
Me rastin e 18 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “VATRA” dhe mbarë bashkësisë shqiptaro-amerikane, uroj qytetarët e Kosovës e çdo shqiptar kudo në botë:
Gëzuar Pavarësinë Kosovë. Qofsh e pamposhtur, përjetshme, e suksesshme, faqebardhë, e lavdishme, e shndritshme, historike, krenare, legjendare dhe e begatë.
Në themelet e shenjta të pavarësisë e lirisë së Kosovës është gjaku i heronjëve, çlirimtarëve, luftëtarëve dhe dëshmorëve të lirisë së përjetshme kombëtare. Liria dhe Pavarësia e Kosovës njësohet me sakrificën sublime të luftëtarëve dhe çlirimtarëve të kombit, epopenë e UÇK-së, qëndresën historike të familjes Jashari, kontributin jetik të mërgatës së Amerikës, Europës, diplomacia e Dr. Ibrahim Rugovës, trimëria e rezistenca mbarëpopullore e shqiptarëve në trojet etnike.
Në këtë 18 vjetor të historisë sonë krenare e të lavdishme, çdo shqiptar është krenar për rrugëtimin, progresin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës, reformat e thella, transformimet rrënjësore, rrugëtimin euroatlantik dhe miqësinë përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleati i vetëm historik e besnik i Kosovës e kombit shqiptar.
Mirënjohje përjetë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, miqve, partnerëve dhe aleatëve tanë perëndimorë.
Gëzuar përjetë e mot Kosovë.
Me gëzim dhe krenari
Kryetari i Vatrës
Dr. Elmi Berisha