
Dielli/
Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA u prit në një takim të ngrohtë nga Kongresisti Republikan, Lee Zeldin, i cili po kandidon për guvernator i Nju Jorkut (New York). Ai e vlerëson shumë kombin shqiptar dhe komunitetin shqiptar në Amerikë ndaj sot kishte rezervuar një pritje shumë miqësore për vatranët të cilët të udhëhequr nga kryetari z. Elmi Berisha i parashtruan disa kërkesa për lobim të çështjes kombëtare. Njohja e Pavarësisë së Kosovës nga shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur, mbështetja e dialogut Kosovë-Serbi deri në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe lobim i fuqishëm në institucionet amerikane të çështjes kombëtare, ishin katër kërkesat që vatranët i kërkuan Kongresistit Republikan, Lee Zeldin. Ky i fundit u ofroi mbështetjen e plotë dhe garantoi vatranët se do jetë zëri i shqiptarëve në çdo kohë. Kongresisti nga Long Island, New York është i njohur për shqiptarët sidomos për mbështetjen e kauzës së tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë Bytyçi të vrarë nga serbët pas mbarimit të luftës në Kosovë e në disa raste ka mbajtur qëndrime të forta publike në favor të shqiptarëve. Në takimin e organizuar nga vatrani Paulin Mrnaçaj ishte i pranishëm edhe z.Mehill Velaj Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane e shumë personalitete të diasporës shqiptare në New York e më gjërë.