
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” shpreh ngushëllime, trishtim e dhimbje të thellë për ndarjen nga jeta të mikut të madh të kombit shqiptar e komunitetit shqiptaro-amerikan Eliot Engel.
Si Kryetar i Komitetit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, Engel luajti një rol të jashtëzakonshëm e të pazëvendësueshëm në bashkëpunimin dhe në forcimin e marrëdhënieve të SHBA me Ballkanin e veçanërisht Kosovën e Shqipërinë dhe ishte një mbështetës i palëkundur i Kosovës dhe i çështjes shqiptare në çdo dalje publike e qëndrim diplomatik.
Këtë njeri të madh të Kombit Amerikan pata fatin ta njoh nga afër, të këshillohem e diskutojmë ngushtë për Kosovën e Kombin tonë.
Engel la pas një kontribut monumental në dobi të historisë e drejtësisë së kombit tonë. Eliot Engel ishte zë i fuqishëm e autoritet i lartë moral e njerëzor që nuk u kursye asnjë moment për të drejtat e shqiptarëve.
Vepra, shërbimi, lidershipi e misioni i tij frymëzues do të kujtohen prej çdo shqiptari me respekt e mirënjohje të përjetshme.
Pushoftë në paqe e përjetësi miky ynë Eliot Engel
Lavdi e nderim jetës e kujtimit tij të paharruar.
Me dhimbje e trishtim
Kryetari i Vatrës
Dr. Elmi Berisha