




Sokol Paja/
New York, 31 maj 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi librin e dytë të trilogjisë mbi Fan Nolin “Rebeli”. Gazetari i shquar dhe studiuesi Ilir Ikonomi përmes kryeveprës publicistike kushtuar Nolit, na jep detaje historike me veprimtarinë e gjërë politike, diplomatike si dhe fetare e kulturore të Imzot Fan Nolit në Shqipëri dhe Europë. Vepra “Rebeli” na njeh imtësisht me Shqipërinë, politikën shqiptare, institucionet dhe shqiptarët në vitet 1920-1924.
Gazetari Gjekë Gjonlekaj foli mbi rolin e Nolit si njeri i kulturës kombëtare, mbi librin si një kontribut për historinë shqiptare dhe vlerat e Ilir Ikonomit si gazetar, stdiues e historian.
Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra përshëndeti sekretari Dr. Pashko Camaj i cili përgëzoi veprën e Ilir Ikonomit si një kontribut për kombin dhe shqiptarin e shquar të shekullit të kaluar Imzot Fan Nolin.
Artisti i komunitetit Shaban Lajçi emocionoi të pranishmit me recitimin e poezisë “Anës Lumenjve”, aktuale dhe në ditët e sotme.
Autori i shkrimit Ilir Ikonomi në fjalën e mirënjohjes falenderoi Vatrën për pritjen dhe promovimin, për mundësinë për të shfrytëzuar arkivin dhe bibliotekën me materiale të pasura kërkimore. “Vatra është pasuri, gazeta Dielli është historia e Shqipërisë” tha ndër të tjera z.Ikonomi. Ai zhvilloi një bisedë enciklopedike me pyetje – përgjigje me të gjithë të pranishmit rreth librit “Rebeli” kushtuar Imzot Nolit.
Tematikat që u diskutuan në takim ishin: Noli si intelektual dhe rolin e tij në kulturën kombëtare, fe dhe politikën shqiptare, përplasjet dhe polemikat Noli-Konica, përplasjet për Ahmet Zogun, Noli si intelektual absolut, Konica si mendimtar, Noli si udhëheqës i komunitetit shqiptar në Amerikë, Noli e Konica si mendje të ndritura e të shquara të kombit shqiptar, Noli si rebel në politikë, Noli si parlamentar, Noli si fetar, ambicjet politike të Nolit, marrëdhëniet e vështira të Imzot Nolit me politikën e politikanët shqiptarë në skenën politike të Shqipërisë 1920-1924, rolin e Fan Nolit në Lidhjen e Kombeve, Noli si deputet i Vatrës në Parlamentin e Shqipërisë, Noli dhe Konica si përfaqësues të Asamblesë Kombëtare të Shqipërisë si përfaqësues të Korçës, ndihma e Nolit për regjimin e Tiranës 1945-1950, sukseset e Nolit me Diellin dhe Vatrën, veprimtaria e Nolit në Europë sipas dokumenteve austriake e gjermane, lidhja e Nolit me Terenc Toçin në Vjenë, bashkëpunimi i Nolit, Zogut e Konicës për çlirimin e Shqipërisë më 1942 etj.
Vatrani Asllan Bushati deklaroi se Ilir Ikonomi po i bën një nder të madh historisë kombëtare, po ndriçon historinë e Shqipërisë dhe të Fan Nolit të shtrembëruar nga historiografia komuniste. Në përfundim të promovimit shkrimtarja Klara Buda diskutoi rreth trashëgimisë shpirtërore të Fan Nolit, kontributit për Kishën Ortodokse Shqiptare dhe nevojës së riatdhesimit të Nolit në Shqipëri, temë diskutimi e debatuar prej shumë pjesëmarrësve në promovim.
Kjo ngjarje kulturore ishte mbi të gjitha një ditë nderimi për jetën e veprën e kolosit të kombit shqiptar Imzot Fan Nolit.