VATRA SHPALOS STRATEGJINË E ELABORIMIT TË MARRDHËNIEVE SHQIPTARO AMERIKANE PËRMES PREZANTIMIT TË LIBRIT “HERMAN BERNSTEIN” TË AMBASADORIT MAL BERISHA/
NGA DALIP GRECA/
Foto: ILIR RIZAI/*
Vatra ishte e ngrohtë edhe në një ditë me temperetuara ekstreme të pasborës, kur termometri shënonte -14 gradë C. Vatranët, miq të Ambasadorit Mal Berisha, njëherazi anëtar Nderi i Vatrës, kishin ardhë për të qenë të pranishëm në promovimin e librit më të fundit të tij”Herman Bernstein-Ambasador i SHBA-ve në Mbretërinë Shqiptare 1930-1933”. Surprizë ishte ardhja e Presidentit të Nderit të Vatrës, z. Agim Karagjozi, i cili sfidoi moshën 92 vjeçare dhe temeperaturën e ulët. I shoqëruar nga i biri Zyhdi Karagjozi, anëtar i Këshillit të Vatrës, ai befasoi të pranishmit.
Moderatorja e veprimatrisë Marjana Bulku, anëtare e kryesisë së Vatrës, ka ftuar fillimisht Kryetarin e Vatrës z. Dritan Mishto për t’i uruar mirëseardhjen të pranishmëve si dhe autorit të librit, Ambasador Mal Berisha.Mishto, ka përgëzuar autorin e librit për punën studimore plot pasion dhe sjelljen para lexuesëve të figurës brilante, mikut të Shqiptarëve, ambasadorit Herman Bernstein, ashtu siç kishte bërë më përpara me një tjetër figurë të shquar që punoi aq shumë për Kombin shqiptar, amerikanin Erickson, përfaqësues i Vatrës në Konferencën e Paqes në Paris si dhe atë të San Franciskos. Kjo veprimtari e sotme, tha z. Mishto, nuk është një promovim i thjeshtë, por shpalosje e strategjisë së Vatrës për të elaboruar marrdhëniet dhe urat e miqësisë mes Shqipërisë dhe Amerikës dhe se kjo do të pasohet nga të tjera veprimtari.
Më pas z. Mishto ka sjellë në Kujtesë se dita e promovimit, 6 Janari, përkon me Festën e Ujit të Bekuar dhe me këtë rast ai uroi besimtarët ortodoks, kudo ku jetojnë. Po ashtu ai solli në kujtesë 6 Janarin , si Dita e Lindjes të bashkëthemeluesit të Vatrës dhe udhëheqësit shpirtëror të vatranëve Fan S. Noli.
Më pas z. Mal Berisha ka prezantuar jetën dhe veprimtarinë e gazetarit, shkrimtarit, përkthyesit, diplomatit Herman Bernstein, shoqëruar me projektimin në ekran të fotografive, që shpalosnin aktivitetin e ambasadorit Bernstein në Mbretërinë Shqiptare gjatë viteve 1930-1933.
Autori spjegoi se për të ardhur deri tek përfundimi i librit ai kishte përshkuar një rrugëtim të gjatë dhe se do ta kishte pasë të vështirë pa ndihmën dhe bashkëpunimin e shumë personaliteteve dhe Institucioneve, veçanërisht të Institutit YIVO(Institute of Jewish Research New York). Po ashtu ai vlerësoi dr. Elez Biberaj për ndihmesën me pasqyrën e arkivës së YIVO-s botuar në Gazetën Dielli ne vitin 1980 si dhe historianin Ilir Ikonomi për materialet e ofruara, si dhe shumë personalitete të tjerë, përfshi edhe mikun e shqiptarëve, britanikun Noel Malkolm.
Përmes fjalës së autorit Mal Berisha të pranishmët u njohën me figurën e Herman Bernstein, një personalitet shumëplanësh i Kohës, gazetarit që mbuloi ngjarjet më pikante të kohës së vet, si revolucionin e tetorit, Konferencës së Paqes në Paris, që përshkoi si gazetar kontinente, që raportoi nga frontet e luftës, që shkroi 14 libra dhe përktheu 17 kryevepra, polemistit, diplomati brilant, që pati marrdhënie të shkëlqyera me Mbretin Zog,për të cilin shkroi të parën biografi, që e lartësoi emrin e Kombit shqiptar tek amerikanët, njeriu që ngriti ura miqësie mes shqiptarëve dhe hebrejve, etj….
Pas prezantimit të z. Mal Berisha e ka marrë fjalën studiuesi, ish gazetari i Zërit të Amerikës, anëtar i Këshillit të Vatrës z. Idriz Lamaj. Ai ka përgëzuar autorin për librin kushtuar Herman Bernstein dhe është ndaluar në detaje në një nga vizitat e ish Ambasadorit Herman Bernstein në Elbasan në manastirin Shën Gjon Vladimirit. Kjo vizitë në librin e z. Mal Berisha është përfshirë në Kapitullin”Toleranca fetare në Shqipëri e përshkruar nga Bernstein.”… Një nga cilësitë fisnike që Bernstein vuri re tek shqiptarët është tolerance fetare, bashkëjetesa në Paqe dhe mirëkuptim, madje kremtimi i përbashkët i njerëzve me përkatësi të ndryshme fetare në një qendër kulti. Askush më mirë se Bernstein nuk do ta përshkruante dhe ta ilustronte këtë fakt në Ditën e Shën Gjon Vladimirit në fshatin Shijon në Elbasan. Libri sjell mbresat e drejtëpërdrejta nga peligrinazhi i datës 5 qershor 1931 në Kishën Shën Gjon Gjon Vladimirit në Elbasan.Studiuesi Idriz Lamaj solli detaje nga kjo ditë plot mbresa e Herman Bernstein.
Moderatorja ka paraqitur në vazhdim artistin, tenorin e njohur shqiptar Riad Ymeri, i cili ka apeluar për një Qendër Kulturore të Shqiptarëve të Nju Jork-ut. Nuk mund të matemi me kombe të fuqishme, por me kombe e shtete të krahasushme si Maqedonia, që e ka qendrën e vet, PO-argumentoi artisti.
Për kënaqësinë e pjesmarrësve Riad Ymeri ka interpretua Fjalët e Qirit të Poetit Kombëtar Naim Frashëri.Interpretimi është shoqëruar me duartrokitje.
Editori i Diellit paraqiti trajtesën e tij”Herman Bernstein i Ambasador Mal Berisha dhe gjurmët e mikut të shqiptarëve në Gazetën Dielli”.
Editori vlerësoi librin për nivelin shkencor të realizimit, për stilin e të shkruarit, për informacionin që sjell. Libri i ambasadorit Mal Berisha, tha editori, është fryt i një rrugëtimi të gjatë kërkimor rreth jetës dhe veprës së Herman Bernstein,veçanërisht të shërbimeve plot vlera që ai i bëri Shqipërisë. Autori i librit ka arritë që t’na përcjellë mesazhin e një personaliteti të fuqishëm, mik i tre presidentëve amerikanë, i shumë personaliteteve të larta të kohës, shkrimtarë, gazetarë, shkencëtar, artistë, njerëz të shquar. Libri na përcjell qartazi qëllimin e autorit:Zbulimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve përmes njerëzve të Shquar, atë që Bota sot e quan –Pushteti i butë i Kombeve të vegjël në marrdhëniet ndërkombëtare.
Editori solli detaje nga kronikat, komentet dhe intervistat e Diellit për dhe me këtë përsonalitet të jashtzakonshëm. Dielli i nis kronikat që nga 31 Janari i vitit 1930 e deri në gusht 1935, kur u shua në moshën 59 vjeçare në shtëpinë e tij verore në Masachussets, miku i shqiptarëve Herman Bernstein.
*Per me shumë fotografi shihni në facebook