Federata “Vatra” do të promovojë të Dielën në orën 7 të mbrëmjes në Royal Regency Hotel, Yonkers, New York, librin “Ngritja e një shteti” të Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj…Mos humbisni rastin. Hyrja e Lire./
Federata Pan-Shqiptare në Amerikë “Vatra” organizon promovimin e librit “Ngritja e një Shteti” të Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj. Libri që do të promovohet këtë të diel në New York, është botuar para dy muajsh në Kosovë dhe flet për aspektet e politikës së jashtme të Kosovës dhe ngritjen ndërkombëtare të shtetit më të ri.
I mirëpritur nga lexuesit, edhe në panairin e fundit të librit në Prishtinë, libri analizon aspektet praktike të sjelljes së Kosovës në politikën e jashtme, raportet brenda dhe jashtë, si dhe merr në konsideratë një kornizë intelektuale dhe akademike në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Veçmas, Hoxhaj në libër i kushton një kapitull të veçantë ngritjes së cështjes së Kosovës në vitet 90-ta dhe rolin që ka luajtur diaspora shqiptare nëpër botë vecmas ajo në SHBA. Aty mes të tjerash thuhet se “Shqiptarët në Amerikë kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm për ndërkombëtarizimin e cëshjes së Kosovës në Shtëpinë e Bardhë dhe Dapartamentin e Shtetit. Angazhimi i tyre ishte jetik edhe gjatë luftës e deri në shpalljen e pavarësisë”.
Një aspekt tjetër që përmban libri i ministrit Hoxhaj është raporti i Kosovës si shtet i vogël me botën jashtë, sjelljen në një rend botëror gjithnjë e më të ndërvarur dhe përdorimin e fuqisë së butë si kompensim i mungesës së fuqisë së fortë sikurse ushtria, fuqia ekonomike apo gjeografia e madhe. Diskuton gjatë konceptet e fundit akademike dhe praktike se si shtete të caktuara në botë janë përpjekur ta ushtrojnë këtë koncept të ri të diplomacisë, i sjellë së fundit nga Joseph Nye. Duke iu referuar Kosovës, Hoxhaj shkruan se “shtetet e vogla, pos nevojës së mirëpërdorimit të instrumenteve të fuqisë së butë, në mënyrë që të mbijetojnë dhe ngriten vazhdimisht në rrafshin ndërkombëtar duhet të jenë në një raport të veçantë me një superfuqi”, duke iu referuar marrëdhënies së Kosovës me SHBA-të.
Në mesin e shumë temave që trajtohen në libër, ka edhe momente të përvojës personale që Hoxhaj i përshkruan edhe pse libri nuk është një autobiografi e tij, siç autori edhe e shpjegon në parathënie. Madje ka momente, ku Hoxhaj i qëndron besnik gjykimit të lirë intelektual të tij teksa shfaqet i sinqertë kur pranon ndikimin ‘pozitiv’ në formë presioni që shpesh miqtë ndërkombëtarë kanë ushtruar ndaj Kosovës.
Ai përshkruan marrëdhënie të caktuara me politikanë të Kosovës, ndërkombëtarë dhe veçmas ata serb si Vucic e Dacic, me të cilët ‘ironizon’ për mënyrën e sjelljes politike sot e që në fakt janë relikte të së kaluarës të Millosheviqit. Enver Hoxhaj, në librin “ngritja e një shteti” analizon gjatë nedhe marrëdhëniet e vështira me Serbinë, siç i përshkruan aty dhe kërcënimet e Kosovës siç janë ISIS, Rusia dhe ndikimi në Ballkan apo tendencat ndonjëherë të pakuptueshme neo-otomane në Kosovë dhe rajon.
Pjesa e fundit e librit, dhe jo më pak e rëndësishme, është rezervuar për mendimin strategjik që duhet ta ketë Kosova në sjelljen e saj në vitet e ardhshme. Diçka që Hoxhaj e përshkruan si të nevojshme dhe e ndanë në tri rrathë. “Të gjitha këto janë trajtuar në detaje deri më tani, qoftë si domosdoshmëri bazike të vendit, qoftë si projektim i së ardhmes nëpërmes simbolikës së rrathëve gjeometrikë – Evropa Juglindore, sfera euro-atlantike dhe OKB-ja, duke i shërbyer idesë kryesore të librit për krijimin e një mendimi strategjik” shkruan Hoxhaj. Kjo pjesë, që mund të merret edhe si ‘doktrina Hoxhaj” analizon në detaje sjelljen e Kosovës në dhjetë vitet e ardhshme që do të duhej të përmbyllej me anëtarësimin në OKB dhe hyrjen e plotë në sistemin ndërkombëtar.