skënderbe. Këtu para bustit të tij në këtë sallë që, njëherazi, mban edhe emrin e Shën Nënë Terezës, ndërsa disa metra prej këtu qëndron monumenti madhështor i Heroit Kombëtar, në oborrin e Kishës Zoja e Shkodrës. Skënderbeu nuk është vetëm në bronz. Skënderbeu është pjesë e identitetit tonë dhe qenie Shqiptare. Historiografia shqiptare moderne kishte nevojë për një libër të tillë të mirë dokumentuar duke marrë parasyshë burimet e reja të vleshme, por të pazbuluara deri tani, e që kërkuesit shkencorë e historianët si Virgjil Kule kanë në dispozicion, për një vepër si kjo, kushtuar Gjergj Kastriotit Skenderbe.
Gazetari i VOA-s Gjekë Gjonlekaj në fjalën e tij theksoi diplomacinë e Skënderbeu në 26 vite ku veçoi lidhjen me 5 Papë të Vatikanit, fuqinë diplomatike e politike të Skënderbeut. Z. Gjonlekaj në fjalën e tij renditi kontributin e Barletit, Dr. Athanas Gegajt, Fan Nolit, Kristo Frashërit mbi veprën e jetën e Skënderbeut dhe autorë amerikanë që kanë nxjerrë në pah jetën e veprën e heroit kombëtar të shqiptarëve. “Skenderbeu është nami dhe nderi i kombit kudo ku ka vepruar” tha ndër të tjera Gjekë Gjonlekaj.
Historiani Dr.Paulin Marku theksoi se ky libër i sjellë nga z. Kule me burime të ndryshme arkivore që i japin një substancë thelbësore trajtimit të figurës së Gjergj Kastriotit, me referenca përkatëse, interpretime të shumta në fusnotë, dhe renditur në mënyrë kronologjike të fakteve dhe ngjarjeve, me një shqipe të rrjedhshme edhe për shkak të profesionit gazetaresk, plotëson studimet e deritanishme në fushën e historisë e diplomacisë mbi epokën e Skënderbeut. Nëpërmjet këtij studimi i ribotuar disa herë, i jep lexuesit shqipfolës një studim cilësor dhe përmbajtësor, i renditur me numër progresiv vit pas viti sipas ngjarjeve dhe rrethanave. Në këtë libër sipas historianit Dr. Marku jepen të thëna për mbledhjen kuvendit të Besëlidhjes së Lezhës në kishën e Shën Kollit dhe rregullat që vendosen princat shqiptar, shpalosjen e planit diplomatik, ngritja e fondit të përbashkët dhe gjenden shumë të dhëna të tjera të aspektit financiar dhe ripërtëritjes ekonomik. Sipas autorit Kule, Skënderbeu ishte njohës i mirë i dinamikës së konjukturave të kohës.
Politologu Akri Çipa në fjalën e tij theksoi se : humbjet dhe mosnjohjet në fasha të trasha kohore e historike të së shkuarës sonë si popull, plotësohen dhe duhen plotësuar ne vazhdimësi. Përpara kësaj domosdoshmërie, ne mund të shikojmë impaktin dhe vlerën e librave të tillë si “Kryqtari i fundit”. Autori tregon dhe qartësinë metodologjike të tij, duke theksuar libri është ndërtuar nëpërmjet metodës hronotopike. Do shtoja unë, kjo metodë, ndërlidhja e kohës dhe hapesirës historike, shërben në fund të ditës për të dalë mbi një analizë sa kontekstuale aq edhe përmbushëse për ato që janë konsideruar nga studiues të mëparshëm si vakuume materiale historiografike e analitike. Libri i autorit Kule ka dy elemente realizmi brenda vetes: Përpjekjen e vetë autorit për ta paraqitur Skenderbeun real, përtej gabimeve historiografike, kritikave ideologjike ose të motivuara nga interesa meskine, ose qoftë edhe mistifikimit të misionarizmit rilindas. Realizmin si bosht politik mbi të cilin Gjergj Kastrioti ndërtoi shtetin dhe aktivitetin e tij politik.
Dr. Afrim Shabani në kumtesën e lexuar nga Nancy Kajo shprehet se: risia metodologjike që sjell Kule është ndërtimi i një “ditari diplomatik” të veprimtarisë politike dhe ushtarake të Skënderbeut, duke renditur ngjarjet dhe dokumentet sipas rendit kronologjik të viteve dhe muajve, në mënyrë që të shmangen interpretimet jashtë kontekstit historik. Kjo strukturë i jep lexuesit ndjesinë e zhvillimit të një mendimi të qëndrueshëm dhe të qëllimshëm që zgjat mbi dy dekada, e jo të një reagimi të çastit apo instinktiv. Metoda hronotopike që përmend autori lidhja e dokumenteve me kohën dhe hapësirën konkrete është qasje që krijon një narrativë logjike ku çdo ngjarje merr kuptim në funksion të projektit madhor të Skënderbeut. Kapitujt kushtuar periudhës osmane të Skënderbeut janë të thelluar në këtë libër. Kryqtari i Fundit është një kontribut me vlerë për të kuptuar më thellë figurën e Skënderbeut. Ai nuk e sheh heroin si simbol abstrakt, por si mendje realiste që punoi sistematikisht për një qëllim të madh kombëtar. Kule e vendos Skënderbeun aty ku e meriton: jo vetëm në historinë e betejave, por në historinë e ideve politike dhe të diplomacisë shqiptare. Në një kohë kur ne shpesh harrojmë se historia jonë ka pasur edhe vizion përtej qëndresës, kjo vepër na rikujton se Skënderbeu ishte edhe strateg, edhe arkitekt i një projekti europian për Shqipërinë. Dhe kjo është arsyeja pse ai mbetet i fundit ndër kryqtarët dhe i pari ndër ne, thekson ndër të tjera Dr. Afrim Shabani.
Autori Virgjil Kule në fjalën përmbyllëse dhe përshëndetëse tregoi detaje nga jeta dhe veprimtaria e Skënderbeut, rrugëtimin e tij politik e diplomatik, organizime ushtarake, marrëveshje, makinacione, kuriozitete, letra diplomatike, lidhjet e fuqishme e aleancat e betejat e Skënderbeut përgjatë sundimit të tij. “Skenderbeu ishte një politikan i zgjuar, i mençur dhe shumë i organizuar” theksoi z.Kule. Në fund të promovimit të shkëlqyer përshëndetën takimin patriotët e mërgatës: Nuredin Seci, Marjan Cubi, Tom Mrijaj, Dr.Gani Abazi dhe Bashkim Shehu. Në përfundim të promovimit, autori Kule me dashuri e respekt firmosi librin mbi heroin tonë Skënderbeun si një kontribut të jashtëzakonshëm atdhetar, kulturor, historik e kombëtar.