Sokol Paja/
New York, 19 maj 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi veprën historiko-religjioze “Historia e Jezuitëve në Shqipëri 1841-1946” të Dr. Ines Murzakut. Me pjesëmarrjen e gjërë të përfaqësuesve të organizatave patriotike shqiptare në New York, studiuesve, historianëve, studentëve, mediave, mësuesve e aktivistëve të komunitetit, promovimi u kthye në një homazh nderimi për qëndresën antikomuniste të klerit fetar e popullit shqiptar. Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj vlerësoi punimin e Prof. Murzakut “Historia e Jezuitëve në Shqipëri 1841-1946” në shërbim të lartësimit të vlerave fetare e historike kombëtare. Studiuesi Dr. Paulin Marku në kumtesën e tij u ndal te rrugëtimi i Jezuitëve në Shqipëri, ngjarjet e rrethanat historike, kombëtare, traditat, gjuhësia e kultura kombëtare shqiptare e lidhur me urdhërin fetar të Jezuitëve. Sipas Dr. Markut Arkivat Italiane dhe të Propagandës Fide janë shfrytëzuar mjeshtërisht për ti sjellë publikut një vepër të arrirë shkencore. Libri i Dr. Murzakut është një kontribut i vyer shkencor me burime e dokumenta arkivore të veçanta që paraqet veprimtarinë e Jezuitëve në një vend të sunduar nga Perandoria Osmane, tha ndër të tjera Dr. Marku. Historiani Dr. Naim Musliu në kumtesën e tij u ndal te roli i jashtëzakonshëm i Jezuitëve në historinë e religjionit dhe kontributin e lartë të Jezuitëve në arsimin e kulturën kombëtare shqiptare. Dr. Musliu u ndal gjithashtu në persekutimin e komunistëve dhe sulmet ndaj Jezuitëve e klerit fetar shqiptar. Dr. Musliu renditi në detaje persekutimin e klerikëve më të lartë shqiptarë në projektin komunist ateist të zhdukjes së fesë në Shqipëri. Nancy Kajo, kryetarja e shoqatës së studentëve shqiptarë në Seton Hall University diskutoi rreth rëndësisë së studentëve shqiptarë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dr. Sulejman Çelaj foli për rëndësinë që japin Jezuitët për edukatën dhe kulturën shoqërore. Në fund të promovimit, Dr. Ines Murzaku ekspozoi për të gjithë të pranishmit detaje të përgatitjes së librit, bashkëpunimin e ngushtë me At Zef Bishën, audiencën me Papa Françeskun, vlerësimet rreth librit nga Ati i Shenjtë dhe nderimet e Papa Françeskut për popullin shqiptar. Dr. Ines Murzaku u ndal te martirizimi i At Giovani Faustit, qëndresa dhe martirizimi klerit dhe popullit shqiptar prej komunistëve. Dr. Murzaku diskutoi gjithashtu rreth historisë së Jezuitëve, ardhjes së tyre në Shqipëri pas shembjes së komunizmit, përurimit të qendrës kulturore At Zef Valentini në Tiranë, dhe kontributin e Jezuitëve në promovimin dhe ruajtjen e gjuhës, traditës, kulturës e qytetërimit shqiptar dhe figurat e shquara të 38 martirëve të Kishës Katolike Shqiptare. Vatra shpreh mirënjohjen e veçantë për z.Nazim Salihu i “Noli Tv” për pasqyrimin mediatik të aktivitetit patriotik, komunitar e kombëtar.