
E nderuar Presidente e Republikës së Kosovës,
Shkëlqesia Juaj, Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula,
Në emër të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, të gazetës “Dielli” të shqiptaro-amerikanëve, si dhe në emrin tim dhe të familjes sime, kam nderin dhe kënaqësinë t’Ju përcjell urimet më të përzemërta me rastin e zgjedhjes Suaj në detyrën e lartë të Presidentes së Republikës së Kosovës.
Zgjedhja e një personaliteti të shquar të botës akademike në krye të shtetit përbën një moment me rëndësi të veçantë për Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë. Ju vini në këtë detyrë të lartë shtetërore me një formim të spikatur akademik, me përvojë të gjatë në jetën universitare e publike, por mbi të gjitha me vlerat e dinjitetit, integritetit, përgjegjësisë dhe përkushtimit ndaj së mirës së përbashkët dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Zgjedhja Juaj është dëshmi e rëndësisë që Kosova i kushton institucioneve të saj, kulturës demokratike dhe përgjegjësisë shtetërore. Besojmë se përvoja dhe autoriteti Juaj akademik do t’i shërbejnë më tej forcimit të kulturës institucionale, dialogut, unitetit qytetar dhe përfaqësimit dinjitoz të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
VATRA vlerëson përpjekjet e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që morën pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentes, si dhe gatishmërinë për të arritur kompromisin institucional në funksion të Republikës së Kosovës, forcimit të institucioneve dhe interesit të qytetarëve.
E nderuar Presidente Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, si mike e veçantë e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, dëshirojmë t’Ju sigurojmë se Federata do të jetë e gatshme të ofrojë çdo kapacitet dhe mundësi të saj institucionale në mbështetje të Institucionit të Presidentit të Republikës së Kosovës, në çdo nismë dhe përpjekje që i shërben interesit të qytetarëve, forcimit të shtetit dhe zhvillimit e konsolidimit të Republikës së Kosovës.
Në këtë detyrë të lartë shtetërore, Ju urojmë shëndet, urtësi, mbarësi dhe suksese në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Urime, Presidente e Republikës së Kosovës!
Urime Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj!
Me respekt dhe konsideratë të lartë,
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “VATRA”
Kryetari
Dr. Elmi Berisha