
Me rastin e 17 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA” dhe shqiptaro-amerikanëve, uroj qytetarët e Kosovës e çdo shqiptar kudo në botë:
Gëzuar Pavarësinë Kosovë.
Në shekuj të shekujve paç nderim, zhvillim, sukses e progres o Kosova jonë e dashur dhe e shtrenjtë. Qofsh e përjetshme, faqebardhë, e lavdishme, historike, krenare dhe legjendare.
Në themelet e shenjta të pavarësisë e lirisë së Kosovës është gjaku i heronjëve, çlirimtarëve, luftëtarëve dhe dëshmorëve të lirisë së përjetshme. Liria dhe Pavarësia e Kosovës njësohet me sakrificën sublime të luftëtarëve dhe çlirimtarëve të kombit, epopenë e UÇK-së, qëndresën historike të familjes Jashari, kontributin jetik të mërgatës së Amerikës, Europës, diplomacia e Dr. Ibrahim Rugovës, trimëria e rezistenca mbarëpopullore e shqiptarëve në trojet etnike.
Kosovë, përgjithmonë ne do të dalim Zot.
Në këtë 17 vjetor të historisë sonë krenare e të lavdishme, çdo shqiptar është krenar për rrugëtimin, progresin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës dhe nevojën e miqësisë së përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mirënjohje përjetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, miqve, partnerëve dhe aleatëve tanë perëndimorë.
Gëzuar përjetë e mot Kosovë.
Me gëzim dhe emocion të veçantë
Kryetari i Vatrës
Dr. Elmi Berisha