

Sokol Paja/
New York, 20 prill 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi librin “Prefektura e Elbasanit 1925-1939, aspekte politiko-administrative” nga Prof.Rudina Mita (Todri). Në fjalën e mirëseardhjes sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj përshëndeti në emër të të gjithë vatranëve dhe theksoi faktin se libri i Prof.Rudina Mita hedh dritë në historinë tonë kombëtare dhe politike. Prof. Dr. Roland Gjini në fjalën e tij shprehi mirënjohje e falënderim të veçantë Vatrës për bashkëpunimin dhe solli në vëmendje cilësitë shkencore dhe njerëzore të historianes Rudina Mita si historiane e cila sjell para lexuesit një vepër kërkimore me parametra të larta shkencore. Sipas Prof.Gjinit kjo është vepër e rëndësishme për historinë e Elbasanit dhe historinë politike të shqiptarëve në vitet 20-30-të. Autorja prof.Rudina Mita Todri e emocionuar falenderoi Vatrën për mikpritjen, bashkëpunimin dhe ndihmën ndaj kërkuesve shkencorë që hulumtojnë arkivat e Vatrës duke vënë theksin te rëndësia e evidentimit të fakteve historike dhe ekspozoi punën hulumtuese 8 vjeçare në arkivin e shtetit në përgstitjen e botimit të saj për të bërë interpretimin e duhur historiografik të ngjarjeve të kohës dhe plotësimin e burimeve dokumentare me burime të gazetave të kohës. Prof.Rudina Mita ekspozoi përmbajtjen e librit duke u ndalur te gjarjet e pas revolucionit të qershorit, gjyqet politike, atentatet, periudha e Mbretit Zog, reformimi e ndërtimi i shtetit ligjor, vlerat e Elbasanit në spektin arsimor, politik, ekonomik dhe personazhe si Aqif Pasha e Shefqet Verlaci, Lef Nosi etj. Akademik Beqir Meta në fjalën përshëndetëse të lexuar nga editori i Diellit, theksoi se monografia e Prof. As. Dr. Rudina Mitës është një vepër shkencore serioze dhe me vlera të gjithanëshme shkencore e njohëse për Prefekturën e Elbasanit gjatë njërës prej periudhave më të rëndësishme të historisë së saj, periudhës zogiste, kur shteti shqiptar njohu për herë të parë një proces konsolidimi, zhvillimi dhe reformimi të gjithanshëm. Në këtë kuadër edhe Elbasani, për të cilin autorja argumenton shkencërisht se pati një pozitë nga më të rëndësishmet midis prefekturave të tjera, njohu një zhvillim mbresëlënës të jetës politike e shoqërore. Z.Bashkim Shehu pyeti për enciklopedinë elbasanase për figura të shquara politike dhe Prof. Roland Gjini shpjegoi në detaje botimet dhe konferencat që janë bërë për Elbasanin dhe figura të shquara kombëtare të trevës së Elbasanit. Faton Zogejani vlerësoi punimin dhe kërkoi që dokumentet historike të botohen për të njohur historinë e kombit ndërsa editorja e anglishtes Rafaela Prifti pyeti rreth monografisë së Elbasanit ku autorja Prof.Mita sqaroi se dokumentet janë zyrtare shtetërore arkivore.
Promovimi vazhdoi me biseda miqësore rreth Vatrës, Diellit e shqiptarëve të Amerikës.